Shtëpia / Politika / 7 eurodeputetë në Tiranë, kryesuesi i delegacionit: Stop bojkotit, urgjent dialog!

7 eurodeputetë në Tiranë, kryesuesi i delegacionit: Stop bojkotit, urgjent dialog!

Një delegacion me deputetë të Parlamentit Europian do të vizitojë Tiranën dhe Shkupin për të parë nga afër zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja.

Mësohet se një delegacion i këtij komisioni i përbërë nga 7 deputetë, i kryesuar nga z. Tunne Kelam do të takohet me udhëheqësin politik, përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërinë civile në të dy vendet nga 27 shkurti deri më 1 mars.

Gjatë kësaj vizite do të adresohen çështjet e theksuara në rezolutat e PE mbi Ballkanin Perëndimor të miratuara në nëntor 2018, së bashku me zhvillimet aktuale në Shqipëri dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës në Maqedoninë e Veriut.

Por para kësaj vizite ka folur eurodeputeti i PPE Tunne Kelam që është dhe kryesuesi. “2019 është një vit i rëndësishëm që do të formësojë të ardhmen afatgjatë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne e mirëpresim progresin e bërë deri më tani dhe i nxisim fort të gjitha forcat politike që të punojnë së bashku për të zbatuar reformat e nevojshme pa vonesë. Nuk ka kohë për të humbur përpara takimit të Këshillit Europian në qershor në Bruksel, ku do të merren vendime për gatishmërinë e këtyre vendeve për të hapur negociatat e pranimit”, ka deklaruar Kelam.

Duke komentuar mbi djegien e mandateve të opozitës dorëheqjen e fundit dhe protestat në Shqipëri, ai shtoi: “Ne dënojmë me forcë të gjithë retorikën politike që nxit dhunën dhe i bëjmë thirrje opozitës që të përfshihet sërish në procesin demokratik parlamentar. Qeveria dhe opozita duhet urgjentisht ta qetësojnë situatën përmes angazhimit konstruktiv”.
Si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia e Veriut shpresojnë t’iu hapet drita jeshile nga BE për hapjen e negociatave të pranimit në BE në qershor 2019.

Delegacioni i PE përbëhet nga 7 eurodeputetë.

Tunne Kelam (Kryesues)
Cristian Preda
Knut Fleckenstein
Juan Fernando Lopez Aguilar
Bas Belder
Ilhan Kyuchyuk
Tamás Meszerics

Delegacioni do të organizojë dy konferenca shtypi, një në Tiranë më 28 shkurt dhe një tjetër në Shkup më 1 mars.

Shiko dhe këto

Ambasadorja e SHBA i kërkon Bashës që Berisha të mos jetë në parlament në shtator: PD nuk mund të hajë bar për hir të një deputeti

Ambasadorja amerikane në Tiranë ka folur për mediat pas takimit që zhvilloi me kreun e …