Shtëpia / Politika / SHBA kundër opozitës: Deputetët të refuzojnë thirrjet për djegie mandati!

SHBA kundër opozitës: Deputetët të refuzojnë thirrjet për djegie mandati!

Vendimi i Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj opozitarë për të djegur mandatet parlamentare, deri më tani kishte sjellë reagime të forta nga Brukseli ku është ndezur drita e kuqe e alarmit për rreziqet që i kanosen Shqipërisë.

Përveç ambasadorit të BE-së në Tiranë Luigi Soreca, nga Brukseli kërkoi zgjidhje të krizës politike edhe zëdhënësja e KE-së, Maja Koçijançiç. Ndërkohë sot, për çështjen ka reaguar edhe SHBA, nëpërmjet ambasadës në Tiranë.

“Një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese”, është fjalia hapëse e njoftimit për shtyp të ambasadës që tregon qartë se SHBA i duan PD-LSI në Parlament, për të çuar përpara reformat e vendit.

Sipas ambasadës amerikane, “kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme”.

Në përfundim lëshohet një thirrje personale për secilin deputet që t’i kundërvihen thirrjes së Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit për djegie mandatesh dhe të qëndrojnë në Parlament sipas vullnetit të atyre që i kanë votuar.

“Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin tu shërbeni”, theksohet në reagimin e ambasadës së SHBA.

Shiko dhe këto

“Ballkani i Hapur”, SHBA: Kosova t’i qaset me mendje të hapur integrimit rajonal ekonomik

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar …