Shtëpia / Rajoni / Maqedonia e Veriut/ Shqiptarët bashkohen për të fituar Kryetarin e Shtetit!

Maqedonia e Veriut/ Shqiptarët bashkohen për të fituar Kryetarin e Shtetit!

Maqedonia e Veriut do të votojë për Presidentin më 21 prill dhe për të parën herë partitë shqiptare, përveç BDI-së së Ali Ahmetit janë bashkuar në një emër, me qëllim fitimin e Kryetarit të Shtetit.

Kandidati i pavarur për president do të jetë Blerim Reka, i cili zyrtarizmi kandidaturën në një dalje për mediat ku kishte përkrah kryetarin e ASH-së, Ziadin Sela dhe kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

“Më 21 prill do të fitojmë së bashku për një republikë euroatlantike dhe sundim të ligjit që e bën një shtet me plotëkuptim të fjalës. 11 vite patëm një shtet të kapur dhe e kemi 10 vite një shtet privat të kapur nga një president individ. Kjo do të përfundojë më 21 prill, që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e NATO-s. Për në BE na duhet edhe shumë punë dhe së bashku do t’ia arrijmë këtij qëllimi”, theksoi Reka.

Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela tha se ndjehen të privilegjuar që përkrahin një kandidaturë si kjo e profesorit të nderuar Blerim Reka, i cili promovon konceptin e republikës që nënkupton reformë rrënjësore.

“Ne besojmë që përmes kandidaturës së profesorit do të arrijmë së bashku të korrim fitore, sepse është koncept i drejtë dhe rrugëtim i drejt politik dhe besojmë që shumica absolute e qytetarëve beson në një të ardhme më të mirë”, theksoi Sela duke i bërë thirrje për përkrahje edhe partive tjera sepse kandidatura e Rekës ka simbolikën më të përkryer të përfaqësimit.

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami përgëzoi profesor Rekën për pranimin e kandidaturës.

“Ne e përgëzuam kandidaturën e profesorit si një hap i parë për një shtet të departizuar, si një kandidaturë serioze e pavarur. Besoj se edhe subjektet e tjera do të dalin dhe të përkrahin këtë kandidaturë që askush nuk mund ta kontestojë. Me përkrahjen e kandidaturës së profesorit Reka, tregojmë se ne duam një president që do të jetë i barabartë për të gjithë pa dallime, si qytetarë të këtij vendi”, theksoi Kasami.

Kandidati Reka tha se fushata e tij do të jetë ndryshe nga fushatat e deritanishme tradicionale.

“Nuk dua të nxjerr shumë detaje, atëherë kur fillon fushata do t’i nxjerrim sloganet dhe detajet e tjera”, theksoi ai.

I pyetur se ku do të shkojnë votat e tij në raundin e dytë nëse nuk e kalon të parin, Reka theksoi se “ne nuk kemi dal për të tregtuar votat”. “Ne nuk imponojmë se kujt, kush ia jep votën në raundin e dytë. Vota është e shenjtë dhe ne do ta respektojmë deri në fund”.

Shiko dhe këto

E ardhmja e Kombit/ Rudina Hajdari: Pas numërimit, thashë stop! Më flihej gjumë

Deputetja Rudina Hajdari ka folur për zgjedhjet e 25 prillit duke zbuluar veprimin e parë …