Shtëpia / Sport / Strakosha i pakalueshëm ndaj Romës, Lazio “pushton” kryeqytetin

Strakosha i pakalueshëm ndaj Romës, Lazio “pushton” kryeqytetin

Derbi i Romës është bardhëkaltër, me Lazion që pas katër sfidave u rikthye të mposhtë rivalët e përjetshëm të kryeqytetit 3-0. E bëri falë Caiceos, Imobiles dhe Cataldit, por dhe falë Strakoshës, që me pritjet e tij u tregua i jashtëzakonshëm, duke ruajtur në momentet më të vështira fitoren për të tijtë.

Një sukses i merituar që ndez dhe luftën për zonën Champions, me Lazion që një moment të vështirë në kampionat mundi ta përmbyste në derbi. Një sfidë e emocioneve të mëdha ajo e “Olimpicos”, si zakonisht, ku episodet kanë peshën e tyre, si ai i minutës së 12-të, kur Caicedo u dha epërsinë të tijve pas një lëvizje shumë të bukur.

Goli i pësuar karikoi Romën dhe Dzekon, por Strakosha ishte kundër dhe në minutën e 24-t bëri një pritje të madhe për një derbi të madh, duke ruajtur epërsinë e të bardhekaltërve. Në momentet më të mira të Romës, ishte gjithmonë gati “gardiani” kuqezi, që në pjesën e dytë i mohoi festën e golit dhe Florenzit. Nga pritja e Strakoshës te dyfishimi i Lazios, që fitoi një 11-metërsh me Correan, të cilin e shndërroi në gol i zakonshmi Ciro Immobile.

Mbrëmja e “Olimpicos” ishte e kaltër e thellë, pasi Lazio nuk u mjaftua me kaq dhe Cataldi shënoi dhe të tretin, duke çuar në qiellin e shtatë tifozët bardhëkaltër.

Në fund konflikti i zakonshëm i derbit, që nuk mund të mbyllej pa një të kuq, që e mori Kolarov, i cili i skuqi dhe më tepër fytyrën Romës në këtë derbi, që u fitua me meritë nga Lazio.

Shiko dhe këto

Interi bën goditjen e parë në merkato, trajneri Conte duket i kënaqur

Ashraf Hakimi është lojtari më i ri i Interit. Marokeni sot zbriti në Milano për …