Shtëpia / Politika / Shqipëria rrezikon përplasje civile, a do pranojnë palët t’i ulë Meta në bisedime?

Shqipëria rrezikon përplasje civile, a do pranojnë palët t’i ulë Meta në bisedime?

Vendimi i opozitës për të djegur mandatet, kur na ndajnë 5 muaj nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ndezur gjakrat në politikën shqiptare dhe ka rritur më tepër presionin e ndërkombëtarëve.

Në kushtet aktuale duket shumë e vështirë që të kemi një marrëveshje për zgjidhjen e krizës midis dyshes Lulzim Basha-Monika Kryemadhi dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa në lojë mund të hyjë Presidenca.

Për t’u përgjigjur për dilemat që shoqërojnë vendimin e opozitës dhe qëndrimin e qeverisë ndaj saj, në “Opinion” mbrëmjen e djeshme ka qenë i ftuar kreu i Grupit të PS, Taulant Balla.

Balla tha se  nuk mungon dëshira për të dialoguar me Partinë Demokratike dhe LSI-në, por sipas tij vetëm për çështje si reforma zgjedhore do të ulen në bisedime.

“E para duhet të sqarojmë korrekt me teleshikuesit, ajo që është shumë e rëndësishme është se nuk kemi të bëjmë me djegie por me dorëheqje individuale të deputetëve. Unë them dhe kam bindjen që nuk e kanë seriozisht, kam bindje personale që nuk do të ndodhë. Ky është një proces që do të zgjasë disa muaj, flas për zëvendësimin e deputetëve, sepse dhe ata që do të vijnë do të jenë deputetë të opozitës. Dy parti kanë mandate, kurse PDIU mbështet maxhorancën dhe nuk do ti dorëzojë mandatet. Asnjëherë nuk mungon nga ana jonë dëshira për të dialoguar me Partinë Demokratike dhe LSI-në. Jemi të gatshëm për tu ulur me PD për Reformën Zgjedhore. Edhe një gjë zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen vetëm në vitin 2021”, tha Balla.

Sipas tij, PS asesi nuk e çon ndërmend të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme apo të falë pushtet në tavolinë.

“Jo nuk do të ketë qeveri tranzicioni dhe as zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen vetëm në qershor të vitit 2020. Edi Rama do jetë kryeministër edhe më pas”, deklaroi Balla.

Ndër të tjera, ai theksoi se në kushtet aktuale nuk ka shkak për përplasje civile. Sipas Taulant Ballës vendi nuk është në krizë, pasi kemi të bëjmë vetëm me vendimin e një grupi politikanësh të korruptuar që duan të dalin nga sistemi për të shpëtuar nga drejtësia.

“Konflikt social është fjalë shumë e madhe. Këta janë një grup politikanësh të korruptuar që duan të dalin nga sistemi për të fituar imunitetin. Mund të përdoren dhe për… Nuk është konflikt social kur një grup politikanësh të korruptuar kërkon ti përdorin për vete këta njerëz”, theksoi kreu i Grupit të PS.

Duke komentuar lëvizjen e PD-LSI, kryetari i grupit të PS-së tha se sa herë do kemi zgjedhje, Lulzim Basha ka frikë dhe PD tmerrohet nga drejtësia.

“Sa herë do kemi zgjedhje, Lulzim Basha ka frikë. Në shkurt të 2017, PD hyri në çadër dhe deklaronte se do bojkotonte zgjedhjet. Arsyeja për se ne bëmë marrëveshje në 2017 ishte për një ligj, pjesë e paketës në drejtësi. Ishte vettingu. Dhe në 25 qershor shqiptarët i besuan PS. Të enjten kemi në seancë dy vendime të rëndësishme për drejtësinë. Ne e kemi thënë që PD, sapo të ndërtohej SPAK do dilnin nga sistemi. Kërkon që të mos hapen negociatat”, u shpreh ai.

Shiko dhe këto

Abuzimi me tenderat/ GJKKO merr vendim për Fatos Tushen, lë në burg për ish-kryebashkiakun

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) ka lënë fuqi masën e sigurisë “arrest …