Shtëpia / Aktualitet / Si u grabitën miliona euro brenda aeroportit të Rinasit

Si u grabitën miliona euro brenda aeroportit të Rinasit

Grupi i Admir Muratajt, arriti të realizojë dy grabitje të dhunshme shumë afër aeroportit, por, një tjetër bandë shkoi edhe më tej.

Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, arriti të thyhej siguria e Aeroportit “Nënë Tereza”, ku 3 grabitës arritën të shkojnë deri të pista e nisjes së avionëve.

Ishte data 30 Qershor, e vitit 2016. Një blind i kompanisë “Nazeri 2000”, ishte afruar në pistë për të përcjellë disa thasë me para që do transferoheshin jashtë vendit.

Në orën 14:23 minuta, siç tregohet në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë, një mjet tip benz ngjyrë vishnje, futet në portën e hekurt e cila përdoret vetëm për mjetet që furnizojnë me karburant avionët.

Një person, arrin të shqyejë më parë portën e cila nuk kishte skaner sigurie që të jepte alarmin. Mjeti me tre persona kalon në pistë dhe afrohet te avioni që ishte gati për udhëtim. Aty pranë, ishte edhe blindi me para.

Brenda ishte vetëm shoferi ndërkohë dera ishte e hapur. Fare lehtësisht, grabitësit marrin paratë, dhe kthehen andej nga hynë duke u larguar në drejtim të paditur.

E gjithë skena zgjati plot 4 minuta. Asnjë sistem alarmi nuk u aktivizua. Asnjë prej punonjësve të kompanisë private të sigurisë që ka në ruajtje aeroportin nuk reagoi.

Pas ngjarjes, policia fajësoi kompaninë e ngarkuar për sigurinë në aeroport. Njoftimi për ngjarjen, kishte ardhur sipas policisë me vonesë nga kompania e sigurisë ICTS.

Policia akuzonte kompaninë e sigurisë, por, duhet theksuar fakti se ngjarja ndodhi vetëm pak metra larg komisariatit të Rinasit, ku janë patrullimet konstante punonjësit e policisë kufitare.

“Por edhe akt terrorist mund të ndodh. Forcat e policisë duhet ta kenë të parashikuar edhe këtë rast”, tha Veli Myftari, ish-drejtor i Policisë.

Grupi i kësaj grabitjeje spektakolare, nuk la thuajse asnjë provë, por, diku gabuan. Pranë vendin ku u dogj mjeti i përdorur, u gjet edhe një maskë. Mbetjet biologjike identifikuan shoferin e mjetit, shtetasin 40-vjeçar nga Elbasani, Aleks Pepa.

Por, kur kjo provë u sigurua, ishte tepër vonë. Ai kishte lënë Shqipërinë dhe ishte larguar në Rumani. Sot, e kësaj dite, nuk ka asnjë informacion nga autoritetet e këtij vendi për vendodhjen e Pepës.

Top Story mësoi se prokuroria ka nisur letër-porosi edhe në disa vende të tjera evropiane për Pepën. Janë siguruar të dhëna edhe për dy personat e tjerë, por identiteti i tyre mbahet ende sekret nga hetuesit.

Shiko dhe këto

I jepet lamtumira çiftit shqiptar, djali i tyre qëndron pak metra më tutje në varreza…

Teuta dhe Shpëtim Pasho u përcollën të enjten për në banesën e fundit. Çifti i …