Shtëpia / Politika / Pse po tremben italianët nga “trazirat” në Shqipëri?!

Pse po tremben italianët nga “trazirat” në Shqipëri?!

Vëmendja e mediave ndërkombëtare për krizën politike aktuale në Shqipëri, duket e pazakontë në javët e fundit. Një situatë që të sjell në kujtesë vitin e mbrapshtë 1997, ku vendi u përfshi nga trazira dhe përplasja civile pas mbylljes së kompanive rentiere të fajdeve. Por ajo që bie më shumë në sy, është interesimi i pazakontë i mediave italiane.

Thuajse të gjitha kanalet televizive të “RAI”-t dhe “Mediaset”-it, gazetat prestigjioze “Corriere della Sera”, “La Repubblica”, “Il Messaggero”, dhe deri tek “L’Osservatore Romano” e “Il Fatto Quotidiano”, janë mbushur me kronika, lajme, video, foto, intervista e komente për protestën e opozitës më 16 shkurt.

Të gjithë në radhë: nga Rama te Basha, nga Berisha tek Kryemadhi, deri dhe opinionistë e analistë, janë pyetur se çfarë po ndodh në Shqipëri. Nëse kryeministri i ka mëshuar faktit se pushteti i vjetër kërkon t’i shmanget drejtësisë, opozita këmbëngul gjatë intervistave, se Edi Rama duhet të largohet për shkak të lidhjeve direkte me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Aty pasqyrohet gjendja aktuale në Shqipëri pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të opozitës më 21 shkurt dhe për atë se çfarë pritet të sjellë kjo situatë. Po pse gjithë ky interesim apo kjo frikë e italianëve për Shqipërinë?

Nuk është hera e parë që mediat përtej Adriatikut i japin kaq shumë vëmendje dhe hapësira zhvillimeve në Shqipëri. E kanë treguar këtë sensibilitet të veçantë edhe gjatë zhvillimeve të fillim viteve ’90 kur ra regjimi komunist, por sidomos në ngjarjet e vitit 1997.

Dihet që qindra biznesmenë italianë kanë ndërmarrjet e tyre në Shqipëri dhe frika për një kaos të mundshëm në vend, mund t’i detyrojë të bëjnë valixhet gati.

Një tjetër aspekt janë edhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, ato që kanë shtuar një situatë paniku në vend fqinj.

Përveç informacioneve nga rrugët mediatike, shtypi italian mund të jenë ushqyer edhe nga kanale “të tjera”, ndoshta nga anëtarë të opozitës.

Në fakt, një ditë para protestës së opozitës tek Kryeministria, në 16 gusht, Edi Paloka është fotografuar në ambientet e hotel “Rogner” teksa bisedonte me një zonjë, e cila është zv.ambasadore e ambasadës italiane në Shqipëri. Një takimi informal dhe me siguri sensibilizues i deputetit demokrat, i cili ashtu si shumë kolegë të tjerë është në kontakte të vazhdueshme me faktorin ndërkombëtar për shkak të ngjarjeve të fundit.

Ndërkohë që nga ana tjetër, ambasadori italian Alberto Cutillo, u mjaftua vetëm me një deklaratë zyrtare, ku bënte apel kundër dhunës pikërisht para protestës së 16 shkurtit.

Megjithatë, vëmendja e shtuar e medias italiane “të shqetëson”, sepse njëlloj si në 1997-ën, po i “fryn” edhe më shumë zjarrit politik në kuadër të një situate që ata po e përjetojnë më shumë se shqiptarët…

Mos ndoshta klishetë e vjetra dhe mentaliteti për Shqipërinë nuk ka ndryshuar as pas më shumë se 20 vjetësh…?

Gazeta Shqip

Shiko dhe këto

Abuzimi me tenderat/ GJKKO merr vendim për Fatos Tushen, lë në burg për ish-kryebashkiakun

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) ka lënë fuqi masën e sigurisë “arrest …