Shtëpia / Politika / “Një vëmendje e munguar që të bën të mendosh: Përse nuk ngjalli entuziazmin e pritur vendosja e kaq shumë grave njëherazi në poste drejtuese”

“Një vëmendje e munguar që të bën të mendosh: Përse nuk ngjalli entuziazmin e pritur vendosja e kaq shumë grave njëherazi në poste drejtuese”

 

Nga Edona Llukaçaj

Botuar në DITA

Si pritej, shtatori filloi me përgatitje për stinën e re politike në vend. Në Asamble, Kryeministri Edi Rama bëri publikë emrat që do i besojë drejtimin e ministrive në këtë zgjedhje të tretë rradhazi të Partisë Socialiste dhe të tijën për të qeverisur vendin. Pati dhe të tjera zhvillime në një ditë të ngjeshur të të majtëve, që nga zgjedhja e kryesisë tek risija e Akademisë.

Kjo erdhi pak ditë pasi Partia Demokratike, gjithashtu zgjodhi kryesinë e vet e vendosi strategjitë e veta, në një kohë kur duket se e ka ndarë mendjen të bëjë rolin e opozitës.

Krahas diskutimeve se si po i (ri)formatojnë forcat politike dy kryetarët, se kë “fali” e kujt i dha një tjetër mundësi për të shprehur besnikërinë Rama a Basha, kë flijuan, me kë i ndanë apo bashkuan rrugët me dëshirë a nga halli, nuk kaloi pa u vënë re një prezencë e shtuar e grave në poste drejtuese.

Si tashmë dihet, katërmbëdhjetë nga tetëmbëdhjetë ministrat e ardhshëm do janë gra dhe dy nga katër nënkryetaret e PD-së janë po ashtu gra. Për më tepër, pas disa vitesh, parlamenti do kryesohet sërish nga një grua.

Ndonëse fakti se gratë “do drejtojnë”  u lakua gjerësisht nga mediet dhe u përgëzua nga ndonjë përfaqësues diplomatik në vend, nuk duket se në opinionin publik jehoi fort. Shoqëria civile si grupet, organizatat e shoqatat e grave nuk shprehën ndonjë ngazëllim ose nuk e konsideruan arritje.

Ky qëndrim joentuziast do ishte e dëshirueshme të ishte rrjedhojë e shenjë e zhvillimit adekuat të shoqërisë sonë në këtë aspekt.

Por, padashur të justifikoj askënd, fakti se opinioni publik i pret si të rastit qoftë edhe aksidentet e shkaktuara nga drejtuesit meshkuj por “fajëson” pamëshirshëm të gjitha drejtueset femra për shkak të ndonjë të papërgjegjshmeje është tregues i rrugës së gjatë që kemi përpara për barazi gjinore qoftë edhe në koncept.

Prandaj vëmendja e munguar ndaj kësaj shumice grash me pushtet, kur në një të shkuar jo fort të largët kuotat gjinore ishin çështje e dorës së dytë, të bën të mendosh.

Vendosja e grave në rradhët e para të “politikës së re me gunë të vjetër” mund të besohet se ishte veçse një hap në kohë, një domosdoshmëri e saj në një botë me gjithmonë më shumë gra në pozicione e poste të rëndësishme. Për më tepër, në rajon, qoftë në mesin e atyre me të cilët po bashkëpunojmë për hapjen, qoftë edhe shtetin e bashkëkombasve tanë që e refuzojnë fuqishëm atë, gratë janë pjesë e rëndësishme e udhëheqjes politike.

Por ironia në Ballkan qëndron në faktin se zgjedhja (a emërimi) i grave në poste të tilla më shumë se rezultat i kontributit të tyre apo strategji promovimi është përdorur për të mbajtur në duar pushtetin e deleguar në mënyrë fiktive.

Rasti i zyrtares së re në PD që u hesht shpejt pasi shprehu se kjo forcë politike duhet të vazhdojë përtej politikës non grata apo postimet e zëvendës kryeministrit të spostuar në media sociale me seriale ku burrat ngrihen mbi gra (të vdekura) mund të jenë këmbana për një sezon të ri politik me dy aktorë që lojën fort mirë ia dimë.

Duhet të jetë pikërisht kjo dukuri që ushqen skepticizmin në masë, por dhe ia shton edhe më barrën e përgjegjësisë këtyre grave, që kanë pranuar të kontribuojnë për përmbushjen e një sërë premtimesh gjatë një katërvjeçari ku fokusi do jetë pashmangshmërisht dhe tek ne.

 

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …