Shtëpia / Aktualitet / Humbja e 100 pasaportave, MPJ: Pati shkelje në transport, të hetohen përgjegjësit

Humbja e 100 pasaportave, MPJ: Pati shkelje në transport, të hetohen përgjegjësit

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme tha se 100 pasaporta shqiptare u grabitën në Greqi në makinën e Konsullit shqiptar në Janinë, Pervin Gjikuria, më 13 shkurt te këtij viti.

Sipas Ministrisë shqiptare pasaportat ishin prodhuar nga Kompania “Aleat” në Shqipëri dhe pas një bllokimi nga autoritetet greke në Kakavijë po transportoheshin nga Konsulli shqiptar në Janinë drejt Ambasadës shqiptare në Athinë.

Ministria e Jashtme shqiptare pranoi shkeljet në transportimin e pasaportave, jo në përputhje me praktikat e rregullta të transportimit të pakove diplomatike dhe urdhëroi të gjitha procedurat hetimore dhe administrative, sipas saj “ për të ndëshkuar në mënyrë rigoroze, sipas shkallës së shkeljes, përgjegjësit për këto praktika që shkojnë në kundërshtim me rregullat dhe ligjet në fuqi”.

Sipas autoriteteve shqiptare, Ministria e Brendshme shqiptare, në bashkëpunim me kompaninë ‘Aleat”, kanë marrë masat për nxjerrjen jashtë përdorimit dhe shpalljen e pavlefshme të këtyre pasaportave, si dhe angazhimin për të përshpejtuar procedurat e riprodhimit dhe zëvendësimin e tyre.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme tha se ka udhëzuar të gjitha instancat e nevojshme, që qytetarët e prekur nga dëmi i shkaktuar të ri-aplikojnë pa shpenzime dhe lëshimi i pasaportave të reja të bëhet me urgjencë.

Disa kohë më parë një sasi librash për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi ishte bllokuar në kufi nga pala greke, me pretendimin se kishin përmbajtje nacionaliste. Librat nuk transportoheshin me postë diplomatike dhe shoferët shqiptarë të Ministrisë së Jashtme shqiptare ishin ndaluar nga policia greke. Librat nuk mbërritën tek fëmijët e emigrantëve, ndërsa shoqatat e emigrantëve shqiptarë, me gjithë kërkesat ndaj Ministrisë së Arsimit në Shqipëri për tekste te reja për mësimin e shqipes për fëmijët shqiptare ne Greqi, nuk gjetën përgjigje/VOA

Shiko dhe këto

I jepet lamtumira çiftit shqiptar, djali i tyre qëndron pak metra më tutje në varreza…

Teuta dhe Shpëtim Pasho u përcollën të enjten për në banesën e fundit. Çifti i …