Shtëpia / Politika / Ish-kreu i KQZ shpjegon procesin: Ja kujt i kalojnë mandatet e “djegura” të PD-së

Ish-kreu i KQZ shpjegon procesin: Ja kujt i kalojnë mandatet e “djegura” të PD-së

Java ka nisur me zhvillime intensive politike. Partia Demokratike, me një vendim unanim po shkon drejt dorëheqjes kolektive nga mandatet e deputetëve që kjo forcë politike ka në Kuvendin e Shqipërisë.

Vendimi po kalon në një nga hallkat partiake dhe tashmë pritet verdikti i Këshillit Kombëtar. Duket se çdo gjë është drejt zyrtarizimit, por të gjithë janë të paqartë se çfarë do të prodhojë ky vendim i demokratëve në aspektin kushtetues e institucional dhe a mund të krijojë ai një krizë parlamentare.

Pikërisht për këtë çështje, ish-kreu i KQZ-së Denar Biba tha në emisionin “Top Talk” se në terminologjinë juridike, koncepti ‘djegie mandatesh’ nuk ekziston.

“Në zhargonin politik ndoshta sapo ka hyrë si term ‘djegie mandatesh’. Në fakt është përdorur edhe më herët, por njerëzit do të familjarizohen tani me të. Është thjesht është heqje dorë nga mandati. Neni 71, pika 2 e Kushtetutës bën fjalë për heqje dorë nga mandati, ndërsa në thelb është e njëjta gjë. Vet deputeti mund të heqë dorë nga mandati”, shpjegoi nënkryetari i KQZ-së.

Biba shpjegoi edhe si do të kryhet “djegia e mandateve”, duke thënë se secili deputet duhet të shkojë përpara Komisionit për Rregulloren e Mandateve dhe Imunitetin dhe të deklarojë publikisht heqjen dorë nga mandati.

“Kuvendi më pas ka kohë 30 ditë për të shpallur vakancën, duke njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili po ashtu brenda 30 ditëve ia kalon mandatin me vendim kandidatit më të parë në listën që ka depozituar partia ku ka milituar deputeti që ka hequr dorë nga mandati”, shpjegoi ai.

Si ekspert i së drejtës kushtetuese, Denar Biba shpjegoi më konkretisht se kujt do t’i kalojnë mandatet e lëna nga Partia Demokratike, nëse vendimi politik i Lulzim Bashës do të finalizohet.

“Unë s’dua të bëj analistin politik, por është vështirë, sepse praktikisht do të duhet një ushtrim shumë i gjatë. Siç do të jepen individualisht dorëheqjet nga mandati, KQZ do të vijojë në proces të gjithë kandidatët e tjerë të listës. Në bazë të nenit 67 të Kodit Zgjedhor, Partia Demokratike ka depozituar një listë me 194 kandidatë për deputetë, nga 140 që ka Kuvendi i Shqipërisë gjithsej, kështu që do të duhet të ezaurohen 151 kandidatë që janë në pritje. Në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit, Kuvendi do të shpallë vakancën, KQZ do t’ia kalojë mandatin çdo individi, deri në refuzimin përfundimtar të kandidatit më të fundit, të 194-tit në listën e PD-së Duhet ndjekur me interes, pasi mund të ketë individë, të cilët mund të dalin jashtë linjës politike dhe partiake, thjesht për të shkruar në jetëshkrimin (CV) e tyre, që ‘edhe unë kam qenë deputet i Republikës së Shqipërisë’, duke krijuar kështu një skenar të paparashikuar nga pikëpamja publike, edhe pse PD-ja mund ta ketë marrë parasysh këtë… Janë 151 kandidatë për t’u testuar, kështu që ndoshta edhe mund të ketë”, shpjegoi Biba.

Por, duke marrë të mirëqënë se nuk do të ketë asnjë kandidat kundër linjës nga Partia Demokratike, Biba sqaroi se pas refuzimit të kandidatëve në listën prej 194 vetësh, atëherë do t’u vijë radha individëve të listës së Partisë Socialiste.

“Jo më kot ligji ka kërkuar që partitë, kur depozitojnë listat, të kenë minimalisht jo më pak se 140 deputetë, me hipotezën se një parti mund ta marrë edhe e vetme të gjithë Parlamentin, nëse populli vendos kështu. Në këtë pikë nuk supozohet të ketë boshllëk, sepse nuk ekziston në aspektin kushtetues. Nëse Partia Demokratike do të kishte hyrë në koalicion parazgjedhor, – por po të kujtoni në zgjedhjet e vitit 2017 partitë hynë të gjitha individualisht, – koalicion ky i regjistruar, atëherë mandatet do t’i shkonin partisë së dytë me herësin më të lartë. Por në këtë rast nuk ekziston. Duke mos pasur një të tillë, partia me herësin më të lartë në Kuvend mbetet Partia Socialiste. Nëse të gjithë kandidatët në listën prej 194 vetësh do të refuzojnë të marrin mandatin, atëherë do t’u vijë radha individëve të listës së Partisë Socialiste. Edhe këta të fundit kanë të drejtë gjithashtu të mos pranojnë. Nëse ndodh kështu, radha do t’i takojë partisë Lëvizja Socialiste për Integrim”, shpjegoi më tej eksperti.

Të flasim pak për thellësinë e kësaj që po ndodh në konceptin kushtetues dhe politik parlamentar. Nëse edhe LSI-ja vendos të dorëzojë 19 mandatet e saj, a mund të kemi një ngërç të thellë politik dhe institucional, që mund t’i provokojë realisht zgjedhjet?

“Ligji nuk e parashikon boshllëkun, ndaj, ndërkohë që këta do të dorëhiqen, institucionet do të vijojnë me zëvendësimet. Shqetësimi, nga pozitat e qytetarit është tejet i lartë edhe tek unë, sepse kjo ngjarje është e rëndë, e paprecedentë, që nuk është parë as në demokracitë rreth e rrotull nesh, e aq më pak në demokracitë europiano-perëndimore. Por, kjo është të ndryshosh rregullat e lojës demokratike në mes të procesit, gjë që nuk më takon mua ta analizoj”, tha Denar Biba.

Në politikë nuk ka asgjë të paparashikueshme, sepse janë veprime që sjellin një produkt a një efekt.

“Parlamenti vazhdon me numrat që ka aktualisht Partia Socialiste. Natyrisht, shumica do të vendoset në pozita të vështira për të miratuar ligje që do të kërkojnë 3/5-tat, si ndryshimet në kode etj., por ligjet e zakonshme janë praktikisht të kalueshme nga mazhoranca aktuale. Formalisht, jeta institucionale vazhdon”, deklaroi eksperti Biba.

Shiko dhe këto

Ambasadorja e SHBA i kërkon Bashës që Berisha të mos jetë në parlament në shtator: PD nuk mund të hajë bar për hir të një deputeti

Ambasadorja amerikane në Tiranë ka folur për mediat pas takimit që zhvilloi me kreun e …