Shtëpia / Sociale / Kryebashkiaku Veliaj pret Presidentin slloven Pahor

Kryebashkiaku Veliaj pret Presidentin slloven Pahor

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në një takim Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, me të cilin bisedoi mbi marrëdhëniet mes dy vendeve, forcimin e bashkëpunimit mes Tiranës dhe qyteteve sllovene, si dhe organizimin e samitit të nivelit të lartë të Brdo-Brijunit që do mbahet në maj në Tiranë, ku të pranishëm do jenë krerët e shteteve të rajonit, si dhe drejtuesit e lartë të BE-së.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi presidentin Pahor për vizitën dhe theksoi se krahas bashkëpunimit mes shteteve, i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi mes qyteteve, si ofruesit e parë të shërbimeve për qytetarët. “Jam i lumtur që jeni në Tiranë. Është e mrekullueshme të kesh shtete që punojnë së bashku, kombe që punojnë së bashku, por mendoj se në kohët moderne është gjithashtu e rëndësishme që qytetet të punojnë së bashku, sepse besoj që njerëzit spikasin në jetën publike nëpër qytete, spikasin në Ljubljanë, spikasin në Tiranë”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Në shenjë mirënjohje dhe miqësisë që ekzistojnë mes dy shteteve tona, Veliaj i dhuroi presidentit Pahor “Çelësin e Tiranës”, si simbolikë se është gjithmonë i mirëpritur në Shqipëri. “Në emër të qytetarëve të Tiranës, dëshiroj t’ju dhuroj “Çelësin e Tiranës”. Ne kemi një histori për këtë: Kur të afërmit që na vinin për vizitë, largoheshin nga shtëpia jonë, u jepnim një kopje të çelësit të shtëpisë. Pyetja është pse? Sepse ishte e vetmja gjë që kishim. Ideja ishte që kur një kushëri, i afërm, ose mik të vinte në qytet, të kishtë nje vend ku të mund të vinte kurdo. Ky është çelësi juaj i Tiranës, tani ju e dini rrugën dhe ju lutem ejani kurdo, pa qenë nevoja të lajmëroni”, u shpreh Veliaj.

Presidenti Pahor shprehu mirënjohjen për vlerësimin e bërë nga Bashkia e Tiranës dhe theksoi se Samiti i Brno-Brijunit do jetë një mundësi shumë e mirë prezantimin e vlerave evropiane të Shqipërisë. “Shumë faleminderit zoti Kryebashkiak! Ishte kënaqësi të bisedonim së bashku dhe shoh mundësinë të takohemi edhe njëherë tjetër në pak muaj. Tirana do të mirëpresë Samitin e Brno – Brijunit, krerët e shteteve do jenë këtu, të ftuar nderi, përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, ndaj do të jetë një moment emocionues për Ballkanin Perëndimor. Unë shpresoj se do jetë i mirëorganizuar dhe procesi politik do jetë në rrugë të mbarë”, tha presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.

Objektivi kryesor i procesit Brdo-Brijunit është mbledhja e të gjithë presidentëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe Sllovenia dhe Kroacia, për të forcuar dialogun politik, për të rritur nivelet e besimit dhe për të promovuar zgjidhjen e çështjeve dypalëshe dhe rajonale të pazgjidhura.

Gazeta Shqip

Shiko dhe këto

Debati për fidanishten e UBT, Rama si Veliaj: Shkolla “Nënë Tereza” do bëhet!

Kryeministri Edi Rama i ka shprehur mbështetjen kreut të Bashkisë Erjon Veliaj për ndërtimin e …