Shtëpia / Ekonomia / A janë pagat e larta në Shqipëri?

A janë pagat e larta në Shqipëri?

Produktiviteti i punës në Shqipëri llogaritet sa një e treta e mesatares së rajonit dhe një e pesta e vendeve më të zhvilluara të BE. Produktiviteti i punës mat sasinë e të mirave dhe shërbimeve të prodhuara për një orë pune. Produktiviteti i matur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila ka matur produktivitetin në Shqipëri, e mat atë si raport të shitësve ndaj punonjësve në ekonomi.

Produktiviteti i punës është faktor kryesor në përcaktimin e pagave në treg. Sa më i lartë produktiviteti, aq më të larta janë edhe pagat në një treg të lirë. Në Shqipëri pagat janë të ulëta, por, ato janë reflektim i produktivitetit të ulët. Pavarësisht dëshirës sonë për paga më të larta, nuk mund të arrijmë këtë gjë nëse produktiviteti i punës nuk rritet. Mënyrat e rritjes së produktivitetit janë të shumta, kryesisht faktorë kryesorë janë investimet në teknologji dhe kapitalin human. Në Shqipëri mungesa e produktivitetit të punës rekuperohet përmes orëve të tejzgjatura të punës, ndaj dhe jemi vendi me më shumë orë pune në vit në krahasim me rajonin.

Sa është niveli i produktivitetit dhe si ka ndryshuar ai?

Produktiviteti i punës në Shqipëri është më i ulët se 10000 euro në vit, krahasuar me 30000 euro në Ballkan dhe 50000 euro në 11 vendet më të zhvilluara të Evropës. Bosnje dhe Hercegovina ka produktivitetin më të lartë në rajon, madje edhe Kosova renditet e parafundit në listë dhe ka produktivitet 50% më të lartë se Shqipëria.

Ndryshimi i produktivitetit të punës në Shqipëri (në %)

Produktiviteti i Punës në Shqipëri u përmirësua me 0.07% në qershor 2018, krahasuar me një rënie prej 1.18% në tremujorin e mëparshëm. Të dhënat e rritjes së Produktivitetit të Punës në Shqipëri që  nga marsi 2010 deri në qershor 2018 tregojnë se produktiviteti ndryshon me mesatarisht në -0.83%.
Rritja e ulët e produktivitetit vjen si pasojë e mungesës së inovacionit dhe aftësive.

Në krahasim me rajonin Shqipëria ka produktivitetin e punës më të ulët. Rritja e produktivitetit të punës në Maqedoni në Prill 2018 ka qenë 0.913%, në Malin e Zi ka qenë 1.537% dhe në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 2017 ka qenë 1.122%. Rritja në këto vende ka qenë përgjithësisht pozitive, ndryshe nga trendi i produktivitetit të punës në Shqipëri, rritja e të cilit vetëm në Prill 2018 ka qenë pozitiv, 0.073%.

Niveli i pagave dhe produktiviteti

Nëse nuk do të merrnim parasysh ndryshimin e çmimeve, rritja e produktivitetit të punës do të përkthehej direkt në rritje të pagave. Por, e anasjellta nuk është e vërtetë. Pra, rritja e pagave jo domosdoshmërisht rrit produktivitetin.

Niveli i pagave llogaritur sipas Paritetit të Fuqisë Blerëse rezulton më i lartë në Mal të Zi dhe Bosnje Hercegovinë mes gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria renditet e fundit dhe është larg këtyre vendeve dhe ka nivelin e pagës më të ulët mes gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Paga mesatare bruto në Shqipëri është rreth 320$ ose sa 25% e pagës mesatare në Austri. Të ardhurat mesatare në Mal të Zi është rreth 830$, në Bosnje dhe Hercegovinë 815$, në Serbi 697$, në Kosovë rreth 614$ dhe 671$ në Maqedoni. Në Shqipëri të ardhurat mesatare janë 554$.

A do të ndikonte në rritjen ekonomike rritja e pagave? Rritja e pagave çon në rritje të konsumit dhe si pasojë edhe të prodhimit të përgjithshëm, çka do të çonte në rritje ekonomike. Por, në një vend si Shqipëria, ku produktiviteti është mjaft i ulët, më i ulëti në rajon, rritja e pagave do të ishte vetëm një rritje artificiale, e cila nuk do të sillte gjë tjetër veç rritjen e barrës së bizneseve dhe përkeqësimin e klimës së të bërit biznes, duke pasur parasysh dhe barrën e lartë fiskale me të cilën biznesi sot përballet.

Në vend të një rritjeje “agresive” dhe të detyruar të pagës, është më e nevojshme që të nxiten bizneset që të investojnë në implementimin e teknologjisë së re dhe në trajnimin e punonjësve.

Kjo gjë do të sjellë detyrimisht rritjen e produktivitetit të punës. kjo rritje do të përkthehej në prodhim më të madh dhe me kosto më të ulët, çka përkthehet në çmime më konkurruese në treg dhe rritje të eksporteve dhe shitjeve brenda vendit. Rritja e shitjeve rrit të ardhurat për firmat dhe normalisht fitimet e tyre. Rritja e të ardhurave rrit investimet e firmave në kërkime, teknologji të reja dhe trajnime për rritjen e aftësive të punonjësve. Kjo gjë do të bëjë që produktiviteti të vazhdojë të rritet. Kjo rritje do të përkthehet në rritje të pagave të punonjësve, rritje të kërkesës së përgjithshme të ekonomisë, rritje të investimeve, pra, rritje të ekonomisë në tërësi.

Kështu, rezultatet pozitive në ekonomi është më mirë që t’ia lemë tregut në dorë. Rritja e pagave është një pasojë dhe derivat i tregut të lirë. Nuk mund të sjellim ndryshim të pasojave në ekonomi, por mund të ndikojmë tek shkaqet e këtyre pasojave, pra, rritjen e investimeve në teknologji të re dhe më të mirë dhe trajnimin e punonjësve.

Orët e punës dhe produktiviteti

Rënia e rendimentit në Shqipëri kompensohet me orët e punës vjetore. Këtë e tregojnë qartë statistikat ku Shqipëria renditet e para në rajon. Sipas INSTAT, që i referohet vitit 2017, në Shqipëri punohet mesatarisht 2,173 orë në vit, ose rreth 42 orë pune në javë. Ndërsa mesatarja e vendeve të zhvilluara të OECD është 1764 orë. Në krahasim me mesataren, të punësuarit me pagë në Shqipëri punojnë rreth 409 orë më shumë.

Vendet me numrin e orëve mesatare më të ulët se mesatarja e OECD janë ato të Evropës Perëndimore, si Holanda me 1435 orë pune në vit, Franca me 1472 orë në vit, Zvicra me 1589 orë. Edhe në krahasim me rajonin, ne punojmë më gjatë. Në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare, orët e punës vjetore janë më pak se 1900.

Por, në top renditjen qëndron edhe përsa i përket ditëve totale të pushimeve. Shqipëria numëron rreth 34 ditë, numri më i lartë në rajon. Më pas renditet Mali i Zi me 32 ditë pushimi të paguara, Bosnja me 31, Serbia me 31, dhe Kosova me 29.

Në Europë, në krye të klasifikimit si vend me më shumë ditë pushimi të paguara është Malta me 40 ditë, e ndjekur nga Austria, Danimarka, Franca dhe Spanja me 36 ditë pushimi.

Edhe pse po punojmë më shumë krahasuar me gjithë rajonin, produktiviteti i punës është më i ulëti. Kjo tregon një mungesë efikasiteti, teknologji e prapambetur krahasuar edhe me rajonin dhe punonjës të pakualifikuar.

Është më mirë të fokusohemi në rritjen e produktivitetit të punës dhe jo në rritjen e orëve të punës. Nëse investojmë në përmirësimin e teknologjisë dhe trajnimin e punonjësve do të mund të prodhonim të njëjtën sasi me më pak orë pune. Gjithashtu, edhe ditët e pushimit duhet të jenë në raport me produktivitetin e punës. Për shembull, Franca e cila është një nga shtetet me ditë pushimi më të larta në Evropë, 36 ditë, dhe me lejet më të larta me raport mjekësor (17 ditë për punonjësit privatë dhe 26 ditë për punonjësit e administratës publike) ka ndërmarrë një ligj që punonjësit që janë të sëmurë, sipas diagnozës së mjekut, të mund të punojnë nga shtëpia. Ekzistojnë shumë metoda për të rritur produktivitetin. Kjo është një prej tyre.

Atlasi.al

Shiko dhe këto

Ligji i ri/ Sigurimi i automjeteve dhe aksidentet, tarifat e ndryshme: Ja sa bëhen!

Qeveria ka gati projektligjin të ri për sigurimet, i cili shtrëngon edhe më shumë mjetet …