Shtëpia / Politika / Rama paralajmëron deputetët: Çdo ndikim apo ndërhyrje në tenderë do të konsiderohet armiqësore

Rama paralajmëron deputetët: Çdo ndikim apo ndërhyrje në tenderë do të konsiderohet armiqësore

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e  grupit të vjetër parlamentar dhe atë që u zgjodh pas zgjedhjeve të 25 prillit u ka kërkuar të gjithëve  të bëjnë një vështrim kritik nga vetja në mënyrë që të rritemi dhe forcohemi më shumë.

“Vërtetë kemi marrë një notë kaluese në zgjedhjet e 25 prillit si asnjëherë më pare, por sa më mirë akoma mund të kishim qeverisur? Sa ka peshuar në zgjedhjen e tyre mungesën e alternativës ndaj nesh? Sa ka qenë prania e deputetëve tonë dhe sa pozitive ishte marrëdhënia e deputetëve me komunitetin? Sa e kanë ndikuar rezultatin tonë padrejtësitë, ryshfetet dhe qokat e administratës? Sa ka arritur të pastrohet PS nga drejtorë, shefa dhe zyrtarë të korruptuar që janë kosto morale dhe politike për ne dhe si do të shpëtojë nga kjo specie kjo parti? Sa gjak i ri ka hyrë në organizmin e kësaj parti edhe se si do ta ripërtërijmë partinë? Këto dhe të tjera pyetje ka sa të duash. Kërkoj një vështrim kritik mbi vetveten më parë duke rreshtuar fakte që mund të mos na pëlqejnë fare në mënyrë që të rritemi dhe të forcohemi më shumë. Çdo gjë nis nga vetja, si individ duke kërkuar brenda vetes se çfarë do të kishim bërë më mirë, çfarë nuk shkoi siç duhej”- tha kryeministri Rama.

Ai ka paralajmëruar deputetët e rinj dhe të vjetër se  çdo ndërhyrje apo ndikime në tenderë apo në mbajtjen në punë të njerëzve të paaftë do të konsiderohet armiqësore me qëllimet e shqiptarëve që kanë votuar Partinë Socialiste. Ai tha se kjo skuadër duhet të luftojë nepotizmin dhe klientelizmin dhe se duhet t’u përgjigjet qytetarëve për problemet e tyre.

“Kjo që është sot këtë është skuadra drejtuese e PS, e vendit në 4 vitet e ardhshme. Është skuadra që do t’u përgjigjet qytetarëve për hallet dhe problemet e tyre. Duhet të përgatitemi për vendime jo të lehta, për punë të vështira. Duhet të jenë të gatshme të heqin dorë nga lojërat e dëmshme dhe teë padobishme që të luftojmë nepotizmin dhe klientelizmin. Ndërhyrjet për të mbajtur në punë individë të paaftë, për të sistemuar në vende pune njerëz që nuk e meritojnë apo ndikime për në procese tenderësh janë armiqësore me qëllimet e atyre që na dhanë besimin për të drejtuar vendin”- shtoi Rama.

 

e.sh/Dita

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …