Shtëpia / Sport / Kombëtarja, sinjale pozitive para eliminatoreve

Kombëtarja, sinjale pozitive para eliminatoreve

Diçka më shumë se një muaj nga dy përballjet kualifikuese për Europianin 2020, Christian Panucci merr lajme të mira nga legjionarët. Fundjava ka rezultuar shumë e mirë për pjesën më të madhe të kuqezinjve, të cilët janë aktivizuar rregullisht, madje disa prej tyre kanë arritur edhe të shënojnë.

Nga Seria A në Bundesligë, për të vijuar me Spanjën, Turqinë dhe Kroacinë, sinjalet në drejtim të timonierit kuqezi janë të mira. Më në fund Amir Abrashi ka lënë pas makthin e dëmtimit, duke luajtur për 90 minuta në transfertën e “Gelsenkirshen” ndaj Schalkes, ku Freiburgu i tij mori një pikë të çmuar.

Minutazh të plotë edhe për Elseid Hysajn, të cilin Carlo Ancelotti e aktivizoi në të majtë të mbrojtjes, në barazimin shtëpiak pa gola me Torinon. Gjithashtu edhe Federik Veseli ishte në fushë deri në fund për Empolin, që triumfoi pastër 3-0 ndaj Sassuolos në “Castellani”. I padiskutueshëm në portën e Lazios, Thomas Strakosha, që nuk mundi të evitojë humbjen ndaj Genoas në “Marassi”.

Në stolin bardhekaltër vijon të jetë Sergio Kalaj, 19-vjeçari i cili konsiderohet si një nga mbrojtësit e së ardhmes jo vetëm tek Lazio, por edhe në kombëtare. Paraqitje pozitive për dyshen e Atalantës, Berisha–Gjimshiti. Portieri i pafat në dy golat e parë të kuqezinjve, ndërkohë që mbrojtësi rrezikoi me kokë që në fillimin e sfidës.

Në Serinë B është aktivizuar me kohë të plotë Kastriot Dermaku, në fitoren e Cosenzës së tij ndaj Cremoneses, duke qenë i pakalueshëm në qendër të mbrojtjes. Vijon të jetë një pikë referimi tek Brescia, Emanuele Ndoj, që luajti deri në fund në transfertën e vështirë, ndaj Palermos, në sfidën që u mbyll në barazim 1-1. Mesfushori mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën që është pranë rikthimit në Serinë A.

Në Superligën turke, Sokol Cikalleshi ka luajtur për 90 minuta, por pa mundur të gjejë rrugën e rrjetës në barazimin pa gola të Akhisar ndaj Ankarugucu. Në Segunda Division të Spanjës, Rey Manaj u aktivizua për 15 minuta në transfertën e Saragosës, ku Albacete mori një pikë të artë duke ruajtur kreun e klasifikimit.

Ka munguar për arsye kartonash Keidi Bare në transfertën që Malaga fitoi minimalisht ndaj Rajo Majadahonda, duke marrë vendin e dytë në klasifikim. Në Kroaci gjithçka ka shkuar mirë për kuqezinjtë, pasi Kristal Abazaj e ka nisur me gol aventurën e tij tek Osijek. I ardhur nga stoli në minutën e 56′, Abazaj shënon një supergol 12 minuta më vonë, në fitoren minimale 1-0 ndaj Istras.

90 minuta të plota për Ardjan Ismajlin dhe Myrto Uzunin, që morën nga një pikë falë barazimeve pa gola respektivisht në sfidat ndaj Rijekës dhe Rudes. Andi Lila, Ergys Kaçe dhe Enea Mihaj vijojnë të jenë titullarë të padiskutueshëm në Greqi me skuadrat e tyre. Fundjavë negative për Migjen Bashën, që u ndëshkua me karton të kuq pas vetëm 11 minutash lojë ndaj Panioniosit, ku u aktivizua deri në fund Florian Durmishaj, autor i 6 golave këtë edicion.

Nga Superliga zvicerane vjen një lajm shumë i mirë për Panuccin, pasi Armando Sadiku rigjeti golin pas rreth 15 muajve. Sulmuesi nga Elbasani realizoi golin e parë në fitoren 3-0 të Luganos, në transfertën e Luzernës. Këtë javë në Zvicër në fushë si titullarë të padiskutueshëm ishin edhe Taulant Xhaka, Burim Kukeli, Ermir Lenjani dhe Arlind Ajeti.

Christian Panucci “fërkon duart”, ndërkohë që stafi teknik i Kombëtares Shqiptare shpreson që lojtarët të vijnë në këtë gjendje në sfidat e 22 marsit ndaj Turqisë në “Loro Boriçi” dhe 3 ditë më pas në transfertën Andorrës.

Gazeta Shqip

Shiko dhe këto

Interi bën goditjen e parë në merkato, trajneri Conte duket i kënaqur

Ashraf Hakimi është lojtari më i ri i Interit. Marokeni sot zbriti në Milano për …