Shtëpia / Aktualitet / Gazi lotsjellës dhe dhunimi i të arrestuarve, Avokati i Popullit nis hetimet 

Gazi lotsjellës dhe dhunimi i të arrestuarve, Avokati i Popullit nis hetimet 

Përdorimi i shpërpjesëtuar i gazit lotsjellës në protestën e opozitës më 16 shkurt, po hetohet nga Avokati i Popullit. Gjithashtu ka nisur një hetim edhe për akuzat e PD-LSI se është ushtruar dhunë gjatë arrestimit të pjesëmarrësve në tubimin përpara Kryeministrisë.

Në një deklaratë, Institucioni i Avokatit të Popullit thotë se protesta e 16 shkurtit është zhvilluar përgjithësisht brenda standardeve normale të një tubimi paqësor.

“Qytetarët kanë qenë të pranishëm të shumtë në numër dhe – përveç një numri të vogël e të veçuar individësh – në një shumicë dërrmuese qytetarët janë shfaqur të qetë dhe të paangazhuar në akte kërcënuese për rendin, qetësinë dhe sigurinë publike. Avokati i Popullit çmon se sado i parëndësishëm qoftë numri i qytetarëve që e injorojnë ligjin dhe përfshihen në veprime të dhunshme, cenimi i pronës publike si dhe veprimet në kundërshtim të sigurisë dhe rendit publik  janë te papajtueshme me të drejtën kushtetuese të protestës dhe dëmtojnë jo thjesht pasurinë publike por edhe të drejtën e qytetarëve të tjerë për të protestuar paqësisht”, sqaron Avokati i Popullit.

Nga verifikimet paraprake të ekipit monitorues është konstatuar se forcat e ruajtjes së rendit në përgjithësi e kanë menaxhuar me rregullsi protestën, pa u angazhuar në ushtrim dhune mbi qytetarët protestues. Gjithsesi, nisur edhe nga ankesa të ardhura prej qytetarëve të pranishëm në protestë, Avokati i popullit ka ngritur pyetje në lidhje me proporcionalitetin e përdorimit të gazit lakrimogjen apo edhe të pajisjeve të tjera shpërthyese që u hodhën nga forcat e ruajtjes së rendit mbi masën e qytetarëve gjatë protestës.

Një ditë pas protestës Avokati i Popullit u ka drejtuar kërkesa zyrtare autoriteteve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, për të dhënë sqarime mbi llojin, sasinë, përqendrimin, përbërjen, dhe prejardhjen e këtyre lëndëve.

Gjithashtu Avokati i Popullit ka kërkuar të informohet zyrtarisht mbi protokollin zyrtar që zbatohet për përdorimin e këtyre lëndëve, llogaritjet sipas të cilave administrohet sasia e duhur për një numër të caktuar qytetarësh dhe të dhëna të tjera që do të përcaktojnë nëse sasia e përdorur e lëtyre lëndëve nga ana e forcave të rendit synonte vetëm neutralizimin e grupit të vogël të dhunuesve, apo intimidimin dhe privimin e një numri të madh protestuesish paqësorë nga ushtrimi i së drejtës së tyre kushtetuese për tubim.

Po ashtu, Avokati i Popullit ka ndjekur zyrtarisht edhe procedurat e ndalimit të një numri pjesëmarrësish në tubim nga ana e organeve ligjzbatuese gjatë orëve të mbrëmjes në vijim.

Shiko dhe këto

I jepet lamtumira çiftit shqiptar, djali i tyre qëndron pak metra më tutje në varreza…

Teuta dhe Shpëtim Pasho u përcollën të enjten për në banesën e fundit. Çifti i …