Shtëpia / Politika / Një qeveri e grave dhe “Asambleja e grave” për të cilën shkruante Aristofani. Si kanë qeverisur deri tani gratë në një shoqëri thellësisht maskiliste

Një qeveri e grave dhe “Asambleja e grave” për të cilën shkruante Aristofani. Si kanë qeverisur deri tani gratë në një shoqëri thellësisht maskiliste

Fatos Tarifa

Botuar në DITA

 

Japim e marrim të krijojmë një shoqëri më të mirë. Deri më sot nuk kemi arritur ta bëjmë këtë. Disa thonë se nuk dimë; të tjerë thonë se nuk dinë ata që na qeverisin. Por cilët janë ata që e kanë qeverisur dhe e qeverisn këtë republikë? Si dhe nga kush janë zgjedhur për të qeverisur? Ne dimë të ankohemi, dimë të shajmë, dimë t’ua hedhim fajin të tjerëve, kujtdo që nuk e duam, ose që nuk na pëlqen. Por harrojmë se ne, si qytetarë, jemi po aq përgjegjës për këta politikanë dhe qeveritarët të këqinj që kemi pasur e kemi, sa janë përgjegjegjës edhe këta të fundit për llojin e qytetarëve që ne jemi. Ne vetëm shajmë. Ne mbetëm duke u thënë atyre që zgjedhim të na qeverisin me votat tona “IK”. Nano ik! Berisha ik! Rama ik.

Dy të parët ikën. Nano me vullnetin e tij; Berisha i detyruar. Rama mbeti. Partia e tij fitoi zgjedhjet për të tretën herë radhazi. Ai do të jetë kryeministri i këtij vendi për një mandat të tretë. Kjo, shumë njerëz i tremb; shumë të tjerë e shohim mandatin e tij të tretë në krye të qeverisë si një garanci për realizimin e reformave të nisura.

Tani, në fokus është vënë përbërja e kabinetit të ri qeveritar. Një pjesë e mirë e qytetarëve (ndër të cilët bëj pjesë edhe unë), besojnë se përqindja kaq e lartë e grave në poste ministrorë është një tregues (shumë) pozitiv; të tjerë thonë se emërimi e një numri kaq të madh grash në qeveri është thjesht një mënyrë, përmes së cilës Rama kërkon të përmirësojë imazhin e qeverisjes së tij, medemek ta bëjë atë të duket si një qeveri “skandinave”.

Unë mendoj se secila palë ka një argument. Gratë shqiptare kanë munguar për një kohë të gjatë në skenën e politikës shqiptare, duke lënë të papërfaqësuar siç duhet gjysmën e popullsisë së vendit. Mos më thoni se interesat e grave në organet e pushtetit vendor, në parlament apo në qeveri i kanë përfaqësuar burrat. Duke mos u dhënë grave vendin që meritojnë në politikë dhe në vendimmarrje, shoqëria shqiptare, një shoqëri thelbësisht maskiliste, është privuar deri më sot nga shumë kontribute të vyer që do të kishin dhënë gratë me njohuritë dhe aftësitë e tyre për të krijuar një shoqëri më të mirë.

 

Gratë e Aristofanit

 

Ideja e krijimit të një shoqërie cilësisht më të mirë përmes kontributit aktiv të grave në politike dhe në vendimmarrje nuk është një ide skandinave, as një ide që lidhet me modernitetin. Ideja e një shoqërie më të mirë sesa ajo ekzistuese, që do të karakterizohej nga më shumë rregull, më pak konflikte, më shumë qëndrueshmëri dhe më shumë harmoni sociale, është një ide e lashtë. Një ndër mendimtarët e parë që ka dhënë vizionin e një shoqërie të tillë ka qenë Aristofani, i cili, edhe pse në formën e një satire, në komedinë e tij Një asamble e grave (shkruar në vitin 391 para Erës së Re), e përshkruan shoqërinë e Athinës klasike si të ishte një shoqëri socialiste dhe feministe.

Përmbajtja e kësaj komedie, e cila duhet lexuar si një kritikë e thellë ndaj ligjeve, zakoneve dhe sjelljeve të grekëve të asaj kohe, me pak fjalë, është kjo: Gratë e Athinës ndërmarrin një lojë të guximshme. Të veshura e të maskuara si meshkuj, ato hyjnë në asamblenë e qytetit, e cila dominohej nga burrat, dhe votojnë që t’ia japin drejtimin e pushtetit grave, pra vetes së tyre. Pas kësaj, ato do të ndryshojnë ligjet e vjetra dhe do të krijojnë një shoqëri të re, në të cilën, të gjithë qytetarët janë të barabartë.

Qeverisja e shtetit prej grave ishte e vetmja gjë që nuk ishte provuar deri atëherë. Në këtë komedi, Aristofani e përshkruan Athinën si një shoqëri më të mirë, qeverisja e së cilës u lihet në dorë grave. Ai shkruante: “Le t’i lemë gratë të qeverisin qytetin!…Mjafton të kujtojmë se, duke qenë nënat e ushtarëve tanë, ato do të donin t’i mbronin ata sa më mirë që është e mundur…Përsa i përket administrimit të thesarit, gratë janë ato që e dinë më së miri vlerën e parasë…Një grua nuk mund të manipulohet nga askush, nëse ajo është në rolin e drejtuesit—vetë gratë janë mjeshtre absolute të manipulimit…Gratë janë krijesa shumë inteligjente dhe e dinë mirë se si bëhen paratë; [përveç kësaj] gratë nuk i nxjerrin sheshit të fshehtat mbi ato që ndodhin në festivale, ndryshe nga burrat, të cilët, kur janë në asamble, i nxjerrin sekretet sa majtas, djathtas”.

Duke ua lënë në dorë qeverisjen e Athinës grave, këto do të kryenin funksionet që zakonisht i kryenin burrat; ato do të ishin anëtare të jurive, ndërsa burrat do të qëndronin në shtëpi dhe do të merreshin me punët që zakonisht i bënin gratë. Kjo do të ishte “një ditë e madhe për Athinën, një lajm i shkëlqyer”. Kjo do u jepte fund “të gjitha ligësive dhe mashtrimeve”; nuk do të kishte “më prova të rreme, as spiunime”. Në një Athinë të drejtuar nga gratë, “nuk do të kishte më grabitje në rrugë, as zili për fqinjin, as varfëri dhe as shpifje”.

 

“Gratë e Edi Ramës”

 

2412 vite pas Aristofanit. Është një gjë shumë e mirë që gratë përbëjnë shumicën dërrmuese të kabinetit të ri qeveritar në vendin tonë. Unë e mirëpres dhe e përshëndes këtë, edhe për shkak se disa prej tyre më është dhënë rasti t’i njoh në punën që kanë bërë ose bëjnë, siç përshëndes edhe kandidaturën e zonjës Lindita Nikolla për kreun e Parlamentit të vendit. Edhe pse Nikolla nuk do të jetë e para zonjë që do drejtojë organin më të lartë legjislativ të Shqipërisë, ajo është ku e ku me zonjën Topalli që e mbajti këtë pozitë për tetë vite me radhë deri tetë vite më parë. Ajo drejtoi si “burrë”, jo si grua.

Aristofani kishte të drejtë kur u atribuonte grave ato cilësi që përmendëm më sipër. Gratë mund të bëjnë në politike, si dhe në çdo sferë tjetër të jetës e të veprimtarisë profesuonale e shoqërore çdo gjë që bëjnë burrat, shumë herë edhe më mire sesa ata. Këtë është e vështirë ta mohosh. Unë mendoj, fjala vjen, se gjatë katër viteve të fundit, dy prej të cilëve në kushtet e një pandemie globale, Ogerta Manastirliu ka qenë një ministre e shëndetsisë shumë më e mirë se të gjithë burrat që e kanë drejtuar dikasterin e saj në 26 vitet që i paraprinë mandatit të saj.

Edi Rama e di këtë po aq mirë sa shumica prej nesh. Por ai ka meritën që është i pari kryeministër shqiptar që u beson grave kaq shumë portofole. Për këtë unë e respektoj.

Por, unë do të dëshiroja më shumë se kaq. Unë do të dëshiroja, të paktën, tri gjëra të tjera:

(1) Që presidenti i ardhshëm i Republikës së Shqipërisë të jetë një grua. Një grua në krye të shtetit shqiptar do të jetë pothuajse a priori shumë më e mirë sesa presidenti qe kemi sot dhe sesa ai që kishim para tij.

(2) Që gratë në kabinetin qeveritar të marrin më shumë përgjegjësi për dikasteret që drejtojnë dhe për punën që kryejnë, duke mos u mjaftuar të bëjnë çdo gjë që do, ose që u thotë kryeministri. Duke punuar për realizimin e programit qeveritar, çdonjëra prej tyre lipset të ndihmojë me njohuritë dhe përvojën e vet dhe të sjellë e papenguar kontributin e vet personal në realizimin e atij programi. Vetëm kështu bën kuptim të  flitet për “punë në ekip”, një koncept që kryeministri Rama e përdor vazhdimisht.

(3) Që, më në fund, në krye të qeverisë shqiptare të jetë një grua—dhe të jetë kjo kryministre grua që zgjedh anëtarët burra (ose gra) në kabinetin e saj. Edhe për këtë ka ardhur koha.

Dhe mund të mos kemi një “asamble të grave” si ajo për të cilën shkruante Aristofani, por një qeveri të drejtuar nga një grua e zonjë, që do i shërbente krijimit të një shoqërie më të mire në Shqipëri se kjo që kemi sot.

—–

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …