Shtëpia / Politika / Nuk e ka dorëzuar ende mandatin, Rudina Hajdari thyen heshtjen!

Nuk e ka dorëzuar ende mandatin, Rudina Hajdari thyen heshtjen!

Deputetja e Partisë Demokratike Rudina Hajdari ka komentuar vendimin e saj për të mos dorëzuar ende mandatin e deputetes, pavarësisht nga djegia e tij në masë nga thuajse e gjithë opozita.

Kur kanë kaluar 3 ditë nga ky vendim i opozitës, Hajdari nuk jep një qëndrim të qartë. Deputetja e PD-së shprehet se do ta bëjë publik shumë shpejt vendimin e saj, pasi është konsultuar me personalitete politike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një postim në “facebook”, ajo deklaron se mandatin e saj nuk e konsideron si një mjet dhe duket se kërkon akma kohë për të vlerësuar një vendim final të saj.

Postimi i plotë

“Është e natyrshme që historia ime familjare ndikon sa në sjelljen time politike aq edhe në perceptimin publik të saj.

Kushtetuta e Shqipërisë e ka përcaktuar “heqjen dorë nga mandati” të deputetit si vendim individual, pavarësisht kësaj unë nuk e ndiej vetën aspak të shkëputur nga grupi parlamentar i PD dhe nga misioni i saj.

Për shkak të karakterit dhe formimit tim, “vendimet” i kam vlerësuar gjithnjë fort duke i’u kushtuar kohën, analizën dhe vëmendjen e duhur dhe ky rast është një ndër më të rëndësishmit.

Për këtë, gjatë kësaj periudhe jam konsultuar me personalitete politike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të aleatëve më të çmuar, seriozë e të vendosur në rrugën e vështirë të kombit tonë, që nga shpallja e pavarësisë, rrëzimi i regjimit komunist e më tej në proceset transformuese të zhvillimit ekonomiko-social dhe të integrimit euro-atlantik.

Mandatin e deputetit nuk e kam konceptuar kurrë si “një mjet të interesit vetjak i cili nuk duhet dorëzuar kurrsesi”.

Nuk ka kaluar kohë shumë e gjatë nga 8 dhjetori 2018 kur shpreha gatishmërinë time të sinqertë për të lënë mandatin e deputetit e për t’u bashkuar me studentët për kauzat e kombit, “për ndërtimin e një sistemi të vërtetë demokratik në Shqipëri”, por ky propozim ishte në një kontekst komplet të ndryshëm nga ai që është tani. Bëhej fjalë për sakrificë politike individuale për t’iu ardhë në ndihmë studentëve në kauzën e tyre dhe jo për vendim kolektiv i cili pritet të ketë rrisqe.

Ju lutem të më mirëkuptoni se nuk kam mundur të shprehem për këtë çështje prej mbrëmjes të së premtes që jam kthyer për shkak të disa problemeve shëndetësore. Qëndrimin tim do t’a bëj publik shumë shpejt.

E kam shumë të qartë misionin tim si person politik por edhe si qytetare, do të jem gjithmonë e rreshtuar përkrah me demokratët, të rinjtë, studentët dhe qytetarët Shqiptarë në interesin kombëtare për një Shqipëri demokratike dhe Evropiane”.

Gazeta Shqip

Shiko dhe këto

“Ballkani i Hapur”, SHBA: Kosova t’i qaset me mendje të hapur integrimit rajonal ekonomik

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar …