Shtëpia / Aktualitet / Ia hodhi paq nga atentati te “Uji i Ftohtë”, çfarë dëshmoi ‘Çipuri’ në spital?

Ia hodhi paq nga atentati te “Uji i Ftohtë”, çfarë dëshmoi ‘Çipuri’ në spital?

Armando Sulejmani, një nga anëtarët më të njohur të grupit të “Gaxhait” i shpëtoi mrekullisht një atentati mesditën e së dielës në Vlorë, ku mbetën të vrarë dy miqtë e tij Orest Rexho dhe Arjan Hasanaj.

43-vjeçari i njohur me pseudonimin “Çipuri” u arrestua në spital me akuzën “armëmbajtje pa leje”, pasi iu gjet një pistoletë kur u kontrollua nga policia.

Ndërkohë, grupi hetimor që po punon për zbardhjen e atentatit të ndodhur në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë dhe në vendngjarje janë sekuestruar mbi 25 gëzhoja.

Të gjitha i përkasin armës së llojit kallashnikov, ndërsa atentatorët kanë përdorur 3 të tilla për t’i marrë jetën Sulejmanit. Ai ia hodhi paq duke i shpëtuar atentatit të dytë, pasi më 23 maj 2016 një bllokim pistolete i atentatorit që i kishte zënë pritë në hyrjen e pallatit ku banon, ia bëri të lehtë arratisjen në errësirë.

Ndryshe nga rasti i parë, këtë herë 43-vjeçari nuk ka arritur të kundërpërgjigjet me zjarr dhe ka marrë dy plagë nga plumbat. “Çipuri” ka arritur të shpëtojë për faktin se ka qenë i ulur në pjesën e pasme të automjetit tip “Pasat” në momentin që iu bë atentati.

Ndërkohë, në drejtim të makinës ishte Arjan Hasanaj, 45 vjeç, i cili mbeti i vdekur në vend, ndërsa kunati i 43-vjeçarit, Orest Rexho, 37 vjeç, arriti të dilte nga makina për t’u shpëtuar plumbave, por u rrëzua përtokë vetëm disa metra larg saj.

Por çfarë ka dëshmuar “Çipuri” nga spitali?

Aktualisht, 43-vjeçari ndodhet në dhomat e paraburgimit në ambientet e spitalit dhe ruhet nga forcat e Policisë.

43-vjeçarit i është komunikuar masa e arrestit në dhomën e spitalit për shkak se i është gjetur një armë pistoletë, të cilët e mbante pa leje. Grupi hetimor, nga marrja në pyetje e “Çipurit”, nuk ka arritur të sigurojë ndonjë informacion të vlefshëm për zbardhjen e ngjarjes.

43- vjeçari ka deklaruar se, nuk ka arritur të identifikojë asnjë prej autorëve. Gjithashtu, ai ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund të jenë autorët që i vranë shokun dhe kunatin.

Por, Sulejmani dyshohet nga Policia si një nga porositësit e vrasjes së Ferdinand Llanajt më 1 tetor të vitit 2017 dhe pikërisht kjo është një nga pistat që po hetohet.

Shiko dhe këto

I jepet lamtumira çiftit shqiptar, djali i tyre qëndron pak metra më tutje në varreza…

Teuta dhe Shpëtim Pasho u përcollën të enjten për në banesën e fundit. Çifti i …