Shtëpia / Politika / Një deklaratë e papranueshme! A do të guxonte zëdhënësi i BE të merrte në mbrojtje mohuesit e holokaustit?

Një deklaratë e papranueshme! A do të guxonte zëdhënësi i BE të merrte në mbrojtje mohuesit e holokaustit?

 

Nga Shaban Murati

 

Zëdhënësin e BE, sllovakun Peter Stano, nuk e kishte zënë gjumi nga meraku filoserb përderisa brenda ditës në 25 gusht iu përgjigj thirrjes së presidentit serb Vuçiç për të dënuar Kosovën, Gjykata e Apelit të së cilës dënoi me dy vjet burg një politikan serb, i cili në një deklarim publik mohoi masakrën serbe të Reçakut dhe sulmoi NATO-n dhe “ terroristët shiptarë“ për 1999.

E kuptojmë ish-ministrin e qeverisë së Millosheviçit dhe sot president i Serbisë, Vuçiç, që në yryshin e tij antishqiptar të protestojë në 25 gusht pse institucioni i pavarur i një shteti të pavarur si Kosova dënon brenda kompetencës së tij juridike dhe kushtetuese një mohues të gjenocidit serb në Kosovë. Por është e papranueshme që vrapon zëdhënësi i BE t’i mbajë krahun pretendimeve koloniale dhe ndërhyrjes flagrante të presidentit serb në punët e brendshme të Kosovës, dhe në këtë mënyrë të marrë në mbrojtje kriminelin serb, që mohoi masakrat dhe spastrimin etnik serb kundër popullit shqiptar në Kosovë.

Nuk e pati këtë zell dhe nxitim Peter Stano të reagonte kur para pak ditësh presidenti i Serbisë Vuçiç sulmoi parlamentin e Malit të Zi dhe parlamentin e Kosovës pse miratuan rezolutën që njeh Srebrenicën si gjenocid serb. Zëdhënësi i BE e din se dy parlamentet e mësipërm thjesht zbatuan kërkesën e rezolutës të vitit 2009 të parlamentit europian, i cili e dënoncon krimin serb në Srebrenicë si gjenocid. Dy parlamentet e mësipërm thjesht zbatuan verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që e ka përcaktuar Srebrenicën si gjenocid.

Nuk reagoi Peter Stano kur presidenti Vuçiç doli para disa ditësh kundër vendimit të drejtë të përfaqësuesit special të BE në Sarajevë, i cili e përkufizoi faj penal mohimin i gjenocidit në Srebrenicë. Nuk reagoi Stano as kur presidenti Vuçiç në muajin shkurt shpalli pretendimin për “Serbinë e Madhe”.

Nuk reagoi as kur ministri i brendshëm i Serbisë Vulin afishoi në muajin korrik programin zyrtar të qeverisë serbe me emrin “bota serbe” për të bashkuar të gjithë serbët e rajonit në një shtet të vetëm serb, duke prishur shtete dhe kufij, pra duke kërkuar luftë ballkanike.

Është shqetësues veprimi diplomatik i atij zëdhënësi, që merr në mbrojtje mohuesit e holokaustit shqiptar, sepse tregon që përfaqësuesit diplomatikë të BE po i largohen gjithnjë e më tepër rolit dhe misionit të ndërmjetësuesit të paanshëm në bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel. Sllovaku Lajçak si i dërguar special i BE për dialogun Serbi-Kosovë dhe sllovaku Stano si zëdhënës i BE, jo vetëm që qendrimin e shtetit të tyre, Sllovakisë, që nuk e njeh Kosovën, po e paraqesin si qendrim të BE, por po fusin gjithnjë e më tepër edhe një emocion personal filoserb, tepër komprometues.

Sepse është kaq flagrante që zëdhënësi i BE përsërit presidentin serb dhe merr në mbrojtje mohuesin e spastrimit etnik në Kosovë. A do të guxonte Stano të merrte në mbrojtje mohuesit e holokaustit?

Jemi para një qendrim skandaloz diplomatik, që kërkon përçapje diplomatike nga Prishtina në shtetet kryesore të BE, Gjermani, Francë, Itali, etj. për të tërhequr vëmendjen që përfaqësuesit diplomatikë të BE po shkelin detyrimin e neutralitetit të ndërmjetësit dhe me anësinë e tyre filoserbe po dëmtojnë dialogun.

Sa për Tiranën, mos u shqetësoni, ajo po flen gjumin e madh të neglizhencës për shtetin dhe për historinë tragjike të Kosovës, e nanuritur nga ninullat serbe të “Ballkanit të hapur”. Gjumi i Tiranës i vlen edhe Vuçiçit, edhe Lajçakut me Stanon. “Ballkani i hapur” serb po vrapon të mbysë Kosovën, por idiotët e dobishëm të Serbisë në qeverinë e Tiranës kanë bërë zbulimin e madh se duke e mbytur Kosovën Serbia do ta njohë Kosovën.

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …