Shtëpia / Politika / “U bë gjithçka gati, amerikanët propozuan edhe shfuqizimin e marrëveshjeve me Zogun, por kur u ktheva në Tiranë….” Kujtimet e diplomatit Pitarka (II)

“U bë gjithçka gati, amerikanët propozuan edhe shfuqizimin e marrëveshjeve me Zogun, por kur u ktheva në Tiranë….” Kujtimet e diplomatit Pitarka (II)

 

Nga Bashkim Pitarka

Botuar në DITA

 

Vijon nga numri i kaluar

Më 15 Mars 1991, u shënua një datë e madhe historike për popullin e vendin tonë. Atë ditë u nënshkrua në Uashington memorandumi i mirëkuptimit mbi rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-SHQIPËRI.

E gjithë kjo ngjarje historike e kishte zanafillën e saj në një telefonatë që vinte nga sekretarja e zv.Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së,ambasadorit amerikan Roland Spiers. Sekretarja e tij njoftonte për një ftesë të zotit Spiers për një drekë private për ambasadorin shqiptar pranë OKB-së.

Sekretarja jonë zonja Mimoza Gjika më njoftoi mua menjëherë dhe më tha se dreka ishte për të nesërmen në restorantin e delegateve në selinë e OKB-së.

Të them të drejtën u zura tepër ngushtë dhe i befasuar. Sipas qëndrimit të ngurtë zyrtar, diplomatëve tanë u ndalohej çdo kontakt me diplomatë të SHBA apo BS, qoftë edhe kur ata thjeshtë ishin pjesë e një grupi diplomatësh në pritjet apo dreka e darka të ngushta diplomatike.

Ndër të tjera nuk kisha kohë të kërkoja udhëzim nga qendra për këtë rast konkret.

Më lejoni të bëj një digresion: në ato kohëra të pranoje një ftesë të tillë ishte tepër e ndaluar e mund të kishe pasoja të rënda. Më kujtohet për çfarë i kish ndodhur para disa kohësh një kolegu e mikut tim, ambasador në Meksikë. Për shkak të një fotoje te një grupi të vogël ambasadorësh të huaj ku ishte edhe ambasadori ynë e në atë foto përfshihej edhe ambasadori amerikan, ambasadori ynë e pësoi keq: përjashtim nga partia dhe nga shërbimi diplomatik dhe dërgimi në punë prodhuese në një uzinë.

Unë e analizova situatën dhe vendosa ta pranoja ftesën. Si argument mbështetës ishte fakti se ftesa vinte jo nga një zyrtar amerikan, por nga numri dy i Sekretariatit të OKB-së pranë të cilit isha i akredituar si Përfaqësues i Përhershëm dhe Fuqiplotë i Shqipërisë dhe, së dyti, nga një analizë e shpejtë dhe nuhatja politike e rrethanave të kohës krijoja besim se po merrja një vendim të justifikueshëm e të drejtë, i përforcuar nga mendimi se një ftesë e tillë kishte ndoshta një synim për të bërë një sondazh diplomatik lidhur me temën e marrëdhënie ve diplomatike.

Kështu udhëzova sekretaren t’i përgjigjej pozitivisht ftesës dhe t’i përcillte falënderimet e mija për ftesën miqësore. Ndërkohë njoftova qendrën duke kërkuar ndonjë udhëzim përkatës mbasi prisja që kjo drekë të ishte në fakt një sondazh i vetë Departamentit amerikan të Shtetit lidhur me çështjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.

Qendra më udhëzoi që në një rast të tillë unë të dëgjoja pa u angazhuar direkt por të shprehja mendimin se nuk shihja në këtë drejtim ndonjë pengesë të rëndësishme porse për vetë rrethanat historike të këtyre marrëdhënieve do të ishte e udhës të kërkonim që me ndonjë rast të bëhej një deklaratë zyrtare për shtypin lidhur me gatishmërinë e SHBA për rivendosjen e këtyre marrëdhënieve të ndërprera në mënyrë të njëanshme nga qeveria amerikane në vitin 1946.

Dreka kaloi në një atmosfere korrekte.

Biseduam për çështje të ndryshme të ditës me interes për OKB-në e më pas zyrtari i lartë, ambasadori Spiers më pyeti përse mes dy vendeve nuk kishim marrëdhënie diplomatike. I fola shkurt për historikun e tyre dhe qëndrimin tonë. Ai shprehu gatishmërinë e tij për të ndihmuar në vendosjen e një kontakti të palës sonë me Departamentin e Shtetit ku, siç theksoi ai, i kishte ende dyert e hapura dhe lidhjet e duhura si ish ndihmës i Sekretarit amerikan të Shtetit, mikut të tij z.James Baker.

Unë e falënderova për këtë dhe i fola sipas udhëzimit që më kish dërguar qendra.

***

Nuk kaloi shumë kohë dhe pala amerikane ndërmori një hap të rëndësishëm, nëpërmjet të një funksionari të lartë të Departamentit të Shtetit, i cili bëri për shtypin një deklaratë zyrtare me anën e të cilës shprehej gatishmëri për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike kurdo që do të dëshironte Shqipëria.

Në fillim të Marsit 1990 nëpërmjet misionit tonë pranë OKB-së u dërgua propozimi i palës amerikane për hapjen e negociatave dhe nënshkrimin e një memorandumi të mirëkuptimit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ata propozuan që negociatat të zhvilloheshin në New York e në Washington.

Pala jonë dha pëlqimin e saj dhe më caktoi mua si kryenegociator dhe në delegacion të bënin pjesë edhe këshilltari i misionit tonë Genc Mlloja si dhe sekretari i parë Sazan Bejo.

Takimi i parë u zhvillua në fillim të muajit Mars 1990 në një nga sallat për konsultime të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Delegacioni amerikan kryesohej nga ndihmësi i Sekretarit amerikan të shtetit, ambasadorit David J. Krammer. Në përbërje të tij ishte Përfaqësuesi i Përhershëm i SHBA Thomas Pickering dhe dy funksionarë të Departamentit të Shtetit.

Në bisedime u kalua menjëherë në diskutimin e procedurave dhe pala amerikane na dorëzoi një projekt-tekst të një memorandumi të mirëkuptimit mbi rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve dhe pas shqyrtimit dhe dorëzimit të vërejtjeve dhe propozimeve të palës sonë të vendosnim së bashku datën e takimit të dytë në Departamentin e Shtetit në Washington DC.

Ndër të tjera në atë projekt hidhej propozimi për anulimin e të gjitha marrëveshjeve të vjetra dy palëshe të nënshkruara me qeverinë e ish mbretit Zog.

Unë pas një studimi të imët të gjithë atyre marrëveshjeve e traktateve të vjetra që ishin shpallur të pavlefshme nga Kongresi i Përmetit të vitit 1944, në të mirë të interesave tona kombëtare në negociatat në Washington t’i kërkonim amerikanëve të mbeteshin në fuqi dy prej atyre marrëveshjeve të vjetra, ajo për çështjet e natyralizimit dhe të drejtës së trashëgimisë për emigrantët shqiptare dhe Traktati mbi dhënien Shqipërisë të statusit të kombit më të favorizuar në tregti. Kjo u pranua nga delegacioni amerikan.

Pas rivendosjes së marrëdhënieve ky veprim provoi të ishte i drejtë e me shumë përfitime për ribashkimet familjare të emigrantëve shqiptaro- amerikanë si dhe të drejtat e tyre të trashëgimisë së depozitave bankare apo të pasurive të tyre të patundshme.

Negociatat në Washington shkuan shumë normalisht dhe me mirëkuptim e bashkëpunim në redaktimin e tekstit përfundimtar të projekt-memorandumit të mirëkuptimit, i cili u siglua nga kryesuesit e dy delegacioneve.

U ra dakord që palët të përpiqeshin që ceremonia zyrtare e nënshkrimit të atij memorandumi të bëhej në një datë sa më të afërt të mundshme. U ra dakord gjithashtu që ky proces negociatash dypalëshe dhe siglimi i këtij projekti të mos bëheshin publike deri sa të nënshkruhej përfundimisht kjo marrëveshje.

Pala amerikane paraqiti kërkesën e saj që memorandumi, sipas praktikës së tyre të zakonshme në të tilla rastesh,të bëhej në nivel ambasadorësh. Nga ana ime mbi bazën e kërkesës nga qendra, unë i njoftova interlokutorët amerikanë se vendi ynë do të shihte mundësinë e ngritjes së nivelit të përfaqësimit në një rang më të lartë, si psh atë të një këshilltari të presidentit të vendit ose të ministrit të Punëve të Jashtme.

Ishte koha kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Perez de Cuellar do të zhvillonte një vizitë zyrtare në Tiranë me ftesë të Presidentit Ramiz Alia. Pra, edhe mua më duhej të shkoja në Tiranë për përgatitjet për këtë vizitë historike, e para vizitë në Shqipëri nga një Sekretar i Përgjithshëm i OKB dhe shoqërimin e tij në takime e vizita.

Për këtë largim timin vura në dijeni ambasadorin Eagelton me të cilin ramë dakord që mbas kthimit tim nga Tirana të takoheshim për të përcaktuar datën e ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Pritej që unë do të kthehesha në Nju Jork brenda një jave.

Por kur mbërrita në Tiranë u befasova së tepërmi kur mësova se ishte vendosur të shtyhej vendosja e marrëdhënieve me SHBA për një datë të mëvonshme.

Skifteret e vijës së ashpër në Byronë Politike dhe KQ të PPSH kishin bërë presion e kërkonin që për t’iu ruajtur spekulimeve brenda e jashtë vendit mbi gjoja “një hedhjeje të Shqipërisë në prehrin e imperializmit amerikan”, kishin kërkuar shtyrjen me SHBA dhe grupi pro-rus kërkonte me forcë mundësinë e mbajtjes së një të ashtuquajture ekuibalance me të dy superfuqitë, pra kërkohej të bisedohej edhe me BS për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Dhe kështu ndodhi shtyrja nga pala jonë e përfundimit të marrëveshjes për rivendosjen e marrëdhënieve.

Pala amerikane nuk e priti aspak mirë këtë qëndrim tonin dhe kështu çështja u shty pa afat nga pala amerikane, me gjithë përpjekjet e mëvonshme tonat për t’i lidhur sa më parë ato (ndërkohë ishin rivendosur marrëdhëniet me BS.)

Pra,nga një javë qëndrimi im në Tiranë zgjati edhe për një muaj e më shumë deri me 15 Qershor 1990, datë kur më mbaronte afati i vizës për tu rikthyer në Nju Jork. Kur mbërrita në Nju Jork më ndaluan ata nga policia e emigracionit për shkak të djegies së afatit të vizës. Shefi i policisë me insistimin tim i telefonoi ambasadorit Th. Pickering, i cili i transmetoi miratimin nga Departamenti i Shtetit të dhënies së vizës hyrëse për mua.

Ndërkohë gjatë muajit Maj në Tiranë erdhën, pas një qëndrimi në Kosovë me kërkesën e tyre kongresmeni amerikan, ish kryetar i Komisionit të të drejtave të njeriut në Kongresin amerikan,Tom Lantosh, i shoqëruar nga Joseph Dioguardi, ish kongresmen me origjinë italiano-arbëreshe, i cili kryesonte Ligën Civile shqiptaro-amerikane me qendër në Nju Jork. Ata shoqëroheshin nga një grup bashkatdhetarësh, pjesëtarë të asaj lige. Si i njohur me ta mua më caktuan t’i shoqëroja gjatë asaj vizite. Në fakt kjo vizitë e dy kongresmenëve amerikanë në Tiranë më vinte në një pozitë të vështirë ndaj kongresmenit Joe Kenedy, nipi i ish presidentit amerikan John Kenedi, me të cilin kishim biseduar e rënë dakord që ai të ishte i pari zyrtar i lartë amerikan që do vizitonte Shqipërinë, dëshirë, të cilën e argumentonte me atë se ai përfaqësonte edhe komunitetin shqiptaro- amerikan të shtetit të Meseçusetsit.

Por ai vetë e kish shtyre tri herë kohën e vizitës së tij.

Kur u ktheva në Nju Jork ai dhe miku i tij i afërt, gazetari shqiptaro-amerikan Piter Lukas, më telefonuan e shprehën indinjatë për këtë qëndrim tonin dhe mua më akuzuan se gjoja i kisha tradhtuar e u kisha dalë nga fjala!

Kështu ndodhi,pra, ai zhvillim negativ që i egërsoi amerikanët të cilët kur u kërkuam takim edhe për një bisedë të shkurtër mes dy presidentëve në Nju Jork e me këtë rast të nënshkruhej edhe marrëveshja për rivendosjen e marrëdhënieve, amerikanët refuzuan. Pas fjalimit të tij në një seancë të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, sipas praktikës delegacionet e shteteve anëtare shkuan të uronin presidentin amerikan Xhorxh Bush plakun në koktejin diplomatik të organizuar aty afër sallës së AP. Sipas protokollit në të tilla raste merrnin pjesë tri anëtarët kryesorë të delegacioneve. Kështu nga ne shkuan presidenti Ramiz Alia ministri Reis Malile dhe unë si Përfaqësues i Përhershëm.

Presidenti Alia më urdhëroi që kur të më vinte radha mua për t’i shtrënguar dorën presidentit Bush t’i paraqitja kërkesën e presidentit tonë për një takim të shkurtër në të cilin ata mund të nënshkruanin edhe Memorandumin e Mirëkuptimit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Presidenti Bush mu përgjigj prerë: “Me kënaqësi zoti ambasador por unë nuk kam asnjë mundësi kohe sepse menjëherë pas kësaj ceremonie do të nisem për në Washington.”

Përfundimisht u deshën të vinin ndryshimet e mëdha drejt demokracisë, rënia e regjimit komunist, që të vinte koha për amerikanët që të rivendoseshin këto marrëdhënie me qeverinë teknike të dalë nga një parlament shumëpartiak.

Pra u desh të humbej plot një vit që ajo marrëveshje të arrihej të nënshkruhej vetëm me 15 Mars 1991 në kryeqytetin e SHBA, Washington.

 

 

*****

©Copyright Gazeta DITA

– Ambasadori Bashkim Pitarka ka qenë ish Përfaqësues i Përhershëm dhe Fuqiplotë i Shqipërisë pranë OKB dhe ambasador në Kanada me rezidencë të përhershme në Nju Jork dhe ish kryenegociator në bisedimet dypalëshe për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA.

– Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …