Shtëpia / Sport / Tirana triumfon në Korçë, Gentjan Muça rikthehet në fushë

Tirana triumfon në Korçë, Gentjan Muça rikthehet në fushë

Tirana konfirmon momentin e mirë edhe pas transfertës korçare, ndërsa Skënderbeu tregoi sërish se ka shumë probleme dhe se fitorja me Laçin ka qenë më shumë rastësore, sesa sinjal i kthesës nga ana e bardhekuqve.

Bardheblutë e Memës arritën të marrin një 3-pikësh me mjaft vlera në transfertën korçare, pasi mposhtën Skënderbeun me rezultatin 1-2, në një sfidë mjaft interesante dhe të luftuar nga të dy skuadrat.

Ishte Tirana që kaloi e para në avantazh, në minutën e 26’, kur pas një aksioni mjaft të bukur mes Ngo’o dhe Hasanit, topi përfundoi te Cobinnah, i cili me qetësi mposhti portierin korçar, duke ndalur topin në rrjetë.

Gjithsesi korçarët reaguan mirë dhe arritën të mbyllin pjesën e parë në barazim, pasi ishte mesfushori Sibo, që në minutën e 45-të shënoi në portën e Abibit, pas një topi mjaft të saktë, të marrë nga krahu i djathtë i sulmit.

Pjesa e dytë kishte të njëjtin ritëm si e para, me të dy skuadrat që kërkonin golin e fitores dhe me Skënderbeun që ishte më aktiv, por kur kishin mbetur vetëm dy minuta lojë, Michaell Ngo’o bëri gjithçka mirë në zonën korçare dhe kaloi sërish Tiranën në avantazh.

Ky gol u shoqërua me festë të madhe në kampin bardheblu, ndërsa nuk munguan as lotët e trajnerit Ardian Mema, i cili pas vështirësive të shumta në fillimet e tij në stolin e Tiranës, po arrin tashmë të marrë frytet e punës së palodhur.

Minutat e mbetura nuk arritën të prodhojnë raste për ndryshim rezultati, ndërsa vlen të theksohet se në minutën e 90’, trajneri Mema hodhi në fushë edhe mbrojtësin Gentjan Muça, i cili vinte pas një kohe të gjatë mungesë, pasi ishte diagnostikuar me një sëmundje të rrezikshme.

Me këtë fitore, bardheblutë mbeten në vendin e 7, por tashmë me 28 pikë, vetëm 5 më pak se Skënderbeu dhe Flamurtari që pozicionohen para tyre dhe plot 9 më tepër se zona e rënies nga kategoria.

Shiko dhe këto

Interi bën goditjen e parë në merkato, trajneri Conte duket i kënaqur

Ashraf Hakimi është lojtari më i ri i Interit. Marokeni sot zbriti në Milano për …