Shtëpia / Sport / Lazio kërkon mrekullinë ndaj ekspertes Sevilla

Lazio kërkon mrekullinë ndaj ekspertes Sevilla

Shorti e fazës së 1/16-ave të Europa League nuk qe aspak i favorshëm për Lazion dhe kjo u vërtetua edhe në takimin e vajtjes me Sevillan në “Olimpico”, që u mbyll me suksesin minimal të miqve. Skuadra andaluze, e cila konsiderohet “mbretëresha” e këtij kompeticioni, arriti t’u imponohej lazialëve si në lojë dhe rezultat e tashmë me eksperiencën që ka pret ta administrojë me qetësi takimin e kthimit, sot, në orën 18:00, në “Sanchez Pizjuan”.

Lazio nuk ka asgjë për të humbur dhe do t’i shkarkojë të gjitha bateritë në këtë sfidë të kthimit, por precedentët tregojnë që Sevilla, pas fazës së grupeve është kualifikuar gjithmonë në raundin pasardhës me eliminim direkt (në 7 raste).

Trajneri i Lazios, Simone Inzahi, është shprehur në konferencën për shtyp se “skuadra e tij udhëton për të luajtur shanset e saj dhe për t’ia dalë mbanë duhet një skuadër shumë e vendosur në fushë dhe me grintë. Duhet që në këtë ndeshje episodet t’i kthejmë në favorin tonë.”

Bardhekaltrit kanë patur probleme të shumta më dëmtimet, por Inzaghi ka grumbulluar për këtë ndeshje Parolon dhe Milinkovic-Savicin, gjithsesi Luis Alberto ka mbetur jashtë.

Rreziku kyesor për lazialët mbetet autori i golit të vetëm të sfidës së “Olimpicos”, Wissam Ben Yedder, ndërsa Ciro Immobile, me 4 gola në 6 ndeshjet e fundit të Lazios, është shpresa e madhe e skuadrës italiane për të bërë mrekullinë në Sevilla.

Detyrë e vështirë edhe për Thomas Strakoshën, që duhet të bëjë të pamundur për të mos pësuar në këtë fushë të vështirë.

Gazeta Shqip

Shiko dhe këto

Interi bën goditjen e parë në merkato, trajneri Conte duket i kënaqur

Ashraf Hakimi është lojtari më i ri i Interit. Marokeni sot zbriti në Milano për …