Shtëpia / Politika / “Le të vriten… veç Edi Rama të mos fitojë mbështetje! Po nëse ky e bën për të qenë i përkëdheluri i Perëndimit, atëherë përse bën të njëjtën gjë Albin Kurti?”

“Le të vriten… veç Edi Rama të mos fitojë mbështetje! Po nëse ky e bën për të qenë i përkëdheluri i Perëndimit, atëherë përse bën të njëjtën gjë Albin Kurti?”

 

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

 

Afgani i parë që kam njohur ishte një kozmonaut. Gjatë kohës së pushtimit të Afganistanit nga sovjetikët, luftë të cilën e fituan me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ai kishte fluturuar në hapësirë, në kozmos, së bashku me një kolegun e tij rus, dhe, papritmas, ishte kthyer në një simbol të vendit të tij. Kaq u kishte mjaftuar talibanëve të ardhur në pushtet që ta shpallnin tradhtar dhe të kërkonin kokën e tij.

I arratisur në Gjermani, ndoshta nën një emër tjetër, ne u takuam në një shtypshkronjë moderne, ArBeg, në një qytezë të vogël, Wernau, në afërsi të Shtutgartit. Kisha pak kohë që isha në shtetin gjerman, sapo kisha marrë të drejtën e qëndrimit të përhershëm dhe, si shenjë integrimi, më dërguan për disa muaj në këtë shtypshkronjë.

Aty takova Muhamedinin. Ndoshta ky nuk ishte emri i tij i vërtetë. Nganjëherë, rrallë, më tregonte për tmerrin e ditëve të para të sundimit taliban. Do i gjeja këto tmerre në Kosovë, gjatë pushtimit serb.
Më është kujtuar këto ditë i njohuri i vjetër afgan. Talibanët janë përsëri zotër të Afganistanit. Askush nuk e beson se pas 20 viteve ata janë bërë më paqësorë dhe të arsyeshëm. Ndoshta më agresivë. Më hakmarrës, ndaj edhe po synohet largimi i gjithë atyre që nesër do të quhen kolaboratorë.

Disa prej tyre do të vijnë në Shqipëri. Ndoshta 2 mijë, ndoshta më pak. Skenat e largimit të afganëve nga vendi i tyre janë ngjethëse dhe largimi i tyre do të jetë gjithnjë e më i vështirë. Shumë nuk do të munden. Do të mbeten në mëshirën e talibanëve, që zakonisht nuk e njohin mëshirën. Shembujt e këtyre ditëve dëshmojnë se asgjë nuk ka ndryshuar. Shkurt, do të vriten. Të tjerë, më pak “ kolaboratorë”, do të jenë në burgime të egra, të gjata dhe mizore.

Shqipëria dhe Kosova, përmes dy shefave qeveritarë, Rama dhe Kurti, janë ndër të parët që hapën dyert e vendeve të tyre për të marrë përsipër aq sa munden, në një aksion që do të jetë i vështirë, i zgjatur në disa vite dhe i vështirë. Si duket, i pritur. Shqipëria miratoi në fundin e legjislaturës së fundit një ligj pritës, kryeministri Kurti deklaroi se Kosova ka një muaj që përgatitet për pritjen e tyre. Si duket, bisedimet kanë qenë të hershme dhe vendimi i ditur. Tani është shpallur.

Ka shumë gjëra për të diskutuar në vendimet qeveritare. Por, fakti që kishin mbështetje edhe nga pozita, dëshmon se diskutimet nuk kanë qenë vetëm me qeveritarët, por edhe me liderët e opozitës dhe kjo ka qenë rruga e vetme. Shumë pyetje janë shtruar, të tjera do të bëhen, përplasjet do të lindin, si ndodh zakonisht, afganët do të jenë mollë sherri në parlamentin e ardhshëm, por vendimi është i ditur dhe nuk do të mund të kthehet pas.

Analistë pranë opozitës, kundërshtarë të Ramës për çdo gjë, edhe kur bën punë të mira, kanë drojën se ardhja e afganëve do të forcojë mbështetjen e Perëndimit ndaj qeverisjes Rama dhe ndaj këtij të fundit. Sytë do të mbyllen ndaj autokratit Rama, kanë shkruar medialët opozitarë, ndaj, kurrfarë afgani nuk na duhet në Shqipëri. Për to, një afgan i vrarë është më mirë se rritje e pushtetit të Ramës dhe të mbështetjes ndaj tij. Perëndimi, sidomos Shtetet e Bashkuara do të mbyllin sytë ndaj çdo shkelje njerëzore që do të bëhet në këtë vend, ndaj korrupsionit dhe harbutërisë.

Të njëjtët medialë, përgjithësisht mbështetës të Albin Kurtit, nuk e kanë merakun se mos në Kosovë ndodh e njëjta gjë. Halli i tyre nuk është as ardhja e afganëve, as pritja e tyre, as çfarë do të ndodhë me to nëse nuk arrijnë të largohen nga vendi i tyre, por veç Edi Rama. Gogoli Rama sillet si fantazmë në çdo veprim që shohin.

Edi Rama, jo veç për meritë të tij është në një fazë kur ndërlidhjet me Shtetet e Bashkuara janë të rritura , por jo të pakontrolluara. E njëjta gjë ndodh edhe me vendet e Bashkimit Evropian. Aktualisht, në klasën politike shqiptare ai është lideri i vetëm , e theksoj, jo vetëm nga puna e tij, ku është gjetur mbështetje. Por, jo i pakontrollueshëm. Ardhja e afganëve do të shtojë mjaft në figurën e tij, por nuk mund ta tjetërsojë atë.

Nëse Rama e bën gjithë këtë për të qenë i përkëdheluri i Perëndimit, atëherë përse e bën këtë Albin Kurti, që pak ditë më parë rrëzoi përmes parlamentit një marrëveshje me pararendësin e presidentit aktual amerikan? A nuk do të mund të bëhet edhe ai, si Rama në Shqipëri, autokrat, i papërmbajtur dhe i përkëdhelur perëndimor?

Mëria ndaj Ramës nuk ka të bëjë me çështjen afgane. As me qëndrimin ndaj tij. Janë dy gjëra që nuk monitorohen nga i njëjti institucion e as nuk vlerësohet me të njëjtin kut. Edhe Berisha kishte përkrahjen amerikane kur pranoi ardhjen e opozitarëve iranianë, por, në fund, kur kupa u mbush, u bë presidenti dhe kryeministri i parë i padëshirueshëm për Shtetet e Bashkuara. Me një përcaktim rrënues, si minues i demokracisë.

Afganët mund të rrinë disa vite në Shqipëri. Askush nuk e di datën e saktë të largimit të tyre. Por, një ditë do të ikin. Asnjëri prej tyre nuk do të dëshirojë të rrijë në një vend , për të cilin ndoshta as që kanë dëgjuar.
Por, fati i tyre nuk lidhet me Edi Ramën. As autokracia e tij nuk lidhet me afganët. Ata duan të jetojnë. Menduan se po i shërbejnë vendit të tyre, se do të mund të kenë një jetë ndryshe nga ajo që kishin dhe nga ajo që i pret në vendin e lindjes.

Do të vijnë dhe një ditë, do të ikin. Ndoshta atëherë Edi Rama nuk do të jetë më shefi i qeverisë shqiptare.
Ama, nëse opozita vazhdon mbështetet tek këto mënyra, me siguri që do të jetë opozitë edhe në përcjelljen e tyre.

 

 

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …