Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Mark Marku ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit për Qarkun e Lezhës. I kontaktuar nga media, Marku pohoi se është larguar për arsye politike.

“U largova pasi nuk kisha përputhje me drejtimin e Partisë Demokratike”, u shpreh Marku.

Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin Kombëtar të PD rreth një muaj më parë, drejtuesi politik i qarkut të Lezhës u shpreh se Partia Demokratike ndodhet në pikë kritike.

Mark Marku nuk i kurseu kritikat për veprimet e sotme të PD, ndërsa tha se shoqëria shqiptare, por dhe opinioni publik, ka pritshmëri të tjera nga kjo parti.

“PD është në pikën më kritike të saj, pavarësisht këtij rezultati më të avancuar seç kemi qenë më përpara. Pse? Sepse kundërshtari ynë politik me këto zgjedhje është shndërruar në një regjim politik me rrezikshmëri të lartë për fatin e demokracisë shqiptare. Shoqëria shqiptare ka pritshmëri tjetër nga ajo që po bëjmë ne sot, nga PD dhe lidershipi i saj”, u shpreh Marku.

Në bazë të kodit zgjedhor, mandati i Mark Markut i kalon Elda Hotit, si më e votuara jashtë listës fituese.

Aktualisht në Lezhë PD ka deputet Agron Gjekmarkajn, Kastriot Pirolin dhe Lindita Metaliajn.