Shtëpia / Politika / SHËNIM: A kemi ne këllqe për afganët? Drama e tyre, detyrimet tona dhe “zgjidhjet” përherë të cekëta, të përkohshme dhe rrethanore

SHËNIM: A kemi ne këllqe për afganët? Drama e tyre, detyrimet tona dhe “zgjidhjet” përherë të cekëta, të përkohshme dhe rrethanore

Edona Llukaçaj

Botuar në DITA

Ka pak ditë që opinioni publik shqiptar hoqi dorë nga diskutimi i ftesës për të kënduar në Korçë Goran Bregoviç-it dhe u fokusua tek përgjigja e menjëhershme pozitive e qeverisë shqiptare për të pritur disa qindra afganë përkohësisht.

Diskutimi nëse duhej apo mund të (mos)pranonim kërkesën e ShBA është krejt pavend. Jo vetëm se tragjedia që po ndodh dhe po projektohet në Afganistan është e padrejtë dhe e dhimbshme. Por për të gjitha arsyet e tjera, që nga fakti se prej kujt vjen kërkesa tek anëtarësia jonë në NATO, që nga aspiratat kombëtare tek historia jonë me arratisje e eksode, që nga tradita e mikpritjes e deri tek borxhi që i kemi mikpritësve tonë a të bashkëkombësve tanë. Mbi të gjitha, se e kërkon stina politike në botë dhe se pak rëndësi ka nga fryn era politike në vend, ardhja e afganëve nuk mund të jetë çështje debati.

Ajo që me të drejtë krijon pikëpyetje e pakënaqësi në jo pak është se vendi jonë është i papërgatitur për tu përballë me ardhjen e tyre, krahasimisht sado i kufizuar numri, ashtu si jemi të papërgatitur për çdo eventualitet të çdo lloji. Kjo zakonisht e çon elitën tonë politike në gjetjen a ‘shpikjen’ e zgjidhjeve të pakmenduara, afatshkurtra dhe me kosto, që lënë shumë për të dëshiruar.

Për shembull, ndonëse tërmeti i nëntorit të para dy viteve u parapri nga një më i vogël dhe me më pak dëmtime, prapë lëkundjet na gjetën të papërgatitur. Mungonin ekipet e trajnuara dhe mjetet e nevojshme për të shpëtuar ata nën rrënoja. Ata që mbetën pa strehë i sistemuam provizorisht e po i sistemojmë përfundimisht falë humanitarizmit të shqiptarëve – kryesisht të organizuar dhe monitoruar nga dy fondacione –  dhe donacioneve të ndërkombëtarëve.

Po kështu, kur mbyllja prej pandemisë ishte bërë e padurueshme dhe meqë, përtej paketave të ndihmës qeveritare, ekonomia po vuante apo se ndonjë hapje spektakolare po shtyhej, u lançua dhe u vu në zbatim ideja e vaksinimit të një pjese të konsiderueshme të popullsisë – kryesisht të moshuarit vulnerabël- me vaksinën kineze. Ekspertiza ime është e munguar dhe unë uroj fort që mbrojtja e ofruar nga sinovac të jetë katërcipërore, por agjencitë përkatëse perëndimore nuk e kanë certifikuar ende.

Prej kufizimit të lëvizjes apo ndonjë arsyeje tjetër më jetike, ajo pjesë e popullsisë e vaksinuar me sinovac në vendin që na e ofroi edhe ne me bollëk e çmim konkurues, po rivaksonohet me një tjetër alternativë.

Kur zjarret, të qëllimshme a jo, përfshinë Shqipërinë, para ndërhyrjes efektive i lamë të rriteshin e të bëheshin bubulak, teksa do gjehej se kush ishte përgjegjës për shuarjen apo në pritje të ndonjë bamirësie, si ishin helikopterët çekë, pasi pajisjet tona ishin fort larg sofistikimit adekuat.

Edhe për akomodimin e afganëve të gjorë në pritje të ëndrrës amerikane zgjidhjen e kishim prodhim rrethanor. U boshatisen konviktet e Qytetit Studenti brenda natës. Por, nga tetori, po u hapën universitetet, afganët do i vendosim në hotele verimi. Për ata që ndodh e nuk i pranohet kërkesa për azil në tokën e premtuar apo ata që përgjigja u vonohet nuk ka transparencë. Me sa duket, me kismet, do prodhohet ndonjë zgjidhje rastësore – ‘fët e fët’-, derisa ndonjë vend perëndimor apo ndonjë grupim humanitar do i zgjasë dorën ‘afganëve të Shqipërisë’.

Teksa të ikurit e parë të fatit të hidhur janë tek porta, në fakt, pak çka është e qartë. Por përtej ndryshimeve kulturore, besoj se, mysafirët afganë nuk do kenë fort vështirësi të perceptojnë çorganizimin tonë sistematik.

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …