Shtëpia / Sport / Piatek, polaku që po sfidon Messin

Piatek, polaku që po sfidon Messin

Krzysztof Piatek është njeriu i momentit në Itali dhe jo vetëm. Statistikat e bomberit polak në këtë sezon janë aq të frikshme saqë vetëm Lionel Messi ka bërë më mirë se ai.

Në korrik 2018 Genoa bleu një djalosh të ri, Krzysztof Piatek, nga Cracovia polake, për 4 milionë euro. 23-vjeçari kishte shënuar 21 gola në 36 ndeshje kampionati, dukej një investim i mirë, por askush nuk e imagjinonte çfarë do ndodhte në muajt pasues.Në gusht Piatek i shënoi 4 gola Lecce-s në kupë dhe të shumtë ishin ata në Itali që nisën të kthenin sytë nga polaku i panjohur.Interesant, menduan, por kur pastaj Piatek shënoi në secilën nga 7 ndeshjet e para në Serinë A, 9 gola në total, në Itali plasi mania Piatek. Klube nga gjithë Europa nisën ta vëzhgonin, ishte ylli i ri i një kampionati që nuk është më ai madhështori i dekadave të shkuara, por që mbetet ndër më të fortët në botë dhe nuk është e lehtë të shënosh aq shumë.

Në janar do të niste ankandi, e kuptuan të gjithë, por klubet e pasur ndoshta preferojnë t’i bëjnë goditjet e mëdha në verë, ndryshe nga Milani, që kishte urgjencë, pasi Gonzalo Higuain rezultoi një dështim dhe duhej hequr qafe sa më parë.Pas javësh të tëra bisedimesh e ofertash, falë vullnetit të Piatek u krye gjithçka, për 36 milionë euro. Kurioziteti ishte i madh për të parë si do sillej pasuesi i Higuain dhe Piatek jo vetëm që nuk ka zhgënjyer, por tashmë po mahnit Europën.Gol në 4 ndeshjet e para si titullar në Serinë A me kuqezinjtë, si dy Oliver Bierhoff dekada më parë, dy gola për të mposhtur Napolin në kupë, një mesatare impresionuese goli në raport me gjuajtjet në kuadrat.

Akoma më impresionues është fakti se Piatek ka mbërritur në kuotën e 26 golave në 27 ndeshje këtë sezon, me një mesatare prej 0,96 golash për ndeshje. Më mirë se ai në Europë? Vetëm një zotëri me emrin Lionel Messi: 30 gola në 31 ndeshje, mesatarja 0,97 gola për ndeshje!Në Itali Cristiano Ronaldo është mbreti për momentin, me 19 gola në Serinë A dhe 21 gola në 33 ndeshje në të gjitha kompeticionet, por Piatek është vetëm një gol pas tij në kampionat dhe është më vendimtar se portugezi, jo vetëm për faktin se ka shënuar vetëm 2 herë me penallti, kundrejt 5 të Ronaldos, por edhe sepse shënon gola më “të rëndë”. Ronaldo ka shënuar 9 herë golin e parë të ndeshjes për Juventusin, ndërsa Piatek plot 13 herë, i vetmi futbollist në Serinë A që e kalon Ronaldon në këtë drejtim. Ato 35 milionë eurot e shpenzuara në janar nga Milani tashmë duken si qindarka!

Shiko dhe këto

Interi bën goditjen e parë në merkato, trajneri Conte duket i kënaqur

Ashraf Hakimi është lojtari më i ri i Interit. Marokeni sot zbriti në Milano për …