Shtëpia / Politika / Rama për “La Repubblica”: Qeveria e fortë, opozita pa shanse të fitojë zgjedhjet

Rama për “La Repubblica”: Qeveria e fortë, opozita pa shanse të fitojë zgjedhjet

Kryeministri Edi Rama duket se ka “pushtuar” mediat italiane. Pas intervistës në “Rai Uno”, kreu i qeverisë ka dhënë një tjetër intervistë, këtë herë për prestigjiozen “La Repubblica. Rama ka folur për protestat e opozitës.

Rama është shprehur mjaft i sigurt dhe i qetë për mbështetjen që ka nga populli, duke theksuar se qeveria është e fortë.

Z.kryeministër, opozita ka akuzuar qeverinë tuaj për korrupsion dhe paaftësi. Por cili është qëllimi i protestuesve?

Shqipëria është në procesin e modernizimit, ka ende probleme me korrupsionin. Për ta luftuar atë, nevojiten institucione solide, një sistem gjyqësor i besueshëm dhe shërbime të qëndrueshme. Qeveria ka nisur një ofensivë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo që dëshiron opozita është e vështirë të shpjegohet. Opozita nuk ka shanse të fitojë në zgjedhjet lokale në qershor: lidershipi do të donte të shmangte përgjegjësinë për humbjen.

Shkurtimisht, a ekziston një krizë institucionale në horizont?

Ne fituam zgjedhjet me një shumicë absolute, pasi u treguam të hapur ndaj opozitës duke i dhënë asaj përgjegjësinë e disa ministrive për periudhën e zgjedhjeve, përfshirë edhe drejtimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pavarësisht maxhorancës që kishim. Marrëveshja ishte që në fund fituesit do të qeverisnin dhe humbësit do të shkonin në opozitë pa e bërë Shqipërinë subjekt të propagandës së brendshme politike në median ndërkombëtare. Në vend të kësaj, protestat filluan menjëherë, por qeveria është e fortë, sondazhet e kanë konfirmuar këtë .

A besoni se ka edhe një referencë për reformën në drejtësi në irritimin  e Partisë Demokratike?

Procesi i reformimit të sistemit tonë gjyqësor është konsideruar si një model për të gjithë rajonin. Ne kemi trashëguar një sistem të dobët, tani jemi duke verifikuar integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe pothuajse 60 prej tyre janë larguar nga detyra .

Por, pse ky irritim duhet të luajë një rol në protesta?

Protestat e këtyre ditëve nuk janë reagim i njerëzve, por sulme të lidhura me një grup pushtetarësh të dëbuar prej më shumë se pesë vjet më parë.

Si i gjykoni zërat që flasin për një rol të vendeve të tjera në protesta?

Ne nuk kemi fakte konkrete, por shumë të dhëna: Televizioni rus ka transmetuar drejtpërsëdrejti protestat, por nuk ka asgjë për t’u befasuar. Moska ndjek interesat e saj dhe Shqipëria brenda Bashkimit Europian nuk ndodhet në mesin e tyre .

Në Tiranë thuhet se ju jeni me fat, që përballeni me një opozitë të skualifikuar, e cila ka kërcënuar fizikisht ju dhe ministrin e Brendshëm … Çfarë mendoni?

Në mënyrë cinike, dikush mund të thoshte po. Por, shumicat e forta që nuk nxiten nga opozita në fushën e ideve, rrezikojnë të vetëpengohen. Rreziku është që të transformohesh nga një qeveri në një grup pushtetarësh.

Gazeta Shqip

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …