Shtëpia / Politika / Gjergj Bojaxhi deputet?! Por e kaluara e tij “e errët” e përndjek kudo

Gjergj Bojaxhi deputet?! Por e kaluara e tij “e errët” e përndjek kudo

Opozita shqiptare e përfaqësuar nga PD, LSI dhe disa aleatë të tjerë prej të enjtes së shkuar nuk gëzon më benefitet parlamentare, pasi deputetët kanë dorëzuar mandatet e tyre dhe janë “qytetarë të lirë”.

Vendimi i opozitës, i aplikuar për t’i hapur rrugë një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme rrezikon sipas analistëve ta fusë vendin në skenarë të rrezikshëm, pasi minoranca do të mbetet e papërfaqësuar në Kuvend.

Gjithashtu, kryeministri Edi Rama nuk e çon nëpër mend gjetjen e një zgjidhjeve sipas kushteve të paracaktuara nga PD dhe LSI.

Por, në media është përfolur për krijimin e një opozite të re në Parlament. Teksa, krerët e opozitës kanë deklaruar se as personat që renditen në listat e partive të tyre poshtë deputetëve që dogjën mandatet, nuk do të pranojnë të hyjnë në Parlament,  sipas ligjit në fuqi radha shkon tek partitë më të vogla.

Pjesë e këtij grupimi është edhe partia “Sfida për Shqipërinë”, ish-kryetari i së cilës ka pranuar publikisht se nuk do të refuzonte një mandat “qyl” në Parlament.

Gjergj Bojaxhi tha dy ditë më parë në emisionin ‘Top Talk’, se do të pranonte me kënaqësi të bëhej pjesë e Parlamentit me argumentin se kështu do të godiste të keqen.

“Çdo podium që ne mund ta përdorim për t’u dëgjuar më shumë nga qytetarët shqiptarë, për të denoncuar më shumë korrupsionin, nepotizmin dhe çdo gjë që shkon keq në këtë vend, unë mendoj – nuk dua të flas në emër të Sfidës sepse nuk jam kryetar i saj, – që një parti si Sfida duhet ta përqafojë këtë mundësi për të denoncuar dhe diskredituar gjithçka shkon keq”, tha Bojaxhiu.

Por, pretendimet e ish-liderit të “Sfidës” për të zëvendësuar “Lulin dhe Monikën që janë e keqja e Parlamentit” sipas tij, duken disi qesharake, në kushtet kur i gjithë publiku është njohur me skandalet e Gjergj Bojaxhiut.

Ish-kreu i KESH kërkon të futet në Parlament si një “shenjtor”, por në fakt e kaluara e tij e errët nuk ia mundëson këtë gjë. Kjo, pasi Bojaxhiu që na shfaqet në ekrane herë si analist, herë si ambientalist dhe qan hallet e shqiptarëve të thjeshtë, në të vërtetë është një biznesmen i fuqishëm, që gjendet nën hetim nga Prokuroria për pastrim parash.

Koncesioni nën hetim mpleks Gjergj Bojaxhi

Emri i Gjergj Bojaxhiut rezulton i lidhur me koncensionin e shumëdiskutuar të parkingjeve në Vlorë, të cilin e ka fituar kompania “TIS Park shpk”, një kompani që e ka origjinën në parajsa fiskale.

Ky koncension u fitua  nga kjo kompani e dyshimtë në Prill 2015, në ditët e fundit të mandatit të Shpëtim Gjikës. Pasi u mbyll gara, “TIS Park” aplikoi në disa banka për të siguruar kredi dhe të ardhura, por asnjëherë nuk ju morr si garanci për kredinë koncesioni, ndaj në ndihmë i erdhi i “purifikuari” Gjergj Bojaxhi, i cili më 26 Prill 2016 i kërkonte bankës që të kryente transferimin e 225 mijë dollarëve nga llogaria e tij, drejt “TIS Park”.

Bojaxhi i ka dhënë administratorit të “TIS Park”, Bashkim Shalla rreth 225 mijë dollarë. Ish-kreu i “Sfidës” e ka paditur në gjykatë Shkallën, duke  pretenduar se paratë nuk i janë rikthyer ndërsa në padinë e tij, kërkon dhe interesat mbi borxhin.

Pikërisht këtu lindin sërish dyshimet për pasurinë e Gjergj Bojaxhi. Teksa ka propoganduar në media kundër oligarkëve dhe klientëve të pushtetit, në fakt ai rezulton të jetë i lidhur me një koncesion, që është kthyer në shqetësimin më të madh për qytetarët e Vlorës.

“TIS Park” u krijua në vitin 2015 për të menaxhuar parkimet në Vlorë por dhe pse zyrtarisht kjo kompani ka statusin aktive në QKR prej më shumë se 2 muaj nuk e ushtron akivitetin e menaxhimit të parkimeve në qytetin bregdetar, ndërsa ka “privatizuar” 25 rrugë kryesore dhe dytësore. Koncesioni në fjalë gjithashtu i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit me vlerë prej 2.1 miliard lekë.

Përveç shkeljeve të këtij koncesioni, mister mbetet edhe fakti sesi themeluesi i Partisë SFIDA ka arritur të jetë kaq i pasur saqë të japë hua 225 mijë dollarë.

Bojaxhiu, i cili vrapon në këmbë nëpër Tiranë me një çantë shpine dhe rroba të lira nuk është aq i thjeshtë sa duket, pasi na del si fajdexhi në një pazar milionësh mbi shpatullat e qytetarëve në Vlorë, ndërkohë që në Tiranë denoncoi parkimet nëntokësore.

“I varfër” por akuzohet për pastrim parash

Por skandalet për Gjergj Bojaxhiun nuk mbyllen me kaq, pasi ai ka fshehur edhe pasurinë. Në të njëjtën kohë që akuzonte klasën politike si të të korruptuar dhe të paaftë, drejtuesi indirekt i partisë “SFIDA” rezultonte një “monark” i vërtetë.

Në bilancin zyrtar financiar që partia “SFIDA” ka dorëzuar në KQZ, rezulton se shpenzimet vjetore për 2016-ën janë krejt modeste, duke mos i kaluar 4 mijë dollarët.

Por nga ana tjetër, të dhënat e paraqitura zyrtarisht nga SFIDA, bëjnë një kontrast të fortë me të dhënat dhe shifrat që dalin nga një tjetër bilanc financiar.

Nëse shqyrton të dhënat financiare të kompanisë “Everest OIL”, ku zoti Bojaxhi ka shërbyer si administrator, ndërsa disa familjarë të tij janë aksionerë, del se shifrat nuk janë aspak modeste.

Vetëm për vitin 2014, totali i të ardhurave nga shitja e kësaj kompanie arrinte 180 miliardë lekë ose 160 milionë dollarë. Për vitin 2015 totali i të ardhurave nga shitjet arriti në 6.9 miliardë lekë, afro 65 milionë dollarë.

Ky kontrast mes të ardhurave të kompanisë së zotit Bojaxhi dhe shpenzimeve modeste të SFIDA-s, do të mjaftonte që Bojaxhi të sqaronte njëherë se cila është pasuria e tij, e krijuar në sistemin politik, për të cilin ai thotë se do të godasë kur të hyjë në Parlament.

Ndër të tjera, ish-kreu i KESH ka qenë nën hetim edhe për një skemë të pastrimit të parave nëpërmjet kompanisë së tij.

Hetimet e Prokurorisë asokohe u përqendruan ndaj “Petrolifera”, e cila kontrollohet nga kompania “Everest Oil”, në pronësi të familarëve të Gjergj Bojaxhi.

Historia nis me periudhën kur Bojaxhi negocionte në emër të qeverisë shqiptare një marrëveshje me kompanitë e huaja të naftës. Më pas nga negociator i qeverisë “Berisha”, Bojaxhi del bashkëpunëtor dhe aksioner në biznesin e tregtim të karburanteve, ndërsa akuzohej se kishte transferuar miliona euro në zonat offshore.

“Po ashtu në llogari janë depozituar cash nga Gjergj Bojaxhi gjate viteve 2012-2015 26,083,621 USD (ku përshkruhet se kryesisht janë tërheqje nga llogari në banka të tjera). Ndërsa rreth 100 milion USD janë atellite hyrëse nga llogari të tjera të shoqërisë Everes Oil. Debitimet e llogarisë janë kryesisht për pagesa për kompaninë Sllovake, Eni Slovenija, d.o.o., me të cilën ka lidhur kontrata çdo vit për blerje produkte të naftës. Për këtë kompani janë transferuar fondet prej afro 170,740,000 USD”,  thuhej asokohe në një raport të policisë.

Të gjitha skandalet e mësipërme tregojnë se Gjergj Bojaxhi nuk është “Messia” që ka zbritur në këtë vend për të shpëtuar shqiptarët nga klasa politike aktuale, ashtu siç ai është kujdesur që ta shesë imazhin e tij.

Bojaxhiu nuk duket të jetë as denoncuesi i sistemit, që pretendon se është, pasi pasuria e tij dhe familjarëve të tij tregon për një “oligark” të implikuar në biznesin e naftës në vend dhe një përfitues të tenderave publikë.

Gjithashtu është e pakuptimtë sesi Gjergj Bojaxhi është i gatshëm të pranojë një mandat deputeti, kur në zgjedhje “SFIDA” e tij që do “shembte” sistemin e korruptuar ku ai bën pjesë mori vetëm 2434 mijë vota, përafërsisht sa Partia Komuniste e Shqipërisë.

Shiko dhe këto

Erjon Braçe reagon për kopertinën e Ditës: Ka beteja qe nuk bëhen me telefon, por bëhen me zë dhe publikisht

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë Erjon Braçe ka reaguar në lidhje me kopertinën e sotme të Ditës …