Shtëpia / Politika / Afganistani, Ameristani dhe Albanistani: Të fortët e botës që shpesh tregohen të verbër e jo largpamës dhe karagjozët sharlatanë në Tiranë që të lenë gojëhapur

Afganistani, Ameristani dhe Albanistani: Të fortët e botës që shpesh tregohen të verbër e jo largpamës dhe karagjozët sharlatanë në Tiranë që të lenë gojëhapur

 

Nga Viktor Malaj

Botuar në DITA

Tërheqja e trupave amerikane dhe disa vendeve të tjera perëndimore nga Afganistani dhe rikthimi në pushtet i talibanëve është bërë tema e ditës në politikën dhe median ndërkombëtare.

Nuk ka asnjë dyshim se aktet terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA ishin ndër më mizoret dhe kriminalet në historinë e re të njerëzimit. Hakmarrja ndaj autorëve dhe lufta kundër organizatave me programe dhe misione të mirëfillta terroriste ishte një e drejtë dhe detyrim i SHBA-së që e pësoi drejtpërdrejt dhe e gjithë botës së civilizuar.

Qeveria amerikane e kohës, përveç se i shpalli luftë Al-Kajdes (Al-Qaeda), e zgjeroi rrethin e fajësisë dhe përgjegjësisë edhe mbi qeverinë e Afganistanit ku ndodhej një pjesë e mirë e shtabit drejtues të kësaj organizate terroriste dhe, më vonë, i keqpërdori ngjarjet e ndodhura për të sulmuar dhe pushtuar edhe Irakun.

Është e pranueshme nga çdo mendje normale që talibanët, të cilët ndodheshin në pushtet në Afganistan në vitin 2001, përfaqësojnë një mendësi dhe entitet politik mesjetar, ashtu si Sadam Husein, i cili sundonte Irakun në vitin 2003, ishte një tiran dhe politikan i dëmshëm. Mirëpo, e vërteta është se të dy këto entitete politike kanë qenë për njëfarë kohe aleatë të SHBA-së.

Nëse sulmi ndaj Afganistanit dhe pushtimi i tij gjetën mbështetje edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, sulmi dhe pushtimi i Irakut ishte një veprim krejt i njëanshëm i Amerikës. Në të vërtetë, edhe sulmi amerikan kundër Afganistanit ngre dyshime dhe diskutime të mëdha lidhur me legjitimitetin e tij pasi ishte sulm kundrejt një shteti përfshirja e të cilit në sulmet terroriste ndaj SHBA-së nuk është vërtetuar kurrë.

Shtete të tjerë, si Arabia Saudite për shembull, kishin më shumë arësye të sulmoheshin pasi Al-Kajda ishte formuar, financuar dhe stërvitur në atë vend dhe 15 nga 19 prej personave që kryen aktin terrorist të 11 shtatorit 2001 ishin shtetas të këtij vendi. Mirëpo sundimtarët e regjimit po aq anakronik të Arabisë Saudite ishin “miq” të Amerikës dhe, veçanërisht, të “Familjes Presidenciale Bush” prej më shumë se gjysëmshekulli.

Qeveria e SHBA-së e ka justifikuar sulmin si mjet për zhdukjen e mundësive për sulme të tjera terroriste, por e vërteta është se organizata terroriste Al- Kajda i ka pasur dhe i ka bazat e saj vepruese edhe në disa vende të tjera dhe, sipas kësaj logjike, do të duhej që të gjitha ato vende të pushtoheshin nga SHBA apo NATO. Veçanërisht, pushtimi i Irakut i ka diskredituar fort pretendimet dhe pretekstet amerikane në veçanti dhe ato perëndimore në përgjithësi.

Historia ka treguar se të fortët e botës, shpesh tregohen të verbër dhe jo largpamës. Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së autorizonin vendosjen e forcave paqeruajtëse në Afganistan, por jo mbajtjen e vendit të pushtuar për një kohë të pakufizuar. Pretendimet amerikane dhe ato perëndimore për ndryshime me armë të regjimeve politike në ato vende dhe për “përhapje të demokracisë” janë iluzore dhe të pavërteta.

Në fund të fundit, ato nuk gjejnë mbështetje askund në të Drejtën Ndërkombëtare, pavarësisht interpretimeve dhe keqinterpretimeve që i bëhen asaj nga ideologët e luftërave dhe pushtimeve. Në këto pretendime dhe veprime të fuqive kryesore perëndimore gjendet edhe një kontradiktë e madhe dhe domethënëse.

Ndërsa propagandojnë, për vendet e tyre dhe për botën, të drejtat e individit për t’u veshur dhe organizuar jetën familjare sipas dëshirave dhe preferencave të veta, ndërsa mbështesin dhe votojnë akte ndërkombëtare që i japin të drejtë çdo populli të zgjedhë formën e qeverisjes që dëshiron ai, nga ana tjetër sulmojnë dhe përmbysin qeveri të vendeve të tjera për t’iu imponuar format e veta të veshjes, të jetës familjare etj. kur popujt e atyre vendeve kanë histori dhe mendësi krejt të tjera. Dhe ky imponim bëhet me pretekstin se po “përhapin demokracinë”, domethënë formën e organizimit politik perëndimor.

Regjimet talibane në Afganistan apo sadamiste në Irak ishin larg së qeni demokratike dhe moderne, por “demokracia” nuk përhapet me armë sepse armët nuk janë flladi që përhap pjalmin nga lulja tek lulja. Popuj dhe vende të ndryshme kanë histori, mendësi, koncepte, bestytni dhe pikëpamje të ndryshme për jetën dhe për organizimin shoqëror e politik. Ndryshimi i këtij konstrukti shpirtëror, moral dhe mendor merr shekuj për të ndodhur. Pushtimet mund të shkaktojnë ndryshime sipërfaqsore dhe të përkohëshme, por jo ato të dëshiruara.

Të përpiqesh t’iu imponosh format e qeverisjes perëndimore vendeve të tilla si Afganistani është e pamundur. Ne mund të duam të mbjellim banane në Antarktidë, po bananet atje nuk bëhen. Vende të tilla ku mbisundojnë konceptet dhe besnikëria ndaj fesë (shpesh të keqinterpretuar), fisit, krahinës, origjinës dhe të fortit e kanë të vështirë të kuptojnë dhe përshtasin konceptet e kombit, partive politike, parlamentit apo zgjedhjeve të lira dhe t’i vlerësojnë ato sipas meritave e programeve dhe jo prejardhjeve apo përkatësisë fetare.

Presidenti aktual i SHBA-së, z. Bajden, duke ngatërruar nocionet e kombit dhe të shtetit, pohoi kohët e fundit se “Misioni amerikan në Afganistan kurrë nuk ishte menduar të ishte ndërtimi i një kombi… por për të parandaluar një sulm terrorist në tokën amerikane”. Kombet janë çështje përkatësie dhe ndjeshmërie dhe nuk krijohen nëpërmjet pushtimeve por, më së shumti, nëpërmjet konsolidimit të vetëdijes së përkatësisë së përbashkët dhe luftës për pavarësi kundër pushtimeve të huaja.

Duket se pushtimi i Afganistanit ka pasur si qëllim rrëzimin e pushtetit taliban dhe zëvendësimin e tij me qeveri properëndimore, mirëpo këtu nuk janë marrë sa duhet parasysh rrethanat gjeografike, historike, demografike dhe shpirtërore të vendit. Ndonëse grupim fetar dhe politik anakronik, talibanët kanë pasur (dhe duket qartë se kanë) mbështetje të madhe tek popullsia vendase dhe, nga ana tjetër, popullsia e Afganistanit ka treguar historikisht se nuk i pranon pushtimet e huaja, pavarësisht preteksteve me të cilat bëhen. Thyerjet dhe tërheqjet e ushtrive angleze, ruse dhe së fundi amerikane kanë bërë që Afganistani të konsiderohet si “varrezë e perandorive”.

Me sa duket, amerikanët janë vetëdijesuar se në një vend të varfër si Afganistani, më së shumti i përmendur për prodhimin e shegëve, nuk ia vlente të vazhdohej shpenzimi pa fund i parave të taksapaguesve perëndimorë dhe, duke u vetëdijësuar se nuk mund të ketë Afganistan pa talibanë, kanë vendosur të bëjnë atë që është dashur të bënin 20 vjet më parë: të negocionin me talibanët dhe të gjenin një zgjidhje afatgjatë. Qeveria amerikane ka qenë e vetëdijshme se talibanët do të riktheheshin në pushtet dhe, në pamundësi për ta ndaluar këtë gjë përjetësisht, janë “pajtuar” me këtë fakt duke i vënë disa kushte dhe “hapur rrugë”, jo nga dëshira por nga pamundësia.

Duket qartë që qeveritë e ngritura në Afganistan dhe Irak me ideimin dhe mbështetjen amerikane kanë qenë të padenja për të justifikuar në praktikë pretendimet teorike, morale dhe politike, me të cilat u pushtuan këto vende dhe u propaganduan format e reja qeverisëse. Këto vende, jo vetëm që nuk pësuan ndonjë progres ekonomik, por shumë gjëra që kanë ndodhur gjatë dhe pas pushtimeve iu kanë shkaktuar neveri dhe mospajtim shumicës së popullsive atje. Po t’i shtojmë kësaj edhe qindra mijëra jetë njerëzish të humbura dhe qindra miliarda dollarë të Perëndimit të shkuara dëm, apo të përfunduara në xhepat e pak spekulantëve dhe veglave të paparimtë të pushtuesve, atëherë tabloja bëhet e plotë dhe konkluzioni del i qartë se pushtimet kanë qenë të gabuara dhe, madje, kriminale.

Tërheqja perëndimore dhe rikthimi i talibanëve shkaktuan krizën e mirëditur politike dhe ikjet e shumë shtetasve afganë nga vendi i tyre. SHBA, ndonëse me vonesë, po bën përpjekje për tërheqjen e sa më shumë shtetasve afganë drejt Perëndimit.

Faqja e parë, DITA, 31 gusht 2021

Në këtë mision qeveria shqiptare (ashtu si edhe PD-ja opozitare) u treguan solidarë dhe tani jo pak afganë po strehohen, ndoshta përkohësisht, edhe në Shqipëri. Normalisht, cilado qeveri shqiptare do të mbante këtë qëndrim, por retorika politike rreth këtij problemi në vendin tonë është bërë qesharake. Kryeministri Rama tha dy gjëra të pavërteta lidhur me problemin e refugjatëve afganë. Së pari, ai pretendoi se “Është kaq shqetësuese të lexosh se Shqipëria po i strehon afganët vetëm sepse na e kërkuan SHBA”.

Në fak kjo nuk përbën kurrfarë shqetësimi, por është një e vërtetë e palëkundur. Po të ishte ndryshe, atëherë qeveria shqiptare do të kishte mirëpritur me kohë mijëra refugjatë nga Siria, Iraku etj. dhe jo t’i kthente ata mbrapsht dhe të burgoste trafikuesit e tyre. Situatat politike në ato vende nuk janë aspak më të mira se në Afganistan, përkundrazi. T’i strehosh afganët sepse këtë ta kërkuan SHBA-të nuk është as turp dhe as krim, por të përpiqesh ta justifikosh këtë me citime të Kanunit të Lekë Dukagjinit se “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut” është hipokrizi dhe të bën qesharak.

Akoma më të padenjë të bëjnë pastaj pohime ekstravagante dhe ekzibicioniste si ato se “Duhet të jemi aty (në Afganistan) për ata që punuan për ne… Ne kemi qenë në një regjim të ngjashëm me atë taliban… Ne ishim afganë disa dekada më parë kur ikëm nga Shqipëria, fortesa e Koresë së Veriut në Evropë në atë kohë”.

Cilët punuan për ne dhe cilët jemi “ne”? Duke përjashtuar shumë prej tyre që po shfrytëzojnë momentin për të kërkuar një jetesë më të mirë ekonomikisht, të tjerët largohen prej aty pasi kanë qenë në shërbim të forcave pushtuese (edhe nëse këto forca ishin qëllimmira). Si të tillë, jo pak prej tyre mund të jenë përfshirë në akte kriminale, siç ka ndodhur dhe do të ndodhë gjithmonë kur në territorin e një vendi ndodhen edhe ushtritë e huaja.

Se sa demokratë dhe “punëtorë të demokracisë” ishin shumica e vendasve të angazhuar në qeverisjen e Afganistanit këto 20 vjet e treguan ngjarjet e kohëve të fundit, mosbesimi i shumicës së popullit dhe i vetë ushtrisë afgane tek ata dhe zhytja e tyre në korrupsion.

Sa i përket krahasimit karagjoz të regjimit taliban me regjimin politik të Shqipërisë së vitit 1990, kjo të lë gojëhapur për guximin sharlatanesk të këtij pohimi. Regjimi diktatorial i vitit 1990 në Shqipëri ishte një regjim ateist që i trajtonte njerëzit njësoj pavarësisht përkatësive fetare, gjinore, krahinore apo etnike, por i dallonte dhe i përndiqte për shkak të përkatësisë politike dhe, sidomos, veprimtarisë antiregjim. Si rezultat i dallimit dhe përndjekjes politike regjimi kreu edhe mjaft krime, ashtu si, për fat të keq, kanë kryer krime të pafundme edhe qeverisjet perëndimore.

Refugjatët shqiptarë të viteve ’90 nuk ishin refugjatë politikë, por thjesht dhe vetëm ekonomikë, pasi jetët e tyre nuk rrezikoheshin as nga ata në pushtet dhe as prej atyre që mëtonin të merrnin pushtetin. Madje, ikjet masive nëpër anije i ngjanin më shumë një psikoze kolektive e cila, ashtu si dyndja në sheshin “Skënderbej” për të pritur Sekretarin e Shtetit, Xhejms Bejker, vënë shumë në dyshim moralin dhe dinjitetin e një pjese të madhe të shoqërisë shqiptare.

Gënjeshtrat dhe mashtrimet me të cilat shumë sharlatanë politikë dhe mediatikë të këtyre 30 viteve bombardojnë ndërgjegjet e shqiptarëve janë magjepsëse. Dallimi midis ikjeve të menjëhershme të fillimviteve ’90 dhe ikjeve të parreshtura të shqiptarëve gjatë gjithë periudhës pasdiktatoriale, madje edhe të sotme, i ngjan dallimit midis shpërthimit të zhurmshëm të avullit nga tenxherja me presion dhe lëshimit të ngadalshëm të këtij avulli nëpërmjet valvulës shkarkuese. Por, thelbi mbetet i njëjtë: avulli vazhdon të shkarkohet.

Edhe krahasimet e bërë nga disa njerëz të tjerë të politikës apo medias midis emigrantëve të sotëm afganë dhe shqiptarëve të larguar nga vendi në vitin 1944 apo më vonë nuk janë të sakta. Shqiptarët e larguar nga vendi në fundvitin 1944 ishin bashkëpunëtorë të pushtuesve nazifashistë, dy diktaturave të huaja që ishin edhe pushtues globalë dhe që pushtimet nuk i bënin dhe as pretendonin t’i bënin për motive demokratike dhe as si hakmarrje ndaj akteve terroriste kundër vendeve të tyre. Ata ishin njerëz të implikuar në krime kundër vendit dhe popullit të tyre dhe, rrjedhimisht, të ndëshkueshëm gjithkund dhe gjithnjë.

As krahasimi që një zotëri tjetër iu bënte refugjatëve të sotëm afganë me të dënuarit e regjimit komunist në vitet 1944-1946 si “bashkëpunëtorë të anglo-amerikanëve” nuk është i saktë. Anglo-amerikanët e ardhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore as kanë qenë pushtues dhe as janë shpallur ndonjëherë si të tillë. Shumica e atyre që u dënuan në vitet 1945- 1946 si spiunë të anglo-amerikanëve janë dënuar për përpjekje për rrëzimin me forcë të pushtetit të atëhershëm shqiptar, veprimtari dhe bashkëpunim që i kanë pranuar edhe vetë në gjyq.

Këtu nuk ia vlen të sillet në diskutim pohimi i disa ekstremistëve politiko-mediatikë që pohojnë se regjimi i Hoxhës “imponoi njeriun e ri- taleban me shumë sukses”, vetëm e vetëm pse ai “njeri i ri” nuk ishte as hajduti i tenderave të buxhetit të sotëm të shtetit, as biznesmeni “i suksesshëm” i drogës dhe kontrabandës së sotme të femrave e armëve, as luftëtari i lakuriqësisë dhe prostitucionit, as ekstravaganti dhe aventurieri i divorceve dhe familjeprishjes dhe as halabaku i bixhozit apo spekulanti i pafytyrë i bursës.

—–

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …