Shtëpia / Rajoni / A do largohet baza amerikane nga Kosova? Veseli kundër Haradinajt

A do largohet baza amerikane nga Kosova? Veseli kundër Haradinajt

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar se të gjitha qeveritë mund të bien kur janë në pyetje raportet me Shtetet e Bashkuara dhe prezencën amerikane në Kosovë.

I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat e disa përfaqësuesve institucional se zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar mbylljen e kampit ushtarak amerikan “Bondstill”, Veseli tha se “gjitha qeveritë mund të bien por jo edhe të largohet amerikanët nga Kosova”.

“Gjitha qeveritë ecin para se të ecin amerikanët nga Kosova” tha Veseli gjatë një vizite në Mitrovicë.

Veseli udhëheqë Partinë Demokratike të Kosovës që është pjesë e koalicionit qeverisës i cili ka mospajtime lidhur me taksën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës, heqjen e të cilës po e kërkojnë tash e sa kohë Shtetet e Bashkuara.

Veseli ka propozuar kohë më parë që taksa të pezullohet për një periudhë 120 ditore, mirëpo kjo po kundërshtohet nga kryeministri Ramush Haradinaj i cili vjen nga partneri tjetër i koalicionit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Haradinaj ka thënë sot në Gjilan se taksa e vendosur do të mbetet derisa të ketë njohje nga ana e Serbisë për Kosovën në kufijtë ekzistues.

“Taksa nuk duhet të shërbejë si kushtëzim dhe se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë brenda kufijve ekzistues është zgjidhja e të gjitha problemeve”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po i bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës të shfuqizojnë ose pezullojnë taksën ndaj mallrave serbe në mënyrë që t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas Brukselit dhe Uashingtonit duhet të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dyja vendeve.

Shiko dhe këto

E ardhmja e Kombit/ Rudina Hajdari: Pas numërimit, thashë stop! Më flihej gjumë

Deputetja Rudina Hajdari ka folur për zgjedhjet e 25 prillit duke zbuluar veprimin e parë …