Shtëpia / Politika / “Rritu Lulzim Basha, rritu! Nuk shkon gjithë jetën në heshtjen memece, duke i lënë gjërat të varura dhe enigmë”

“Rritu Lulzim Basha, rritu! Nuk shkon gjithë jetën në heshtjen memece, duke i lënë gjërat të varura dhe enigmë”

Nga Bedri Islami

Shefi i opozitës, Lulzim Basha, përmes ambasadorit gjerman në Tiranë, ka kërkuar që të jetë pjesë në agjendën e Zonjës Merkel, gjatë vizitës së saj në Tiranë dhe takimeve të planifikuara me disa nga liderët ballkanikë.

I mënjanuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili pret një përgjigje të saktë nga ai, gjithnjë për çështjen Berisha, dhe duke e ndjerë se është disi jashtë lojës politike të Perëndimit, pikërisht për shkak të heshtjes, ai kërkon një derë të hapur, pas së cilës mund të ketë rishfaqje.

Është e pritur që alibia e takimit të kërkuar nga ai ka të bëjë me “masakrën elektorale” të Edi Ramës, i cili sapo fillon mandatin e tretë qeverisës dhe Basha, po ashtu, të tretin, si drejtues i opozitës. Kambanën e vjedhjes së zgjedhjeve ai e ka tundur edhe më parë, kudo që ka mundur dhe në të gjitha gjuhët e mundshme, dhe, duhet thënë , është në të drejtën e tij të krijojë alibitë e një humbje të paralajmëruar.

Por, para se të kërkojë përkrahjen e Zonjës Merkel, ai do të duhet të ketë një përgjigje të saktë: çfarë do të bëjë më tej me zotin Berisha? Do të vazhdojë të jetë ai në Grupin Parlamentar të opozitës, për më tepër violinë e parë, apo do të ketë ndarjen e kërkuar haptas dhe pa asnjë ekuivok nga Departamenti Amerikan i Shtetit?

Faqja e parë e gazetës 07/09/2021

Alibia e Bashës se, në partitë konservatore evropiane nuk është traditë “vrasja e babait”, do të ketë përballë vetes shembullin e kundërt. Krejtësisht. Do të ketë përballë vetes, gjithnjë nëse takimi realizohet, Zonjën e Hekurt, e cila, jo rastësisht, rrugën e saj politike e kishte të lidhur me atin e saj politik, Helmut Kohl. Ishte pikërisht ai që e mori Angela Dorothea Merkel, të lindur në Hamburg, të rritur në migrim në Gjermaninë Lindore, në një fshat 80 km në veri të Berlinit Lindor, bijën e një prifti katolik të konvertuar në luterian, dhe, pasi e bëri bijë në shpirtin e tij politik, i besoi poste të rëndësishme në kabinetin e tij dhe, pasi e mësoi se si do të mund të ishte figura e liderit në opozitë, në vitin 2000 i besoi drejtimin e partisë, ku kishte drejtuar si pak kush tjetër.

Kjo nuk e pengoi Zonjën Merkel që të bënte denjësisht zgjedhjen e jetës së saj politike: “ të vrasë” babanë  e saj politik për të shpëtuar partinë më të fuqishme konservatore evropiane.

Edhe atëherë kishte zëra që nuk e perceptonin forcën e tyre politike pa figurën e Helmut Kohl. Një brez i tërë konservator ishte rritur nën hijen e tij të madhe. Të rëndë. Autoritare. Të dashur. Njëjtë si sot që shumë demokratikas nuk e perceptojnë dot opozitën jashtë Sali Berishës, megjithëse ai, ndryshe nga Helmut Kohl që nuk tregoi financuesit e fushatës së tij elektorale, është shpallur “ non grata” nga Shtetet e Bashkuara, për tri cilësime që përmbysin gjithçka në figurën e tij.

Basha nuk ka as tagrin, as forcën e as dinjitetin e zonjës Merkel. Nuk ka as grintën e saj.

Duhet të rritesh , Lul.

Nuk shkon gjithë jetën në heshtjen memece, duke i lënë gjërat të varura dhe enigmë.

Sali Berisha mund të jetë ose mund të mos jetë pjesë e Grupit Parlamentar të PD-së. Ai mund të bëjë lëvizjen e tij, që është e menduar, dhe, duke e trajtuar si një çështje vetjake, të jetë nesër deputet i pavarur, por kjo nuk është rritja jote, përkundrazi, është shuplaka që do të bjerë furishëm nga krahët e politikës. Një zgjidhje që nuk është zgjidhje do të thotë një lider që nuk është lider.

Është koha të rritesh, Lul. Nuk të rritë dot as takimi me Zonjën Merkel, edhe sikur ajo të të presë. Kortezia nuk do të thotë miratim dhe as përkrahje. Nganjëherë është dënim.

Është e rëndësishme që opozita të ketë rrugën e saj, qëndrimin e saj dhe liderin e saj. Një lider i pa rritur do të sjellë humbjen e opozitës sa herë që kundërshtari i saj politik i merr seriozisht zgjedhjet. Edi Rama hodhi zaret që tani për mandatin e katërt, opozita ende nuk ka bërë si duhet detyrat brenda shtëpisë së saj. Që nga 25 prilli ajo nuk ka mbledhur asnjëherë Grupin e saj parlamentar, ndërsa shumica bëri lëvizjet për të gjetur rrugë të tjera dhe lidhje të tjera në zgjedhjet e ardhshme.

Demokratët , Lul, edhe mund ta falin një ditë që direkt nga shkallët e strukturave të UNMIK-ut u bëre tri herë ministër, dhe, të tria herët le pas vetes humnera të mëdha, që kanë të bëjnë me korrupsionin e hatashëm- Rruga e Kombit; përmes një puthje të Bakojanisit dhurimin e detit – hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese; dhe vrasjet e 21 janarit – ku posti yt i ministrit të brendshëm të fajëson, megjithëse jam i bindur se ke qenë thjeshtë soditës. Tjetër kush ishte njeriu i urdhrit vrastar, dhe, ai njeri, ashtu si fshehu pas gishtit kërcënues masakrën e Gërdecit, ashtu fshehu edhe vrasjet e 21 janarit.

Demokratët mund të ta falin një ditë miqësinë me Fazlliçin, nipin e Stanishiçit, shefit të shërbimit të fshehtë serb, dora që bëri akte krimi të përgjakshme në Kosovë, ashtu si nuk do të jenë të interesuar për kaseta të filmuara apo dosje të përgatitura. Do e harrojnë se katër vite më parë thuajse e dërgove për skrap partinë ku të deleguan si drejtues. Harresa është veti kombëtare shqiptare. Nuk do e përmendin më që, habitshëm, more pranë vetes figura të pak dinjitetshme dhe i vendose në kryesinë e partisë, si Duma e Salianji, që nesër mund të jenë rishtas personazhe të Babale 2, Babale 3, apo mesazheve erotike; do e harrojnë se figura të rëndësishme intelektuale, thellësisht opozitarë, nuk gjetën vend tek ti, ama, nëse e dërgon për skrap partinë e parë opozitare, dhe, si duket, e hasmëron me Departamentin Amerikan të Shtetit, KËTË NUK DO E FALIN.

Opozitën e bën një burrë i rritur, jo nga vitet, por nga vendosmëria dhe guximi për të qenë lider. Një burrë që ka dinjitetin mbi vete , e jo vilat dhe përrallat e përnatshme, që na i përcjell përmes Alibeajt apo Shehut, si ndjellësit e së keqes.

Është e vështirë të jesh lideri i opozitës për 12 vite rresht.  Por më e rëndë nëse, si uroj të mos ndodhë, një ditë e gjithë forca politike ku të kanë deleguar të drejtosh, të shpallej “ non grata”, për hir të dy njerëzve; njëri i lidhur fort pas pushtetit politik, dhe, tjetri, i pavendosur deri në çastin e fundit.

Rruga politike e Bashës është e dhuruar, jo e ndërtuar. E falur. Në një pjatë të bronztë. Përmes duarve të ish liderit, i cili i pastroi edhe rrugën. Nganjëherë përmes dhunës, herë të tjera përmes diktatit.

Kjo nuk e la Lulzim Bashën të rritej si lider dhe, si duket, nuk do të rritet as në të ardhmen.

Duke qëndruar nën çadrën e dhuruar, ai ka drojën se mund të stërpiket për vete, edhe pse forca e tij politike është bërë qull nga rrebeshi i ardhur prej Departamentit Amerikan të Shtetit.

Koha po ikën, Lul.

Ose priji asaj, ose shko në njërën nga vilat e tua.

Rritu, Lul!

 

—-

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …