Shtëpia / Politika / Balla në PES: Ndryshimi i qeverisë, vetëm përmes zgjedhjeve

Balla në PES: Ndryshimi i qeverisë, vetëm përmes zgjedhjeve

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur pjesëmarrjen e tij në Kongresin Elektoral të Partisë Socialiste Europiane. Ai shprehet se  ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë atje edhe për situatën politike në Shqipëri dhe se qëndrimi i tyre është i qartë se asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën europiane. Sipas Ballës, ndryshimi i qeverisë në çdo demokraci mund të ndodhë vetëm përmes zgjedhjeve dhe jo me dhunë.

Postimi i plotë i Ballës:

Kongresi Elektoral i Partisë Socialiste Europiane, në cilën ne socialistët shqiptarë jemi anëtarë, i dha sot mbështetjen kandidatit të përbashkët për President të Komisionit Europian Frans Timmermans.

Aktualisht Zëvendës President i Komisionit Frans Timmermans, por edhe në detyrën e mëparshme si Ministër i Jashtëm i Hollandës, mbetet një europeist i paepur, por dhe një mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë në familjen europiane.

Gjatë punimeve të Kongresit ku merrnin pjesë kryeministra dhe liderë të socialdemokracisë europiane, zhvillova biseda me Presidentin e PES Sergei Stanishev, Presidentin e Grupit Socialist dhe Demokrat ne Parlamentin Europian Udo Bullmann dhe sigurisht me Zëvendës Presidentin e Komisionit Europian Frans Timmermans.

Qëndrimi është shumë i qartë:

“Për progresistët europianë ngjarjet e një jave më parë në Tiranë, përdorimi i dhunës kundër institucioneve të shtetit, e nxitur haptazi dhe me forcë nga lidershipi i opozitës, si një metodë për marrjen e pushtetit dhe një përpjekje për delegjitimizimin e proceseve demokratike në Shqipëri është diçka e papranueshme dhe e patolerueshme. Ndryshimi i qeverisë në çdo demokraci mund të ndodhë vetëm përmes zgjedhjeve, e jo përmes kërcënimeve, bojkotit apo dorëheqjeve nga mandatet, e kurrësesi përmes përdorimit të çfarëdo forme të dhunës.

Në Shqipëri kjo krizë artificiale politike e inicijuar nga dy parti të opozitës nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e reformës në drejtësi, e cila është themelore për zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë dhe për procesin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën europiane të Shqipërisë”.

Shiko dhe këto

“Ballkani i Hapur”, SHBA: Kosova t’i qaset me mendje të hapur integrimit rajonal ekonomik

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar …