Shtëpia / Politika / Brenda një kohe të shkurtër u dogj, u plaçit dhe u tjetërsua gjithçka. Tre gabimet që rrënuan bujqësinë shqiptare, si mund të rimëkëmbet

Brenda një kohe të shkurtër u dogj, u plaçit dhe u tjetërsua gjithçka. Tre gabimet që rrënuan bujqësinë shqiptare, si mund të rimëkëmbet

Në vëmendje të Kryeministrit të Shqipërisë

 

Nga Shkëlqim AGOLLI*

 

Për 43 vjet kam punuar pothuaj në të gjitha nivelet e bujqësisë: në ish-Ndërmarje Bujqësore Shtetërore, në ish-kooperative bujqësore, në ish Komisionin e Planit të Shtetit, në vitet 1970-1992 dhe, më pas në vitet 1992-2012, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, në Projektet e USAID-it për bujqësinë dhe në fund në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ku dhe dola në pension. Mendoj se kam njohjen dhe përevojën e mjaftueshme, si dhe të drejtën morale, për të shprehur opinionin tim lidhur me problematikat, gjëndjen aktuale dhe mënyrën e zgjidhjes për zhvillimin e një bujqësise të qëndrueshme e moderne. Për ta mbyllur këtë prezantim, dua të theksoj se nuk kam qënë asnjëhrë anëtar i ndonjë Partie Politike, por nuk i kam fshehur bindjet e mia të majta dhe që votoj Partinë Socialiste.

Shkëlqim Agolli

Duke iu siguruar për qëllimin e mirë që kam, me shpresën se sugjerimet e mia do të mund t’ju vlejnë në punen Tuaj, iu lutem më mirëkuptoni për mënyrën e hapur e të sinqertë, si dhe frymën kritike të të shprehurit. Është një mendim i përgjithshëm i shkencëtareve, ekspertëve dhe specialistëve të bujqësisë, sigurisht edhe imi, se ashtu si shumica e paraardhësve edhe Ju nuk e njihni gjëndjen e reale, të  rëndë dhe të pashpresë ku është zhytur bujqësia, dega më e rëndësishme e ekonomisë kombëtare dhe pothuajse dega e vetme prodhuese në vend. Për këtë shkak, ashtu si edhe ata, nuk i keni shpëtuar propagandës për “sukseset e arritura” në bujqësi. Pamundësia për njohjen e gjëndjes së vërtetë në bujqësi, vjen nga shkrirja e Shërbimit Statistikor në Ministrinë e Bujqësisë qysh nga viti 2005. Ju siguroj se as Ministria e Bujqësisë, për rrjedhojë as Ju e askush tjetër, nuk kanë informacione të sakta. A është e mundur që, pa informacion statistikor të saktë, të bëhen analiza për gjëndjen dhe problematikat, të hartohen ligje e të merren vendimet e duhura? Kjo eshte e pamundur. Për këtë iu siguroj unë që për 15 vjet, kam drejtuar Shërbimin Statistikor dhe Informacionit të bujqësisë shqiptare.

Po cilat janë tre shkaqet, që e rrënuan bujqësinë dhe fshatin në Shqipëri?

Së  pari: Është fragmentarizimi i tejskajshëm dhe absurd i tokës arë, pasojë direkte e zbatimit të keq, të nxituar dhe të papergjegjshëm të Ligjit 7501 “Për privatizimin e tokës bujqësore”.

Së dyti: Është shkatërrimi në themel i gjithë infrastrukturës dhe bazës materialo-teknike ekzistuese të bujqësisë, si dhe injorimi i investimeve themelore, për këtë degë jetike të ekonomisë kombëtare.

Së treti: Niveli i ulët e i papërfillshëm i mbështetjes nga Shteti për bujqësinë dhe fshatin.

Këto tre probleme përbëjnë një “Nyje Gordiane” të vetme, që kanë krijuar një ngërc dhe që e ka zhytur bujqësinë në një rreth vicioz, ku për 30 vjet vazhdon të vuaj një tranzicion sfilitës, të tej zgjatur dhe të pashpresë. Pa zgjidhur këtë “nyje”, çdo masë e ndërmarrë në bujqësi ka qënë, është dhe do të jetë pa asnjë efektivitet. Bujqësia dhe fshati, nuk do të mund të plotësojnë kurrë kushtet për një zhvillim të qëndrueshëm dhe modern.

Zoti Kryeministër, përgjegjësia për këtë gjëndje të rëndë, është tek mungesa e vëmendjes ndaj bujqësisë dhe fshatit, nga të gjitha Qeveritë e ardhura në pushtet në këto 30 vjet. Të gjitha Partitë Politike dhe Qeveritë e tyre, përfshirë edhe PS-në, në programet e tyre elektorale dhe qeverisëse, kanë shpallur me bujë se zhvillimi i bujqësisë do të jetë prioritet. Në fakt, bujqësia nuk ka qënë asnjëherë prioritet, nuk është as sot e tillë. Nuk do ndalem në përgjegjësinë dhe gabimet e bëra, nga viti 1992 në vitin 2013, se do të duheshin volume të tëra, pasi politikat dhe drejtimi i gabuar i vendit në atë periudhë, kanë qenë zanafilla e problematikave që vuan bujqësia sot. Por nuk mund të hesht dhe mos theksoj mungesën e vëmëndjes dhe qëndrimin indiferent e te cuditshem të PS-së, Qeverisë dhe Tuajën personalisht, që nuk bëtë dhe nuk po bën asgjë për korregjimin dhe futjen në rrugën e zgjidhjes të tre problemeve kyc të bujqësisë. Ky qëndrim është zhgënjyes për gjysmën e popullsisë së vendit që jeton në fshat, për pritshmëritë ndaj PS-së dhe në vecanti ndaj Jush. Po argumentoj, në mënyrën më të përmbledhur të mundëshme, të tre problemet e lartpërmendura.

  1. Fragmentarizimi i tej skajshëm i tokës, pasojë e zbatimit të keq e të nxituar të Ligjit 7501 “Për privatizimin e tokës bujqësore” dhe kooperimi si domosdoshmëri absolute.

Shqipëria ka sipërfaqen më të vogël të tokës bujqësore për frymë të popullsisë në Evropë. Madhësia mesatare e tokës bujqësore, që ka përfituar cdo familje në fshat, është vetëm 1.2 ha. Kjo nuk kishte zgjidhje tjetër. Gabimi fatal u bë gjatë zbatimit të Ligjit, ku secilës familje iu dha një “copëz” toke nën ujë, një tjetër mbi ujë, tjetra në koder dhe një tjetër pranë banesës. Pra, toka bujqësore e përfituar prej secilës familje, është e shpërndarë mesatarisht në më shumë se ne 4 “copëza” toke, larg njera tjetrës, duke krijuar 3.5 milionë copëza toke në shkallë vendi. Blloqet e sistemuara të tokës bujqësore, në zonën fushore bregdetare dhe të ulët, që përbëjnë praktikisht bazën prodhuese të bujqësisë tonë, u ndanë në rripa-rripa 10-15 m të gjera e 100-200 m të gjata. Në këto kushte është absolutisht e pamundur të zbatohen edhe teknlogjitë minimale të kultivimit të kulturave bujqësore.

  1. Kryeministër, mos konsiderimi dhe injorimi i kooperimit në bujqësi, prej një kohe kaq të gjatë, është gabimi më i rendë, nga të gjitha qeveritë të ardhura në pushtet në këto 30 vjet, përfshirë edhe qeverinë Tuaj. Aktualisht, një ekonomi bujqësore familjare merret me gjithçka: Mbjell pak grurë, pak perime, pak patate, pak fasule, pak misër e forazhe, për të ushqyer 1 apo 2 lopë, ka disa pula, ka disa rrënjë ullinj, pemë frutore e hardhi. Të gjitha këto kërkojnë punë të përditeshme dhe shumë djersë. Po kështu bujkut i duhet të merret vetë me: blerjen e imputeve si farëra, fidana, plehëra dhe preparate kimike për mbrojtje të bimëve dhe bagëtive, etj., merret me transportin dhe nxjerrjen në tregjet e shitjes, me kaçile dhe bidona kokakole, të tepricave të pakta të mbetura nga vetëushqyerja e tij,. Kjo mënyrë e të punuarit dhe të marrurit me gjithka, është primitivizëm klasik, periudhë të cilën vendet e përparuara evropiane, e kanë kaluar nga mesi i shekullit IXX-te. A është e mundur të vazhdohet të punohet në këtë mënyrë individuale nga ekonomitë bujqësore familjare të vendit? Jo, është e pamundur.

Detyra e vetme e bujkut, duhet të fillojë e të mbarojë me prodhimin e produkteve bujqësore e blegtorale, punë të cilën e njeh dhe e bën mire. Me të gjitha punët e tjera pas prodhimit, duhet të merren struktura të tjera. Realizimi i kësaj ndarjeje të punëve në bujqësi, sic ka treguar përvoja e vendeve të zhvilluara të Evropës e më tej, mund të arrihet vetëm nëpërmjet kooperimit. Kjo bën të domosdoshme që, ekonomitë bujqësore familjare, të organizohen në Kooperativa Bujqësore të Bashkëpunimit.

Është humbur kohë e gjatë, prandaj mendoj që në këtë mandat të tretë qeverises, duhet të filloni punën sa më parë, për përgatitjen e kuadrit ligjor e nënligjor, shumica e të cilave ekzistojnë në sirtarët e Ministrisë së Bujqësisë dhe të Këshillit të Ministrave. Duhet të kuptoni Zoti Kryeministër, nevojën e domosdoshme të ndërtimit të MODELIT të NJEËSISË të SISTEMIT BUJQESOR, si qeliza bazë e prodhimit dmth Kooperativa Bujqësore e Bashkëpunimit. Mund të fillohet me organizimin e 2-3 kooperativa pilot, në zonën e ulët dh atë fushore bregdetare dhe, gradualisht të shtrihet nga Shkodra në Sarandë. Keto kooperativa mund të përfshijnë një ose disa fshatra, me jo më pak se 1000 ha tokë bujqësore. Nuk ka alternativë tjetër.

Shpesh dëgjohen zëra se fshatarët paskan alergji nga fjala kooperativë dhe se nuk duan t’ia dëgjojnë as emrin. Kanë të drejtë, sepse atyre nuk ia ka shpjeguar askush se çfarë janë kooperativat bujqësore të tregut të lirë në kapitalizëm, që ato nuk kanë asgjë të përbashkët me ish kooperativat bujqësore socialiste. Kooperimi kapitalist në bujqësi, nuk është kolektivizim, familja fshatare punon në tokat e saj dhe shpërblehet për prodhimin e saj të dorëzuar në kooperativë në mënyrë individuale. Kooperativa nëpërmjet kontratës, që lidh me ekonominë bujqësore familiar, përcakton që në mbjellje llojn dhe cilësinë e prodhimit, duke i siguruar asaj farërat, plehërat e preparatet kimike të mbrjtjes së bimëve e kafshëve. Pas dorëzimit të prodhimit, kooperativa bën manipulimin, standardizimin dhe tregtimin e tij, po sipas kontratave të lidhura më parë me të konsumatoret. Ky është thelbi i kooperimit në bujqësi. Cila familje fshatare nuk do të ishte dakord me këtë organizim të ri të bujqësisë? Kam bindjen se një gjë e tillë do të ishte e pëlqyer dhe e pranuar nga të gjithë.

Kooperativat Bujqësore të Bashkëpunimit janë ekonomi me cikël të mbyllur. Kjo presupozon ndërtimin e një infrastrukture komplekse: një park te makinerive bujqësore, parkun e mjeteve të transportit, magazinat frigoriferike e të zakonshme, deri edhe linja të përpunimit të produkteve bujqësore. Ato krijojnë një administratë të lehtë të drejtuar nga një bord vendimmarrës dhe një kryetar, te cilet i zgjedh asambleja e anëtarëve të kooperativës. Administrata përbëhet nga specialistë të fushës, sipas drejtimit të prodhimit, agronomë, zooteknikë, veterinerë, ekonomistë të financës dhe të menaxhimit, juristë, merceologë për marketingun dhe tregtimin, etj.

Në fillim të viteve 2000, u bënë perpjekje nga disa projekte të huaja, ku do të veçoja një grup ekspertësh japonezë të kooperimit. Bujqësia e atij vendi është tepër e ngjalshme me bujqësinë tonë, sepse edhe në Japoni, madhësinë e ekonomive bujqësore familjare është 1.4 ha. Pas një pune disa mujore ata dorëzuan një raport të hollësishëm, i cili u miratua në Ministrinë e Bujqësisë dhe iu dërgua Këshillit të Ministrave, ku vazdon të “flerë” qysh prej 10 vjetësh në sirtare zyrash. Madje u organizuan rreth 70 kooperativa të tilla, të cilat u prishën brenda vitit. Arsya e këtij dështimi ishte padyshim, mungesa e çuditshme e interesimit të Shtetit, në vecanti mungesa e mbështetjes minimale, si treguesi që do të bënte diferencën midis ekonomive bujqësore familjare, me kooperativat e reja.

  1. Injorimi i investimeve themelore, është faktori tjetër me ndikim të drejtpërdrejtë në gjëndjen aktuale të bujqësisë dhe fshatit.

Deri në vitin 1992, për zhvillimin e bujqësisë janë harxhuar disa qindra dhjetra miliardë lekë investime themelore si: për sistemimin e tokës, krijimin e sistemit ujitës e kullues, infrastrukturën e grumbullimit, tregetimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale, për mekanizimin, për prodhimin e imputeve etj., etj., të cilat patën ndikim të madh në rritjen dhe zhvillimin e një bujqësie modern dhe  bashkëohore.

Menjëherë pas ndrimit të sistemit politik, ekonomik e shoqeror të vendit, ndodhi e pabesueshmja, shkatërrimi masiv nga themeli i gjithë bazës materialo-teknike, infrastrukturës dhe institucioneve kërkimore-shkencore të sistemit të bujqësisë. E gjithë kjo marrëzi militantësh partiakë, u nxit nga PD-ja dhe Qeveria e saj që në mandatin e parë, me parullat gati kriminale, të tipit: “Po vjen çeku i bardhë”, apo të shkatërrohet me themel gjithçka që është ndërtuar nga komunistët”. Brenda një kohe të shkurtër u dogj, u plaçkit dhe u tjetërsua gjithçka, që nga veprat madhore moderne si Azotiku i Fierit, Superfosfati i Lacit, Kimikja e Durrësit, Kombinati i Auto-Traktorëve, Stacionet e Makinave dhe Traktorëve dhe ato të transportit, fabrikat dhe linjat industriale të grumbullimit, përpunimit e tregëtimit të produkteve bujqësore e blegtorale, të gjitha objektet social-ekonomike të ish ndërmarrjeve dhe ish kooperativave bujqësore, deri dhe prerjen e masiveve të ullinjve, vreshtave e pemëve frutore. Kjo është gjëndja e bujqësisë edhe sot pas 30 vitesh. Të qeverisur keq, asnjë popull, përfshirë edhe ata të vëndeve të tjera ish socialiste, nuk “pështyu mbi mundin dhe djersen e vet” të derdhur në gjysëm shekulli. E bera kete hyrje të dhimëshme për të treguar se, braktisja masive dhe e pa ndalshme e bujqësisë dhe e fshatit, sidomos nga rinia, lënia djerr e papunuar e dhjetra mijë hektarë tokë bujqësore, ka gjithashtu në themel  gjëndjen e mjeruar ku është katandisur bujqësia dhe fshati ynë.

Zoti Kryeministër, duhet të kuptoni më në fund se, nxjerrja nga gjendja e rëndë e bujqësisë dhe e fshatit në përgjithësi, është e lidhur pazgjidhshmërisht me kooperimin dhe me investimet themelore. Pa zgjidhur paraprakisht këto dy probleme, asgjë nuk do ndryshojë, veçse do humbitet ende shumë kohë dhe fonde. Nuk ka alternative tjeter. Po marr vetem nje shëmbull, se sa pashpresë është përmirësimi i gjëndjes së bujqësise dhe fshatit sot. Në fund të vitit 1990, kishim nën ujë 64% të tokës bujqësore, si në pak vende të botës. sot ujitet më pak se 10% e saj, per shkak të shkatërimit dhe nxjerrjes jashtë funksionit të sistemit ujitës e kullues. Shumicës së mbi 600 rezervuareve të ndërtuar, nga mungesa e shërbimeve, nuk mund ti merret uji nga që kanë të bllokuara portat e shkarkimit, si dhe të mosfunksionimit të rrjetit të kanaleve ujitës, që nga magistralet, ato të nivelit I, II e të III. Çfarë mund të pritet nga bujqësia e këtij vëndi, ku në verën e çdo viti, janë rregullisht 80-110 ditë thatësirë dhe në vjeshtë deri e pranverë, përmbyten mijëra ha tokë bujqësore?

Investimet themelore në bujqësi nuk mund të realizohen nga një, ose disa ekonomi bujqësore familjare, as nga një apo disa fshatra, madje as nga një apo disa rrethe, por vetëm nga Shteti, i cili duhet të marrë në dorë organizimin e këtij procesi të vështirë, global dhe të zgjatur në kohë. Bujqësia Shqiptare nuk janë ato “100 fshatrat”, as ato 300, 400, apo 1000 ekonomitë bujqësore familjare, të cilat plotësojnë kushtet për të aplikuar dhe përfituar nga skemat mbështetëse. Ato përbëjnë më pak se 2-3% të mbi 350 mijë ekonomive bujqësore familjare që ka vendi, të cilat prbëjnë praktikisht të gjithë bujqësinë tonë. Ato, nuk kanë përfituar dhe, as që do mund të përfitojnë asgje, nga zbatimi i këtyre skema të gabuara që ap;ikohen aktualisht. Është e cuditëshme se si nuk kuptohet nga Ju dhe bashkepunëtorët Tuaj, kjo rezervë e jashtëzakonshme e pashfrytëzuar për rritjen e prodhimit bujqësor dhe përmirësimin e situatës aspak të mirë në fshatrat tona.

  1. Niveli i ulët e i papërfillshëm i mbështetjes nga Shteti, problemi kyç për përmirësimin e gjëndjes së bujqësisë dhe fshatit.

Mendoj se sekreti i suksesit për organizimin e kooperimit në bujqësi dhe kryerjen e investimeve themelore, qëndron në faktin se sa Shteti është i impenjuar për gjetjen dhe përdorimin e levave ekonomike, për zbulimin e burimeve financiare për rritjen e mbështetjes së bujqësisë dhe të fshatit. Justifikimi, që përdoret rëndom, për mundësitë e kufizuara të Shtetit, për akordimin e më shumë fondeve, nuk është i saktë. Fondet nuk kanë munguar as në këto 30 vjet. Janë akorduar dhe shpenzuar disa miliarda dollarë nga donacionet dhe projektet e BE-së, USAID-it, FAO-s, nga marrëveshjet bilaterale të shumë shteteve si Italia, Gjermania, Hollanda, Japonia, etj., pa përmëndur huatë dhe kreditë me interesa të ujëta dhe me afate të gjata shlyerje të Bankës Boterore, FMN-së dhe institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare. Me të drejtë shtrohet pyetja: Po cfarë është bërë me këto fonde të konsiderueshme për bujqësinë? Shumë pak për të mos thënë asgjë dhe, sic thotë populli, ato humbën si “urina e pulës”. Ka shëmbuj të shumtë për impaktin dhe efektivitetin tepër të ulët të tyre. Vetëm nga Banka Botërore u dhanë për rehabilitimin e sistemit ujitjës mbi 300 milionë dollarë investime, por uji nuk arriti kurrë në ara dhe sipërfaqia e ujitur nuk u rrit aspak.

Gjithashtu, niveli shumë i ulët i mbështetjes së bujqësisë nga Buxheti i Shtetit, gjatë këtyre 30 vjeteve, tregon për vlerësimin e pamjaftueshëm dhe qëndrimin indiferent të qeverisjeve të ardhura në pushtet. Gjatë kësaj periudhe të gjatë kohore, bujqësisë i janë dhënë çdo vit vetëm 0.5 deri 2% nga Buxheti i Shtetit, nga rreth 22% që është kontributi i saj në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto të vëndit. Një qëndrim i tillë është krejt i padrejtë. Argumenti se, kaq janë mundesitë e “Shtetit tonë të vogël”, është justifikim. Për mendimin tim çështja qëndron në mos vendosjen e raporteve të drejta e të studiuara, midis investimeve prodhuese me investimet joprodhuese. Ky raport është dukshëm në favor të investimeve joprodhuese dhe kjo është e gabuar. Është mirë të kemi 4 aeroporte, nga 1 që kemi patur deri tani, mirë është që të gjitha qytetet të kishin stadiume moderne, apo të kishim më shumë autostrada etj. Ato pa dyshim janë të nevojshme, por mund të bëhen gradualisht dhe të rriten investimet themelore në bujqësi. I njejti opinion është edhe për ato qindra koncesionet dhe PPP-të të dhëna, kryesisht për shërbime dhe, pothuajse asnjë për investime prodhuese. Për këto Shteti paguan çdo vit disa dhjetra milionë euro. A nuk do të ishte më e dobishme dhënia me kocension apo me PPP, rehabilitimi i sistemit të ujitjes e kullimit të disa rajoneve të vëndit?

Menaxhimi racional i fondeve që vijnë nga jashtë vëndit, i fondeve nga Buxheti i Shtetit, si dhe i koncesioneeve dhe PPP-ve, do të ishin një burim i mirë për të rritur mbështetjen financiare për bujqësinë. Nga rreth 20 milionë dollare, në rastin më të mirë, që i jane dhënë bujqësisë në vit nga Buxheti, mund dhe duhet ti jepen jo me pak se 300 milionë dollarë, ose aq sa i jep Shteti fqinj i Maqedonisë së Veriut, madje edhe Kosova. Pra, mundesitë për gjetjen e burimeve për rritjen e mbështetjes së bujqësisë jane, por për fat të keq ka munguar vëmendja dhe vizioni i duhur i Qeverise dhe angazhimi Juaj personal, për ti realizuar ato. Kjo mund të arrihet lehtësisht vetëm nga shtyrja pak vite të ndërtimit të një stadiumi, ose të një aeroporti, apo të 20 km më pak autostrade. Kaq e thjeshtë është zgjidhja e këtij problem. Mos përpiqemi të gjejmë argumente për të kundërtën.

Zoti Kryeministër, si mund të krahasohet një “sakrificë” e tillë për të shtyrë në kohë ndonjë investim jo prodhues, per te rritur mbështetjen financiare për bujqesine, që do të ndikonte ndieshëm në rritjen e prodhimit bujqësor dhe do te përmirësonte nivelin e jetesës në fshat? A e kuptoni këtë politikë të gabuar ekonomike, që ngarkon me përgjegjësi PS-në, Qeverinë dhe Ju personalisht?

Per ta mbyllur ceshtjen e rritjes se nivelit te mbeshtetjes se bujqesise nga Shtetit, dua te nenvizoj lidhjen qe ky problem ka me kooperimin e bujqesise. Efektiviteti i investimeve themelore do te rritej dukshem nese fondet do tu jepeshin kooperativave me perparesi, duke i plotesuar seciles prej tyre 100% nevojat.

Në këtë mënyrë do t’i “dilet borxhit” edhe ekonomive bujqësore familjare që nuk do të ishin organizuar në kooperativa bujqësore të bashkëpunimit.

Ndryshimi i qëndrimit të deri sotëm, ndaj kooperimit dhe investimeve themelore në bujqësi, do të jepte efekte positive të menjëhershme, sepse:

* Bujqësia do të hynte në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm e të modernizimit, duke dalë nga ky tranzicion i mundimshëm.

* Do të ndikonte në rritjen e rendimenteve dhe prodhimeve bujqësore e blegtorale, për eksport dhe tregun e brendshëm, duke shtuar sipërfaqet e kultivuara dhe duke zbatuar teknologjitë bashkëkohore.

* Do të frenonte braktisjen e fshatrave dhe largimin për të punuar në bujqesi nëpër Evrope.

* Do të ndikonte në përmiresimin e nivelit të prekur të jetesës për gjysmën e popullsisë të vëndit që jeton e punon në fshat, nga rritja e të ardhurave dhe ulja e kostos shume të lartë të prodhimit bujqësor.

* Do të mënjanonte abuzimet e sekserëve dhe tregëtareve të shumicës, të cilët në marrëveshje të pa ndershme midis tyre, ja xhvatin prodhimet fshatarëve me cmime shumë të ulëta dhe nën kosto.

* Do të rriteshin te ardhurat për buxhetin dhe do të zgjidhej përfundimisht problem i informalitetit në bujqësi.

Me respekt

Shkëlqim Agolli 

Ekonomist Agrar                         

_____

Botuar në DITA

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …