Shtëpia / Politika / Ngrihuni në këmbë të nderoni gënjeshtrën dhe babain e saj shqiptar! Oshëtimat e tij sokëllitëse çdo seancë të ardhshme dëshmojnë njëherazi kalbëzimin tuaj moral

Ngrihuni në këmbë të nderoni gënjeshtrën dhe babain e saj shqiptar! Oshëtimat e tij sokëllitëse çdo seancë të ardhshme dëshmojnë njëherazi kalbëzimin tuaj moral

 

Nga Viktor Malaj  

Botuar në DITA

Sesioni i ri parlamentar po afrohet. Një Parlament me disa njerëz të rinj dhe mendime të vjetra do ta mbushin sallën. Një grup njerëzish të stërkënaqur me pushtet prej disa mandatesh do të ulen në vendet e tyre duke shikuar me kureshtje dhe nënvlerësim të zgjedhurit për herë të parë.

Një tufë rishtarësh në “Kuvendin e Popullit” do të ndihen pak në siklet në fillim, derisa të përshtaten, dhe pastaj do të “shpërthejnë” në beteja të papara, gjysma në mbrojtje të qeverisë dhe gjysma tjetër në “luftë për jetë a vdekje” kundër saj.

Ne do të vështrojmë nga ekrani i TV-ve dhe, në varësi të interesave dhe pasioneve tona, do të çuditemi, inatosemi apo ngazëllehemi nga fitoret apo humbjet imagjinare të grupimeve politike.

Por, kujdes! Gjëja e parë që duhet bërë nga deputetët pas betimit nuk është mbajtja e premtimeve dhe shpalosja e “erudicionit” me qëllimin e mirë: ta rinojnë gjuhën tonë të lashtë me fjalë të huaja. Jo! Veprimi i parë dhe më fisnik e humanitar duhet të jetë mbajtja një minutë heshtje.

Mos mbani heshtje për viktimat e tërmetit, të mosdijes, pangrënies apo të së padrejtës, madje as për ato të Covid- 19! Ngrihuni në këmbë dhe mbani heshtje për gënjeshtrën dhe babain e saj shqiptar, për atë që na është shitur prej tridhjetë vitesh si profet i së vërtetës, gjeneral i të drejtës, përmbysës i sistemit politik të përqafuar e propaganduar dikur me vullnetin e tij të lirë dhe vendosmërinë e shtirë, si dhe si sjellës i “lajmit të mirë”, demokracisë, lirisë dhe barazisë.

Të parët që duhet të ngrihen në këmbë dhe të mbajnë heshtje duhet të jenë kundërshtarët e tij politikë, të cilët, për mbi tre dhjetëvjeçarë rresht, i ka fyer, poshtëruar, rrahur, mashtruar, shpifur, burgosur dhe vrarë pa brerjen e ndërgjegjes dhe frikën e ndëshkimit, sepse nuk mund të ketë brerje ndëgjegjeje kur nuk ka ndërgjegje dhe as frikë ndëshkimi kur me institucionet ndëshkruese ka fshirë këpucët e njollosura me gjak dhe me llumin e shpifjeve, sharjeve, kanosjeve etj.

Në mos doni të mbani heshtje për çfarë ju ka bërë dhe çfarë ai përfaqson në të vërtetë, duhet të heshtni për një minutë nga “keqardhja” për vuajtjet e tij të fundit.

Ai duket se nuk ka vdekur dhe është i gjallë midis jush. Këtë do ta dëshmojë me praninë e tij fizike midis jush, me duhmën hundëshpuese të kufomës politike dhe me oshëtimat sokëllitëse kundër “tradhtarëve” të atdheut, të atdheut që vetë e ka djegur deri në asht dy herë dhe përcëlluar sa e sa herë.

Ulërimat e tij në çdo seancë të ardhshme do të dëshmojnë praninë e trupit të tij, kalbëzimin e mendjes së tij dhe vdekjen e moralit të tij. I prekur prej shumë vitesh nga varianti “MU” i Kovidit, ai ia ka dalë të mbetet gjallë falë imunitetit të lartë nga ndëshkimi që ia kanë ofruar shqiptarët në përgjithësi dhe ju kundërshtarët e tij në veçanti.

Goditja e ardhur nga larg në 19 maj 2021 e ka detyruar të futet në intubim moral ku një numër pambarimisht i madh eunukësh vazhdojnë t’i japin oksigjen si detyrim ndaj privilegjeve që iu ka pas ofruar, por edhe si shtytje nga pasionet e verbëra politike që i mbajnë të mbërthyer. Të udhëhequr nga anestezisti qesharak Shehu , ” infermierët” politikë i rrinë përreth të mos i mungojë oksigjeni. Këta e kanë futur në mauzoletë e ndërgjegjeve të tyre dhe besojnë se aty dhe ashtu do të mbetet i përjetshëm.

Ata nuk mund ta heqin nga mauzoleu vetjak e partiak dhe ta varrosin, sepse ashtu do të varrosnin historinë dhe të shkuarën e tyre. Ai është “trashëgimia historike dhe… në një farë mënyre, ndërgjegjja jonë tridhjetë vjeçare” (F. Zekthi), por edhe sepse “Vrasja e babait është qesharake sepse nuk është në traditën e partive të djathta, as në botëkuptimin apo në formimin tim dhe as në traditën e fisnikërisë apo konservatorizmit që të ‘vrasim babain’ ” (L. Basha).

Pra ata përfaqsojnë “fisnikërinë” dhe i përkasin shkollës së tij politike, gjë që, logjikisht, do të thotë se, pak apo shumë, janë si ai, kanë moralin e tij dhe vuajnë nga e njëjta sëmundje që vuan ai. “Të ashtëquajturat ‘veprime penguese apo minuese për demokracinë’ të presidentit Berisha janë përgjithësisht gjëra që lidhen me mënyrën e tij të të drejtuarit dhe temperamentin e tij, por kurrsesi me shkeljen e parimeve demokratike”, na mëson ish – ministri i tij filozof Arian Starova.

Prej këtyre filozofëve dhe ministrave në pension të oborrit të tij politik ne duhet të mësojmë se e kemi pasur gabim deri tani që i kemi konsideruar si shkelje të parimeve dhe ligjeve demokratike falsifikimet dhe dhunimet e proceseve zgjedhore; rrahjen, burgosjen dhe vrasjen e kundërshtarëve politikë; rrahjen dhe burgosjen e gazetarëve dhe djegiet e redaksive të gazetave; përdorimin e LHL-ve, artilerisë dhe aviacionit kundër popullsisë civile protestuese apo marrjen e pushtetit me dhunë duke sulmuar institucionet me tanke e mitralozë.

Të gjitha këto e të tjera janë çështje “stili dhe temperamenti” prandaj në Parlament do të ketë edhe të tjerë Starovë që mendojnë kështu dhe që era e qelbur e kufomës morale ende në intubim iu ngjan me parfumet më të mirë si Armani, Guçi apo Ralf Loren.

Faqja e parë DITA, 09 shtator

Megjithatë, ju parlamentarë duhet të ngriheni në këmbë dhe të mbani një minutë heshtje me kokat e kthyera nga ai dhe me keqardhje për vuajtjet dhe përpëlitjet me të cilat gënjeshtra tridhjetë vjeçare po i kalon vitet e fundit të jetës së saj. Jo se nuk kemi pasur dhe as kemi shtatore të gënjeshtës tek ne dhe rreth nesh, por sepse “madhështia” dhe mbijetesa e kësaj shtatorje bën “MUUU!” dhe duhet ta nderoni me një minutë heshtje.

Ndërsa ju do të heshtni, përpëlitjet dhe angullimat e tij do të vazhdojnë të dëgjohen pandërprerje dhe në format e dikurshme si “korrupsion, drogë, meduza e krimit, narkoqeveria, narkoshteti, bandat e krimit, mashtrim, izolim, në Shqipëri vdiqën nga Kovid- 19 më shumë qytetarë se në çdo komb tjetër, Shqipëria- rrugë kryesore e heroinës për Evropën dhe bazë e madhe e zbarkimit të drogave të forta nga Amerika Latine, 530.000 shqiptarë u përzunë nga vendi qysh kur ika unë nga pushteti, Zografi Bis i shiti Greqisë 1200 km2 det, klika antishqiptare e Tiranës, argati i Vuçiçit, copëtuesit e Kosovës, Ballkani i Hapur është një minijugosllavi, kushtrim: rrëmbeni armët, përmbysje, hedhje në Lanëëë!” etj.etj.

Ju do t’i dëgjoni këto angullima në Parlament por edhe do t’i lexoni tek “qytetari dixhital”, domethënë nga i sëmuri në intubim. Këto simptoma nuk janë të reja dhe as të panjohura për sëmundjen dhe të sëmurët, por mjekët thonë se varianti “MU”, nga i cili ka kohë që është prekur babai i gënjeshtrës dhe  shpifësi i paepur, ka si veçori që ulë imunitetin edhe të disa prej atyre që kanë marrë me kohë vaksinën antirrenë.

Ai do të vazhdojë të pëshpërisë për parime e vlera dhe të kërcënojë ndonjë nga të vetët që ngjan se po shërohet nga varianti ” MU “, duke i paralajmëruar se ” Nëse PD, nesër, do të merrte qëndrim aparimor, Berisha do të bënte gjithçka që PD të rikthehet në ato vlera që ajo është themeluar “. Kështu, të tjerët, si Hasime Hanëmi do t’i druheshin largimit të tij nga PD pasi ” do të shkaktonte stuhi të brendëshme “.

Pasi të keni mbajtur një minutë heshtje, duhet të mbani parasysh se jo çdo ulërimë e të sëmurit duhet injoruar, pasi ka midis tyre edhe nga ato që tregojnë “dhimbje të vërteta”. Ashtu si  qorri shenjës edhe ky i sëmuri ynë nganjëherë nuk bërtet kot. Por, ama, bëni shumë kujdes! Mos harroni se asnjë prej jush nuk është i imunizuar nga varianti “MUUUU” i sëmundjes morale dhe politike.

Nëse ju nuk ia vini gishtin kokës, nuk keni si t’i vëreni disa simptoma tek “ati” juaj dhe, për pasojë, mund të vijë shumë shpejt koha të mbani një minutë heshtje edhe për të dhe vuajtjet e tij. Nëse nuk iu kundërviheni tenderave të dyshimtë, koncesioneve pa moral dhe nuk mendoni për ne “jofisnikët” që mezi sigurojmë “bukën e përditëshme”, atëherë “nderimi” me heshtje mund të përsëritet dhe mund të jetë edhe më i gjatë dhe i dhimbshëm.

Mbani heshtje, por mendoni gjatë për të mos prerë shkurt !

—–

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

 

Shiko dhe këto

“Kjo ditë nuk është e lehtë për PD”/ Ironia e Ramës me opozitarët: Duhet të kemi respekt për traumat e të tjerëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i fundit ky që pak më …