Shtëpia / Politika / Rama nuk i ndahet “ferrit komunist”, hap ekspozitë për ish-Sigurimin në lulishten e Kryeministrisë: “Ua kemi borxh të persekutuarve”

Rama nuk i ndahet “ferrit komunist”, hap ekspozitë për ish-Sigurimin në lulishten e Kryeministrisë: “Ua kemi borxh të persekutuarve”

 

Ekspozita “Sigurimi në fjalët e veta” është çelur ditën e sotme në lulishten pranë Kryeministrisë. I pranishëm ishte edhe vetë kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij në çeljen e ekspozitës, u shpreh se për të rinjtë komunizmi është një tregim nga librat e të moshuarve dhe se kjo ekspozitë ka për qëllim që këto histori dhe tregime të dalin në dritë.

“… Në raport me të gjithë ata që vuajtën personalisht në burgjet komuniste dhe që patën fatin të dalin gjallë prej tyre, ne kemi shlyer atë borxh të madh moral, por edhe atë borxh të bartur financiar të pashlyer për shumë vite…” – tha kryesocialisti që edhe në intervistat e fundit nëpër mediat e huaja, ku flet për afganët, nuk i është ndarë termit “ferri komunist“.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Jemi përpjekur që të bëjmë sa të mundemi edhe pse asnjëherë nuk është mjaft, që këtë histori ta nxjerrim në dritë. Kjo ekspozitë është një tjetër kontribut, modest në vazhdën e kësaj përpjekje dhe përtej çështjeve të mbartura, sot Shqipëria ka arritur që të vendosë disa pika referimi për të shkuarën që janë pika referimi fizike, të prekshme, jo thjesht të shkruara si histori dhe autoriteti për informimin për dokumentet e sigurimit të shtetit është pika më e sigurt. Është një histori ende e pazbuluar.

Sot që flasim besoj se ne mund të jemi krenarë për faktin që së paku të gjithë atyre që vuajtën në ferrin e burgjeve të komunizmit dhe që janë ende gjallë ua kemi shlyer plotësisht detyrimin e marrë përsipër nga shteti në formën e dëmshpërblimit.

Ata që kanë pasur edhe punë të rënda, si punën në minierë, problematika që ka të bëjë me pensionin, është një problematikë sa absurde, aq edhe e lidhur me aspektet e ligjit. Shpresoj dhe besoj që do të marrë rrugë edhe kjo dhe të paktën në raport me të gjithë ata që vuajtën personalisht në burgjet komuniste dhe që patën fatin të dalin gjallë prej tyre, ne kemi shlyer atë borxh të madh moral, por edhe atë borxh të bartur financiar të pashlyer për shumë vite.

Nga ana tjetër, është vërtet një dhimbje e posaçme po të marrësh parasysh se janë akoma shumë familje që nuk arrijnë dot të kenë një vend për të shkuar edhe për të kujtuar e nderuar të afërmit e tyre, apo paraardhësit e tyre, për shkak se nuk gjenden eshtrat.

Ndërkohë që është e pakuptueshme e gjithë koha e humbur, sidomos në vitet 90, kur mundësitë ishin shumë më të mëdha dhe fenomeni i zhdukjes së dokumenteve apo i fshehjes së tyre ishte ende e mundshme që të përballohej.

Autoriteti për Informimin mbi dokumentet e Sigurimit të Shtetit është pika më e rëndësishme e referimit dhe është sot një autoritet që vlerësohet për faktin që ju ka dhënë shumë njerëzve mundësinë, që të hapin dyert e të eksplorojnë labirinthet e një historie, që është ende e pazbuluar plotësisht.

Një projekt i nisur më 2013, por që do duhej të kishte nisur qysh në krye të herës, do duhej që shembulli brilant i Gjermanisë apo edhe të tjerë, të ishin pasuar nga Shqipëria herët dhe jo Shqipëria të mbetej siç ne e gjetëm më 2013, i vetmi vend së bashku me Rusinë dhe asnjë tjetër nga vendet e ish-Perandorisë Komuniste, që nuk ishte bërë asgjë për të hedhur dritë mbi faktet që lidhen me persekutimet.

n.s. / dita

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …