Shtëpia / Politika / As hero, as tradhtar! Për të ndryshuar Parlamenti dhe opozita nuk bën dobi largimi i Mark Markut dhe i të tjerëve si ai. Duhet të ikë vetëm Berisha për të marrë frymë të gjithë

As hero, as tradhtar! Për të ndryshuar Parlamenti dhe opozita nuk bën dobi largimi i Mark Markut dhe i të tjerëve si ai. Duhet të ikë vetëm Berisha për të marrë frymë të gjithë

Bedri Islami

Botuar në DITA

 

Tërheqja e deputetit të sapo zgjedhur Mark Marku, nga grupimi parlamentar opozitar, as e bën më të mirë Partinë Demokratike dhe, as e bën më të rënduar gjendjen e saj. Është largim që përsëritet në shumë vite, që kur opozita e tanishme, ende në ditët e para të saj, filloi të bënte spastrimet e saj, të cilat shpesh herë janë mbështjellë me enigmën e pas skenave të saj. Njëjtë si kur është larguar Eduard Selami, kur janë dëbuar mocionistët, kur janë mënjanuar intelektualë të njohur si Bashkim Kopliku apo Rexhep Uka; si është hedhur poshtë moria e punëve të dobishme të qeverisë Meksi; njëjtë si ka ndodhur me Azem Hajdarin, që në mëngjes ishte deviator dhe bashkëpnëtor i Sigurimit të Shtetit, e në darkë ishte heroi i demokracisë, për të qenë përsëri aventuerier në mëngjesin e ditës tjetër; histori e përsëritur me 334 themelues të PD-së, ku ka mbetur vetëm njëri, i 335-ti, Berisha.

Asgjë e jashtëzakonshme. Glorofikimi që i bëhet sot Mark Markut është i kotë, i përkohshëm, jo real dhe jo i besuar.

Analistët, pro shumicës qeverisëse që përpiqen të gjejnë tek ai heroin, e kanë të kotë, ashtu si analistët, pranë opozitës, që po ngrejnë mitin e tradhtarit, janë në kotësinë e boshësisë së tyre.

Kopertina e Ditës, 30 Gusht 2021

Mark Marku është edhe sot ai që ishte disa ditë, disa javë e muaj më parë. Profesori i letërsisë, që mohon thuajse çdo vepër që nuk ka “pëlqimin” e tij, është profesori i arteve që e quan hapur autor mediokër, në ekranet TV, shkrimtarin e shquar Dritëro Agolli, më shumë nisur nga bindjet e majta të Dritëroit; autor, veprat e të cilit pak njihen ose nuk njihen fare; pjesë e studiove televizive, që e bënë të njohur më shumë se sa arti i tij, inatçi i klasit të parë dhe debatues pa sensin e tolerancës. As nuk ka ndryshuar dhe as nuk e ka ndër mend të ndryshojë.

Nëse ai u zgjua një ditë, pas reflektimit të asaj që kishte parë dhe mendoi se, tani e tutje ai nuk do të jetë deputet, më tepër se sa një zbardhje e gjendjes së opozitës, gjë që është thënë e dihet prej kohe, asnjë punë nuk i prishi opozitës, asnjë dritare nuk i hapi demokracisë, as nuk e bëri atë më tolerant dhe as më të besuar.

Profesor Mark Marku, që mendon se i takon së djathtës në politikë, duhej ta kishte ditur se bindjet nacionaliste janë të qëndrueshme, të rrënjosura; se konservatorizmi në politikë nuk ka të bëjë me opozitën e tanishme, ashtu si mendimi liberal është i pa rrugëdalje në qorrsokakun e politikës sonë. Me largimin e tij nuk solli e nuk mund të sillte risi politike; nëse do të kishte qëndruar, për të ndryshuar thelbin dhe vizionin e forcës politike që i besoi drejtimin e një qarku verior, Lezhës, ku doli fitues, mund të kishte sjellë përfytyrimin e njeriut që mund të ndryshojë, dhe, duke ndryshuar veten, mund të ndryshojë edhe strukturat rreth tij.

Pse nuk e ka ditur Mark Marku, që para se të futej në betejë elektorale se, ta zëmë, Gazmend Bardhi, nuk ka këllqe për të ngritur një strukturë politike fituese, as në qarkun e tij? E kanë ditur të gjithë, e ka ditur edhe vetë Bardhi, që merr pas vetes “trimosha” të dorës së fortë, duke i premtuar që, pas fitores, pikërisht ata do të jenë përsëri shefa komisariatesh e drejtorë policie. Nëse zoti Marku ka pritur që ndryshimi do të vijë nga të emëruarit e jo nga të zgjedhurit, do të mund të bëhet nga të përkëdhelurit rreth selisë blu e jo nga ata që kanë frymën e ndryshimit, atëherë ai nuk ka ditur asgjë. Kot që ka hyrë në vallen e politikës, e, edhe më kot që ka dalë prej saj.

Largimi i tij nuk sjell tronditje. Sjell vazhdim dhe harenë e pritur. Nuk do e ndjekë askush tjetër. As kolegu i tij i studiove TV, Gjekmarkaj, që vrapoi të deklaronte se do të luftonte në parlament për idetë e Mark Markut!!!! Cilat ide? Duke harruar se Marku iku nga PD-ja e jo nga parlamenti. Ky i fundit do të jetë përsëri aty, si ngrehinë, si tryeza, si sallë, e, duhet pranuar, jo si frymë.

Nga opozita mund të laregohen dhjetra “markmarkër”, por kjo nuk e ndryshon atë.

Ai e nisi betejën me frymë kalorsiake dhe e përfundoi në donkishotizëm!

Aureola e sotme do të bjerë shpejt dhe do të ndodhë si në përrallën e njohur të mbretit lakuriq.

Iku nga parlamenti Mark Marku?

Punë e madhe që iku!

Asgjë nuk ndryshon.

Për të ndryshuar parlamenti dhe vetë opozita nuk bën dobi largimi i një deputeti si ai dhe, duhet pranuar, as i gjithë trupës opozitare parlamentare.

Duhet të ikë vetëm NJË, për të marrë frymë të gjithë! Sali Berisha!

_____

©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …