Shtëpia / Politika / Patozi: Re të zeza për Shqipërinë, të evitojmë përshkallëzimin e situatës

Patozi: Re të zeza për Shqipërinë, të evitojmë përshkallëzimin e situatës

Astrit Patozi shpreson se situata e krijuar në Shqipëri mund të zgjidhet me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. I ftuar në studion e lajmeve të “Ora News”, Patozi tha se parashikon re të zeza për Shqipërinë, nëse nuk do të ketë ndërhyrje të faktorit ndërkombëtar.

“Shqipëria është një precedent botëror për keq, unë do të dëshiroja që ne ta evitonim eskalimin e situatës. Unë nuk besoj në asnjë rast se ne mund të shërbejmë si shembull pozitiv. Tani që zaret janë hedhur mendoj që e vetmja shpresë është ndihma e partnerëve ndërkombëtarë që mund të shërbejnë si zjarrfikës për të shuar zjarrin.

Unë besoj që çështja e integrimit kalon në plan të dytë. Ne duhet të evitojmë përshkallëzimin e situatës, që me shumë gjasa mund të ndodhë sepse bijtë e shqipes i kanë nxjerrë shpatat nga milli dhe në rast se nuk do të ketë një ndërhyrje energjike të partnerëve ndërkombëtare për t’i gjetur një zgjidhje, e cila edhe mund të vonojë, por që nuk është e pamundur, unë parashikoj re të zeza për Shqipërinë.

Unë pres veprimin dhe aksionin e tyre që mbase mund ta frenojë rënien e karrocës tonë që sot është pa frena”, theksoi ai.

Djegien e mandateve Patozi nuk e shikon si zgjidhje të problemit, por thotë se problemi është sistemi politik, i ndërtuar nga Rama dhe Basha. Patozi nuk beson në një marrëveshje Rama-Basha, por thotë se zgjidhja është një kontrata sociale e shqiptarëve.

“Unë mendoj se kjo është një krizë e sistemit. Pra sistemi ynë politik ka degraduar, ka dhënë shenja, ka kërcitur, është plagosur, por unë besoj që është drejt një vdekje klinike. Nuk është ora sot për të gjetur përgjegjësit. Unë besoj që kjo është një krizë e thellë e sistemit tonë, e cila nuk zgjidhet dot as me qeverinë tranzitore që kërkon Basha dhe as me atë që ‘karvani shkon përpara’ që thotë Rama. Unë besoj se të dy janë përgjegjës për këtë pikë ku ka mbërritur sistemi jonë politik dhe besoj se e vetmja zgjidhje është një marrëveshje e madhe, jo vetëm mes partive, por një kontratë sociale e shqiptarëve për një kushtetutë të re dhe për një sistem politik të ri, të rindërtuar”, deklaroi ai.

Shiko dhe këto

FOTO: “Ia derdh plumbin në gojë nëse Berisha tradhëton Amerikën…” Disa detaje nga historia e Berishës, Hajdarit dhe Kadaresë në SHBA në 1991

  Robert Papa ishte gazetar i njohur afër PD në vitet ’90. Në një rrëfim …