Shtëpia / Sport / Asnjë derbi, shorti “përkëdhel favoritet”, me përjashtim të Interit!

Asnjë derbi, shorti “përkëdhel favoritet”, me përjashtim të Interit!

Asnjë derbi dhe kundërshtarë shumë të favorshëm për skuadrat favorite. Në Nyon të Zvicrës, mesditën e sotme u hodh shorti i raundit të 1/8-ave të Europa League, ku sfida më interesante është padiskutim ajo mes Eintracht Frankfurt dhe Interit. Me përjashtim të zikaltërve që kanë deri diku një përballje jo të lehtë i përkëdheli fati skuadrat e tjera të mëdha që aspirojnë për ta fituar këtë kompeticion.

Chelsea do të shkojë në Ukrainë pasi do të sfidojë Dinamon e Kievit, ndërkohë që Arsenali nuk pritet të hasë vështirësi ndaj francezëve të Rennes të cilët trajneri Unai Emery i njeh shumë mirë. Napoli do të sfidojë austriakët e Salzburgut që sezonin e kaluar rezultuan surpriza e madhe e Europa League duke shkuar deri në gjysmëfinale.

Sevilla që është një tjetër skuadër favorite do të masë forcat me çekët e Slavias së Pragës ndërkohë që Valencia do të përballet me rusët e Krasnodar. Dy sfidat e tjera të raundit të 1/8-ave janë Dinamo Zagreb-Benfica dhe Villareal-Zenit.

Duhet theksuar së më pak bujar shorti u tregua me Interin e Spallettit, pasi Frankfurti me një treshe sulmuese të frikshme, Rebic-Haller-Jovic është skuadra që ka patur ecurinë më të mirë në këtë edicion të Europa League teksa numëron deri tani 7 fitore dhe 1 barazim dhe fazën e grupeve e mbylli me pikë të plota. Ka qenë pikërisht një skuadër gjermane disi e ngjashme me Frankfurtin, pikërisht Wolfsburgu, skuadra e fundit që e ka eliminuar Interin nga një duel me eliminim direkt në Europë, në vitin 2015-të.

Ndeshjet e para të këtij raundi do të zhvillohen në 7 mars ndërsa ato të kthimit një javë më pas në datë 14.

Gazeta Shqip

Shiko dhe këto

Interi bën goditjen e parë në merkato, trajneri Conte duket i kënaqur

Ashraf Hakimi është lojtari më i ri i Interit. Marokeni sot zbriti në Milano për …