Shtëpia / Politika / “Edi Rama berishizoi PS-në”, analisti parashikon ‘fatin’ e zgjedhjeve

“Edi Rama berishizoi PS-në”, analisti parashikon ‘fatin’ e zgjedhjeve

Shqipëria zyrtarisht gjendet në një krizë të thellë politike, të cilës nuk i dihet zgjidhja, në një kohë që opozita vijon me bindje të shohi protestat si alternativë demokracie, ndërsa qeveria nuk lëshon pe përballë presionit të rivalëve të saj.

Për të parashikuar se si do të vijojë situata politike deri në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, analisti Andi Bushati thotë se është e vështirë të vësh bast, por jo e pamunduar pasi sipas tij PS do të hyjë e vetme në këtë proces.

“Sot konflikti është midis një njeriu që po ndërton një shtet personal dhe qytetarëve të tij. Është shpejt të vësh bast, unë them se do bëhen zgjedhjet vendore por në to do hyjë vetëm PS. Sa reforma zgjedhore janë bërë në këtë vend në këto 30 vjet? Por sa herë lexojmë rekomandimet e OSBE-ODIHR thuhet se duhet një reformë e re, e vërteta është që nuk ka kod që ndalon vullnetin për të vjedhur, për të blerë. Nëse këto ekzistojnë nuk ka ligj që i ndalon”, u shpreh Bushati.

Sipas tij, shqiptarët nuk e kanë sot një alternativë, si dikur që për t’i ikur Berishës votonin për Nanon, pasi Edi Rama është kujdesur ta berishizojë PS.

“Po flasim për parti që ka harruar të respektojë votën brenda vetes. Sot shqiptarët kanë ngelur pa zgjedhe se Partia Socialiste e ka humbur aftësinë të jetë plurale. PS sot është berishizuar përmes Edi Ramës”, tha ai.

Në rubrikën “Opinion” të News 24, Bushati tha se opozita nuk mund ta largojë Ramën as me dy javë dhe as me dy muaj, ndaj gabon kur i fton qytetarët në protestën e radhës dhe thotë që qeveria aty do marrë fund.

“Nëse ka një gjë që më duket e pa sinqertë tek PD dhe LSI është se ju thonë mbështetësve hajdeni më 16 mars se Rama mori fund. Jo, ky është një proces i gjatë, kjo tërheqje e opozitës nuk zgjidhet as me dy javë, as me dy muaj. Është një ftesë e madhe për shqiptarët se drejt çfarë modeli politik dhe shoqëror do shkojmë”, thekson Bushati.

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …