Shtëpia / Politika / “Ushtari” i Metës kundër Monës: S’e djeg mandatin, LSI po e përdor Berisha

“Ushtari” i Metës kundër Monës: S’e djeg mandatin, LSI po e përdor Berisha

Propozimit ekstrem të liderit të opozitës, Lulzim Basha, për të djegur mandatet e deputetëve iu bashkua dje zyrtarisht LSI, me kryetaren Monika Kryemadhi që tha se kjo është rruga e vetme për të ndalur regjimin e Edi Ramës.

Por ashtu siç ishte përfolur në media, vendimi për djegien e mandateve nuk është marrë në kushte qetësie dhe komoditeti në LSI, pasi grupi i Presidentit Ilir Meta, i njohur si garda e vjetër e partisë ka bërë rezistencë.

Dhe produkti i kësaj rezistence është një “dezertor” si Lefter Koka, i cili nuk ishte as i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të LSI. I njohur si “ushtar” i besuar i Ilir Metës, ish-ministri i Mjedisit ka dalë sot zyrtarisht kundër vendimit të partisë së tij për të djegur mandatet.

Në një njoftim për mediat, Koka thotë se është zgjedhur për të përfaqësuar popullin dhe do të vijojë të jetë përfaqësues i tyre me devotshmëri.

“Vendimi im i palëkundur është se unë nuk do të djeg mandatin e deputetit, që mijëra durrsakë më kanë besuar. I zgjedhur prej vullnetit të bashkëqytetarëve të mi, për të ushtruar pushtetin legjislativ dhe të jem përfaqësuesi i tyre. Parimet e mia në 2 dekada te jetës sime politike janë udhëhequr vetëm nga interesi i qytetarëve. Janë ata që me kanë treguar gjithmonë cila është e drejta dhe e vërteta, janë ata bashkudhëtarët dhe udhërrëfyesit e mi”, thotë Koka.

Por, çuditërisht Koka shton se LSI-ja po tërhiqet zvarrë nga Sali Berisha, njeri që sipas tij bën thirrje për të qëlluar me “plumb ballit” në shekullin e 21.

“Ky nuk është një vendim thjeshte Lëvizjes Socialiste për Integrim por i Saliut, i cili në shekullin e 21 bën thirrje për plumba ballit. Dhe nëse erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI, a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave qe unë i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë. Mandati im është besimi i mijëra qytetarëve. Është mandati i qytetarisë, kulturës dhe fisnikërisë durrsake, që as në ditët më të vështira të këtij qyteti nuk theu kurrë një xham. Qytetarët durrsakë kanë treguar në çdo kohë, se ata janë shembulli më i mirë i shoqërisë shqiptare. Mandati im nuk mund të përdoret asesi për t’i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar”, thekson ish-ministri i Mjedisit.

Shiko dhe këto

Erjon Braçe reagon për kopertinën e Ditës: Ka beteja qe nuk bëhen me telefon, por bëhen me zë dhe publikisht

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë Erjon Braçe ka reaguar në lidhje me kopertinën e sotme të Ditës …